Këto janë pamjet e vetme që pasqyrojnë gjendjen aktuale në burgje që i disponon Avokati i Popullit, që është institucioni i vetëm që ka qasje në hapësirat e burgjeve në Maqedoni.
Avokati Ixhet Memeti, thotë se kushtet nëpër burgjet e vendit janë katastrofale me kushte çnjerëzore. Sipas tij, kjo është arsyeja që po ndodhë blindimi i plotë i burgjeve ndaj mediave dhe opinionit publik.
“Në tre vjetët e fundit nuk ka sistem të mirëfilltë të shëndetësisë dhe të sigurisë, në raste të ndodhjes së fatkeqësive, madje edhe humbjes së jetëve të burgosurve, janë mjaft shqetësuese. Qytetarët dhe i gjithë opinioni duhen shumë qartë të kenë informata, kërkojnë transparencë se çka ndodhi me këto raste që vetëm në vitin 2017 kemi tre vdekje, në rrethana të cilat për opinioni janë të panjohura”, tha Memeti.
Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, e dënojnë ashpër mos transparencën e këtyre institucioneve. Kryetari i kësaj shoqate, Naser Selmani, thotë se asnjëherë nuk ka pasur përgjigje se çfarë po ndodhë atje.
“Arsyeja e vetme pse ky pushtet është jo transparent ndaj medias është se përpiqen të fshehin krimet dhe korrupsionin e tyre. Sikur këto institucione të ishin të hapura, media do të zbulonin se qeveria aktuale, në mënyrë masive shkel të drejtat dhe liritë e njeriut dhe në mënyrë të vrazhdë vjedh paranë publike”, tha Naser Selmani, Kryetari i SHGM-së.
Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thonë se prej vitit 2010 iu është ndaluar qasja e organizatave joqeveritare të vëzhgojnë gjendjen nëpër burgje.
“Për fat të keq kjo u ndryshua në 2010-tën, për shkak se deri në vitin 2014 na është lejuar vetëm deri në dhomat e vizitave me personat e dënuar. Në dy vitet e fundit na janë mbyllur dyert jo vetëm neve, por edhe organizatave tjera jo qeveritare, por edhe të gjitha mediave në vend”, u shpreh Vojsllav Stojanovski, Këshilltar ligjor nga Komiteti i Helsinkit.
Familjarë të të burgosurve thonë për TV21 se ditëve të fundit, pas vdekjes së tre personave në burgun e Idrizovës dhe pas insistimit të mediave për të hulumtuar çështjet, janë marrë masa shtrënguese nga autoritetet e burgjeve, për mos rrjedhje të informacioneve të burimeve të brendshme.
Comments
Post a Comment