Krimet shoqërore vijnë si pasojë veç të tjerash edhe e përmbysjes së vlerave. Në secilën shoqëri ku përmbysen vlera zë e shpërthejnë dukuritë më antinjerëzore, krimineli bëhet i parë, i ndershmi shkilet, vjedhja shitet për humanitet, ndihmat marrin kuptimin e nënshtrimit
Shkruan Zeqie Veseli
Dikur Bashkësia Fetare Islame në RM kishte një organizatë të mirëfilltë humanitare, me një traditë dhe histori sa të lavdishme aq edhe të përjetshme. Një organizatë që lakmohej dhe lavdërohej prej të gjitha organizatave botërore. Quhej OH El Hilal! Në këtë organizatë humanitare vullnetarisht angazhoheshin njerëzit më të sinqertë, më të devotshëm, cep më cep vendit tonë. Organizata kishte resurse që garantonin se virtyti i myslimanëve, humaniteti i popullit shqiptar do të shtrihej në çdo derë të skamnorëve tanë. Kjo organizatë ia zbardhte fytyrën institucionit të vet, Bashkësisë Fetare Islame në RM! Po tani?
Kurrë nuk u mor vesh se çka ndodhi me atë Organizatë, kush e dëboi nga gjiri i BFI-së dhe pse? Një gjë është më se e sigurtë që ajo Organizatë nuk ishte ajo që i përmbushte kriteret për oreksin kafshëror të Sulejman Rexhepit, alias Mulla Sulës. Ai do të pajtohej që të shlyhej një histori e tërë, të zhbëhej një biografi e mrekullueshme, të përfundonte një traditë e mbarë kombëtare, duke themeluar një organizatë të re me emrin Hilal! Pra, edhe një tendencë e Mulla Sulës për të manipuluar me opinionin e vendit dhe me ata ndërkombëtar. Një organizatë tjetër, me një emër paksa të ngjashëm, së cilës do të mundohet t’ia bashkangjesë tërë atë përvojë dhe ato suksese të organizatës së më parshme.
Organet e BFI-së në ndihmë të hajnisë së Mustafa Dautit
Çka bëri Mulla Sula? E themeloi një organizatë-njeri! Duke pritur rrjedhja të reja të ndihmave finansiare nga bota arabe, por edhe nga bota e bisnesit shqiptar, ai do të themelojë këtë Organizatë, OH HILAL, sa për të pasur një xhirollogari alternative. Madje tash e dy vjet kjo Organizatë është personale e Sulejman Rexhepit, nën mbikëqyrjen totale të tij, i vetmi me të drejtë nënshkrimi, të deponuar edhe në Regjistrin Qendror Shtetëror. Lëvizjet humanitare i nisi me piunin e vet, Mustafa Dautin, njeriun e pëfolur shumë si narkodiler, të pamoralshëm, gënjeshtar dhe hajn i popullatës gjithandej ku ka shërbyer, si dhe të mbrojtur nga strukturat e shërbimit sekret maqedonas. Personi në fjalë akoma vazhdon të prezantohet si kryetar i OH HILAL ndonëse tashmë me mandat të skaduar, dhe pa të drejtë nënshkrimi. Humbjen e kësaj të drejte Mustafa Dauti e ka kapitalizuar sidomos me rastin e tubimit të ndihmave finansiare, të qindra e mijëra euro për vëllezërit myslimanë të përmbytyr nga katastrofa natyrore në Hasanbeg dhe rrethinë. Mustafa Dauti para qytetarëve thoshte që nuk është e vërtetë që Myftinitë e BFI-së i kanë derdhur ndihmat finansiare në xhirollogarinë e OH HILAL, kurse kur e pyesnin myftitë se çka është bërë me ndihmat që i kanë derdhur në konton e organizatës, ai ju thoshte “ju e dini, nuk kam qasje në xhirollogari, këtë të drejtë e ka ekskluzivish Mulla Sula”!
Pehlivanllëqe të një hajnit janë edhe këto të Mustafa Dautit, i cili bashkë me Mulla Sulën, në mënyrë të pamëshirshme kanë modeluar zhvatësin më të pështirë në historikun e BFI-së. Me qëllim që ta ruajnë sekretin e veprimeve të veta imorale, me qëllim që ta mistifikojnë sa më thellë veprimtarinë e tyre prej hajdutëve të paskrupullt, Mustafa Dauti dhe Mulla Sula kanë rënë në ujdi që struktura të OH HILAL-it të jenë organet dhe instucionet e BFI-së. OH HILAL ka marrur rolin e superinstitucionit në kuadër të së cilës vepron BFI-ja si Institucion fetar i të gjithë myslimanëve të vendit.
Në një kulm nuk mund të ketë vend edhe për krim edhe për humanitet
Sot, OH HILAL është e vetmja organizatë që nuk ka bord të rregullt, që nuk ka kuvend, që nuk ka degë e nëndegë. Mustafa Dauti është vetë pashë vetë agë, nuk i përgjigjet askujt, kurrë nuk i ka raportuar asnjë organi, kurrë nuk ka formuar komisione, kurrë nuk ka hartuar ndonjë strategji, ndonjë plan veprimi. Të gjitha këto struktura të OH HILAL Mustafa Dauti i plotëson duke i devalvuar organet e BFI-së, Myftinitë, duke i shndërruar në degë të Hilal-it. Mustafa Dauti myftitë e vendit i nënvlerëson duke i shëndërruar në aktivistë të Hilalit dhe në përpilues të listave me emra skamnorësh. Mustafa Dauti Myftinitë i ka shndërruar në makineri përmes të cilave e kryen krimin humanitar. Myftitë janë shndërruar në palaço që merren me shplarjen e veprimtarisë të pistë të Mustafa Dautit. Në vend se Myftinitë të jenë menaxhuese dhe kontrolluese të aktiviteteve humanitare të degëve të Hilalit që do të funksiononin në kuadër të tyre, këta organe janë shndërruar në miratuese të punëve të pista të Mustafa Dautit, i cili, në fakt veçse bën punën e lavatriçes së punëve të ndyra të Sulejman Rexhepit.
Mustafa Dauti thotë “i falënderojmë donatorët”! Po kush janë ata donatorë, çka kanë donuar të njëjtit, sa kanë donuar, përmes cilave forma është kryer donimi, në mjete materiale apo ne artikuj! Askush nuk di asgjë, ndërsa të gjithë vihen në gatishmëri për ta shpërfaqur kriminelin si engjëll. Donatorët duhet të jenë transparentë dhe të tregojnë se çka kanë donuar, apo, edhe donimi i tyre është shpëlarje e veprimtarisë jo të ndershme, e tipit të marrëveshjeve interne me Mustafa hajnin: ta donoj një pako, m’i shkruaj njëqind”!
Puna e Mustafa pisit është si ajo e arushës! Ky far humanisti i gërditshëm Muajin e Bekuar të Ramazanit e ka sezonë gjuetie. Del për të gjuajtur me qëllim që pastaj, pas këtij Muaji të Shenjtë, t‘ia fusë gjumit për shtatë palë qejfe, me qëllim që mos të dëgjojë më asnjë fjalë për skamnorët dhe rreth skamnorëve, deri sa të vie Ramazani tjetër.
Nën kulmin e BFI-së së Mulla Suls edhe kjo mund të bëjë vaki: BFI-ja, të gjitha organet dhe institucionet e saj, të shndërrohen në filiale të Hilalit të Mustafa hajnit, kurse Mulla Sula cari me një oborr përplotë palaço që ia kënaqin oreksin shtazarak Mustafa Dautit. Dhe kjo hajni, ky degradim dhe ky keqpërdorim i organeve të një Institucioni të shenjtë ka ndodhur dhe mund të ndodhë vetëm nën qeverisjen VMRO-BDI, kallëp ky i hajnisë, korrupsionit, krimit, degradimit, shkatërrimit… Mustafa Dauti e Sulejman Rexhepi tash për tash janë në majen e përpjetëzes, dhe, natyrisht, pas kësaj vjen teposhtëza e tyre, hund e buzë!
Comments
Post a Comment