Lulzim Basha trondit ekuilibrat brenda Partisë Demokratike.
Një deklaratë e tij e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar një tronditje të madhe brenda PD-së dhe ndryshim të thuajse gjithë establishmentit.
Në një aktivitet që ka mbajtur me komunitetin shqiptar në Nju Jork, Basha deklaroi se më shumë se 35 përqind e kandidatëve për deputetë do të jenë të rinj.
Qëndrimi i Bashës erdhi pas një takimi në Institutin Republikan Amerikan.
“Një javë para se të udhëtoja në SHBA, unë shpalla vendimin për t’i propozuar Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike diçka që është e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por dhe për Europën; e që është diçka që ju jeni mësuar këtu në SHBA: 35 për qind, që do të thotë 39 kandidatë për anëtarë Parlamenti nga Partia Demokratike e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme do t’i përkasin një brezi vajzash e djemsh më të rinj se 35 vjeç të zgjedhur sipas stilit demokratik amerikan të primareve”, tha Basha.
Por çfarë do të thotë kjo deklaratë dhe pse u tha në kontekstin aktual?
Qëndrimi i Bashës i drejtohet grupit të parlamentarëve që kanë pasur qëndrime jo të koordinuara me të dhe që aktualisht janë jashtë strukturave të selisë blu. Zgjedhjet e 2017-s nuk janë larg dhe sipas të gjitha gjasave do të ketë një rinovim total. Pjesa më e madhe e deputetëve aktualë nuk do të jenë më.
E thjeshtë përkthimi i kësaj deklarate në kontekstin aktual, dhe pse u tha nga Amerika: Gjatë takimeve që lideri i opozitës zhvilloi në Uashington, ku më i rëndësishmi ishte ai me zyrtaren e lartë të DASH-it, Victoria Nuland, Bashës i është kërkuar në mënyrë ultimative të bashkojë votat me Edi Ramën për të miratuar reformën në drejtësi.
Por disa deputetë të Partisë Demokratike kanë mbajtur qëndrime të ndryshme me kryetarin Basha lidhur me këtë zhvillim.
Për shembull, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, tha reforma të miratohet pas zgjedhjeve, ndërkohë që kreu i selisë blu tha nga Uashingtoni “reformë pastaj zgjedhje”.
Ndërkaq, me deklaratën e fundit të Bashës nga Nju Jorku, konteksti dhe analiza është e qartë: ai deputet që do të votojë kundër reformës, nuk do të kandidohet në zgjedhjet e ardhshme.
Dhe e thënë nga SHBA, del se është një qëndrim që mbështetet nga partnerët që i kërkojnë Partisë Demokratike të mbajë angazhimin e marrë publikisht dhe diplomatikisht. Përgatiti Ylli Pata – /tesheshi.com/
Comments
Post a Comment