Numri një i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani është prononcuar për Lajm TV, në lidhje me paditë e BDI-së ndaj gazetës Lajm dhe theksimin e rastit në fjalë edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në raportin e fundit për gjendjen e të drejtave të njeriut në pjesën për Maqedoninë, DASH përmend edhe rastin në të cilin BDI e ka paditur gazetën Lajm duke kërkuar dëmshpërblim prej 25 mijë eurove. Padia është për tekstin me titull “Mos u bën si BDI-ja”, ku sipas integristëve gazeta Lajm insinuon për krime të bëra të BDI-së deri sa është në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Selmani vlerëson se me këtë SHBA-ta ia kanë nxjerrë faqen e zezë BDI-së.
“Kjo është faqja e zezë që amerikanët ia nxjerrin kësaj partie. Është e kotë që çdo ditë të pohojnë se janë partner strategjik të SHBA-së, ndërkaq në anën tjetër të hyjnë në Raportin e tyre si plan- prishës në Maqedoni, deklaroi Selmani për LajmTv.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në çdo fushatë parazgjedhore lavdërohet me partneritetin e BDI-së me Amerikën. Mirëpo sjellja e tij dhe partisë së tij ndaj mediumeve nuk përputhet me këto lëvdata. Sipas Selmanit, nëse vërtetë janë partner të SHBA-së BDI le t’i tërheqin paditë ndaj gazetës Lajm dhe kryeredaktorit Isen Saliu.
“Një thënie thotë: Ujku qimen e ndërron, zanatin nuk e harron. Prej marksist- leninistave demokratë nuk bëhen. Raporti i fundit i Stejt Departamentit dëshmon se BDI është pjesë e sistemit të ushtrimit të presionit ndaj medias. Atë që ne e shprehim vazhdimisht Stejt Departamenti Amerikan e konfirmoi. Mendoj se pas hyrjes në listën e zezë të Xhevat Ademit, kjo është shuplaka e dytë që SHBA ia bën publikisht BDI-së”, thkson kryetari i SHGM-së.
Mediumet në Maqedoni, me disa përjashtime, si rrallë herë deri tani kanë bojkotuar pjesën e raportit të Departamentit Amerikan, në pjesën që ka të bëjë me presionin ndaj mediumeve. Sipas Selmanit, kjo tregon se disa pronarë dhe kryeredaktorë median e shndërrojnë në mjet propagande për pushtetin.
“Kjo është një dëshmi e fuqishme se në çfarë halli kanë rënë mediat në Maqedoni. Kjo është edhe një konfirmim se media në Maqedoni nuk është e lirë. Ata nuk janë në gjendje të distribuojnë lajme që janë të rëndësishme për gazetarët dhe vet median. Atëherë kur ata nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë pozitën që kanë, që të promovojnë qëndrimet apo pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Kjo është një situatë e mjerë. Media nuk është e gatshme të përballet me gjendjen e mjerueshme në të cilën punojnë. Çështja e lirisë së mediave nuk është vetëm presioni që ushtron Qeveria ndaj medias, por është edhe një pranim i vullnetshëm i disa pronarëve dhe kryeredaktorëve që median ta shndërrojnë në mjet propagande për pushtetin në Maqedoni”, shton Selmani.
Ndryshe në fund të muajit shkurt ka filluar edh enjë proces tjetër gjyqësor kundër gazetës Lajm. Kësaj radhe bëhet fjalë për një padi personalisht nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti kundër Lajmit dhe kryeredaktorit Isen Saliu. Në këtë rast, kryetari i BDI-së poashtu kërkon dëmshpërblim prej 25 mijë eurove, me çka shifra e përgjithshme shkon në 50 mijë euro. E gjithë kjo ndodh në kohën kur BDI është pjesë e qeverisë që ka ndarë milion euro reklama qeveritare për mediumet maqedonase, që vazhdimisht emitojnë emisione serbe./LajmTV
Comments
Post a Comment