Partitë politike ende nuk kanë përfunduar konsultimet lidhur me zgjedhjen përfundimtare për gjuhën shqipe, që është edhe pika kryesore e bisedimeve për formimin e Qeverisë së re mes Lidhjes Social-Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Aleancës për Shqiptarët.
Debati për gjuhën shqipe, ndërkohë që ka ngritur dilema nëse kjo çështje është imponuar për qëllime politike në veçanti nga VMRO-ja dhe BDI-ja për rritjen e besimit të humbur në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Jordan Shishoski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Institutit për shkenca shoqërore dhe humaniste, thotë se platforma shqiptare përmban shumë pika, por me qëllim partitë janë përqendruar në atë për gjuhën shqipe, pasi vetëm përmes ngritjes së tensioneve partitë mund të përfitojnë politikisht.
“Gjuha është vetëm një nga pikat, të tjerat siç janë Prokuroria Speciale, ndarja proporcionale e buxhetit, kontesti me emrin e kështu me radhë, aspekt nuk kanë zënë vend në opinion, kjo tregon nacionalizimit tonë, pasi në vend të përqendrohemi në çështjet e interesit të përbashkët, ne kemi zënë në rrjetin e retorikës nacionaliste të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së. Pra, ne duhet të orientohemi në shumë prioritete reformuese që janë më se të domosdoshme për të ardhmen e këtij vendi”, thotë Shishoski duke shtuar se shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë avancimin e pozitës së tyre, por gjithashtu sipas tij, përgjegjësi duhet të kërkuar edhe nga partitë shqiptare, të cilët këto çështje nuk duhej t’i impononin për zgjidhje shumë vite më parë.
“Qytetarët shqiptarë me të drejtë janë të pakënaqur nga moszbatimi i përpiktë i Marrëveshjes së Ohrit. Këtë çështje duhet ta mbyllim që të përqendrohemi në çështje tjera, siç janë sundimi i së drejtës, ekonomia si dhe proceset demokratike. Por, problemi qëndron tek BDI-ja, e cila me hipokrizën e saj në vend se të bartë përgjegjësi politike për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, bën shantazhe të ndryshme. Nuk duhet të harrojmë se BDI-ja është partia me më shumë vite në pushtet, andaj edhe duhet të përgjigjet se pse ka ngecur zbatimi i pikave të Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Jordan Shishoski nga Instituti për shkenca shoqërore dhe humaniste.
Dilema mbi debatin që po zhvillohet ka edhe Xhelal Neziri, analist dhe drejtues i qendrës për gazetari hulumtues.
“Qëllimi kryesor i gjithë kësaj drame që bëhet rreth zbatimit të kësaj platforme apo konkretisht përdorimit më të gjerë zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, është shpërqendrim i opinionit nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në temat ndëretnike që natyrisht sjellin një përkufizim të territorit politik në dy blloqe etnike, pra në atë maqedonase dhe në tjetrin shqiptar, që në rastin konkret paraqet përfitim politik për BDI-në dhe partitë tjera politike”, thotë Neziri sipas të cilit qëllimi i BDI-së është edhe rikthimi i votueseve të humbur që votën e tyre e dhanë për LSDM-së dhe këtë siç thotë Neziri ajo tenton ta bëjë duke imponuar tema etnike.
Ai thotë se nuk ka dilema se kërkesat për avancimin e gjuhës shqipe janë reale dhe se ajo duhet të jetë e barabartë në shtet meqë si zyrtare është e paraparë edhe me Kushtetutë, por ngre pyetjen se pse partitë shqiptare këtë çështje nuk e kanë zgjidhur shumë vite më parë, apo që nga 2001 kur edhe ishte nënshkruar Marrëveshja e Ohrit e cila kishte një afat prej katër vitesh për zbatimin e saj.
“Përderisa për 14 vite nuk arritën ta imponojnë këtë pikë në agjendën politike, atëherë shfrytëzimi i krizës politike konkrete që buroi nga mos funksionimi i sistemit si dhe nga krimi dhe korrupsioni lë hapësirë për dyshim se bëhet për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik nga këto tema të cilat janë kyçe për integrimin e vendit në NATO dhe BE”, thotë Neziri.
Draft-ligji për të cilin parimisht janë dakorduar dy partitë shqiptare në bisedime me LSDM-në, jo zyrtarisht parashikon avancimin e shqipes në të gjitha institucionet si në Kuvend, Qeveri, pushtetin gjyqësor e organe tjera, si në të folur ashtu edhe në të shkruar.
Comments
Post a Comment