Institucionet shtetërore në Maqedoni janë gjithnjë e më të mbyllura ndaj taksapaguesve kur bëhet fjalë për mënyrën e shpenzimeve të mjeteve nga buxheti i shtetit.
Qendra për komunikim me qytetarë, në bazë të një hulumtimi ku janë përfshirë 97 institucione, ka nxjerrë në pah se vetëm 45 për qind e tyre publikojnë informacione për punën e tyre në ueb faqet zyrtare, duke u përfshirë në të ashtuquajturën “transparencë aktive”.
Me “transparencën aktive” nënkuptohet prezantim i informatave në iniciativë vetanake të institucioneve, pa parashtruar dikush tjetër një kërkesë për informata me karakter të qasjes së lirë.
Baza ligjore për transparencë aktive të institucioneve gjendet para së gjithash në ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, por edhe në një sërë ligjesh tjera, siç janë ligji për vetëqeverisje lokale, ligji për buxhet, ligji për borxhin publik, ligji për financim të njësive të vetëqeverisjes lokale, e kështu me radhë.
Hulumtimi në fjalë ka nxjerrë në pah se institucionet në nivel lokal janë më trasparente krahasuar me ato në nivel qendror, përkatësisht ministritë dhe vetë qeverinë.
Për nga transparenca prinë komuna e Kriva Pallankës dhe pas saj radhitet ajo e Velesit, Manastirit dhe Strumicës, komuna këto me shumicë maqedone.
Përderisa si ministri nivelin më të kënaqshëm ka treguar Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, që në disa mandate udhëhiqet nga përfaqësues shqiptarë, kurse më jo transparente është vlerësuar Ministria për Ekonomi, që po ashtu udhëhiqet nga përfaqësues shqiptarë.
German Fillkov, nga Qendra për Komunikim me Qytetarë, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se institucionet më pak transparente janë aty ku bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve nga buxheti.
“Institucionet shumë vështirë japin informacione kur kemi të bëjmë me shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit. Drejtuesit e institucioneve akoma nuk e kanë kuptuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë për çdo qindarkë të shpenzuar nga buxheti i institucioneve.”
“Pra, mungon vullneti i institucioneve që ata vetë t`a informojnë opinionin për atë se ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve, pa e kërkuar këtë dikush nga ata, duke u thirrur në ligjin për qasje deri tek informacionet me karakter publik”, thotë German Fillkov. (INA)
Comments
Post a Comment