Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë priti në takim Ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, z.Fatos Reka. Kryetari uroi Ambasadorin Reka për emërimin e tij duke i dëshiruar sukses në kryerjen e detyrës së re, si dhe vazhdimësi të bashkëpunimi të ngushtë të PDSH me Ambasadën Shqiptare.
Në takim është biseduar për situatën politike në vend, integrimin euro-atlantik, si dhe për zhvillimet në dialogun në mes të katër partive më të mëdha në vend që lehtësohet nga SHBA dhe BE.
Duke folur për rrjedhën e negociatave Kryetari Thaçi shprehu dyshimin te tre partitë që do të jenë në qeverinë kalimtare për sinqeritetin në zbatimit e reformave sistemore që rrjedhin nga marrëveshja e 2 qershorit, duke theksuar domosdoshmërinë që kjo pako e reformave të përfshijë edhe 7 pikat e Platformës Politike të PDSH-së të parashtruara në bisedime:
Pozita juridiko-kushtetuese e shqiptareve në Maqedoni; vendimmarrja konsensuale; ndarja e drejte dhe proporcionale e buxhetit të shtetit; zyrtarizimi i gjuhës shqipe; ndarja e re territoriale; de-etnizimi i simboleve shtetërore (flamuri, himni, stema), si dhe njeri prej tre posteve kryesore në shtet (Kryeministri, Presidenti, Kryetari i Kuvendit) t’u takojë shqiptarëve. Kryetari Thaçi gjithashtu konstatoi se Shqipëria si anëtare e NATO-s ka një rol shumë të rëndësishëm dhe se është faktor determinues jo vetëm për ardhmërinë e Shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe për mbarë rajonin. Ambasadori Reka theksoi se Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së 2 qershorit.
Takimi kaloi në një atmosferë të ngrohët e miqësore me ç’rast bashkëbiseduesit potencuan nevojën e zhvillimit të mëtejmë të marrëdhënieve shumë të mira në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Pas takimit Ambasadori Reka bëri homazhe te varri i Arbën Xhaferit.
Shërbimi për Informim – PDSH
Comments
Post a Comment