ANALIZË/ Kush e Provokoi Turqinë dhe si u trondit ekuilibri pas marrëveshjes me Iranin: Përgjigja e fortë e Ankarasë
Marrëveshja e fundit e Fuqive të Mëdha me Iranin ka tronditur ekuilibrat në Lindjen e Mesme duke vënë Turqinë në qendrën e rrezikut të destabilitetit, por siç duket tentativa ka dështuar.
Ankaraja ka nisur prej ditësh një ofensivë të vërtetë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike duke marrë rreth vetës të gjithë aleancën e NATO-s, edhe pse ka pasur liderë perëndimorë që kanë shfaqur dredhinë e tyre ndaj Turqisë.
Ndërkohë që Turqia po niste një proces paqësor me kurdët, madje u fol edhe për një koalicion të përbashkët qeveritar, dikush sikur i hodhi “benzinë zjarrit” duke nxitur një shpërthim sulmesh terroriste dhe si pasojë zemërimin e Ankarasë.
Turqia së bashku me SHBA ka nisur një seri sulmesh në Siri dhe Irak kundër ISIS dhe paramilitarëve të PKK-së në një operacion që siç duket do të shkojë deri në fund. “Nuk do të ketë kthim prapa”, tha presidenti turk, Erdogan, ndërsa po nisej në një vizitë në Kinë, ku ka marrë me vete edhe një grup të madh biznesmenësh turq, në një ofensivë të vërtetë drejt tregjeve aziatike.
NATO
Të mbledhur në urgjencë në Bruksel 28 vendet anëtare të NATO-s kanë shprehur solidaritetin e tyre ndaj Turqisë e cila po përballet egërsisht në sulmin e terroristëve në kufi, ndërkohë që kreu i aleancës deklaroi se Ankaraja nuk ka kërkuar ndihma shtesë.
“Turqia nuk ka kërkuar trupa shtesë është e gatshme të përballojë situatën së bashku me SHBA”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan, ka sjellë në vëmendje nenin 5 të Traktatit të NATO-s i cili thekson se nëse një vend është në rrezik, atëherë të gjithë shtetet e tjera janë në një linjë me të. Por jot ë gjithë vendet e Perëndimit kanë mbajtur një qëndrim për të ndihmuar Turqinë kur ajo po përballet me një vështirësi të madhe të sulmeve terroriste dhe të një numri shumë të madh regfugjatësh nga Siria.
Presidenti francez, Francois Hollandë i ka bërë thirrje Turqisë që të jetë e kujdeshshme dhe të mos konfondojë objektivët, duke iu referuar sulmit ndaj PKK-së. Disa vende të BE kërkojnë që të ketë një politikë më të butë ndaj kurdëve.
Ndërkohë, një zëdhënës i partisë AK të Erdogan theksoi në Ankara se negociata me kurdët do të ketë vetëm nëse këta të fundit do të dorëzojnë armët dhe do të lënë Turqinë.
Kërcënimi
Turqia ka shprehur shqetësimin e saj kundër Luftëtarëve të Huaj Terroristë (LHT) që në fillimet e konfliktit në Siri në vitin 2011. Ajo ka tërhequr vëmendjen veçanërisht për luftëtarët e vendeve fqinje si Irani apo Libani, të cilët hynin në këtë vend për të ndihmuar regjimin e Asadit.
Reagimi ushtarak
Në lidhje me këtë, ushtria turke ka marrë një sërë masash në të gjithë kufirin e Turqisë me Sirinë për parandalimin e kalimit të LHT si dhe zgjidhjen e shumë problemeve të shkaktuara për shkak të luftës civile në Siri. Në këtë kontekst ushtria turke ka dislokuar një numër të konsiderueshëm shtesë të ushtarëve për të qenë më efikase në parandalimin e hyrjes së LHT-ve në Siri dhe në luftën kundër kontrabandës.
Turqia gjatë gjithë luftës civile në Siri ka ndjekur politikën “e dyerve të hapura” duke u bërë strehë për rreth 1.8 milionë refugjatë të ardhur nga ky vend, pjesë e të cilëve janë edhe 200 mijë irakianë. Turqia ka një kufi tokësor rreth 1 mijë e 300 kilometra të gjatë me Sirinë.
Refugjatët e ardhur nga Siria dhe Iraku marrin një kartë identifikimi biometrike të përkohshme në momentin që futen në Turqi. Në marrjen e shërbimeve publike si; arsimi, të ushqyerit apo edhe kontrollet mjekësore ata nuk bëjnë dallim, janë njëlloj si çdo qytetar i Turqisë, ndërkohë që ju ndalohet vetëm të votojnë apo të ushtrojnë të drejta që janë vetëm për shtetas të Republikës së Turqisë.
Politika “me dyer të hapura” e Turqisë është bërë për shkak të nevojave dhe gjendjes së krijuar në Siri dhe Irak, ndërkohë për shkak të sigurisë herë herë kalimet bëhen më të pakta në numër, pasi siguria është në plan të parë për këtë vend.
Ndalimi i ikjes nga vendi i origjinës është më i lehtë sesa pengimi i kalimit të tyre në kufirin me Sirinë. Ndërkohë shumë shtete jo vetëm që nuk e kryejnë këtë detyrë, por ia ngarkojnë fajin asaj për situatën e krijuar.
Ndalimi i kalimit të luftëtarëve të huaj (LHT) nga Turqia drejt Sirisë lidhet ngushtë me koordinimin dhe dhënien e informacioneve nga vendi i origjinës për personat që dyshohen pasi Turqia është vendi që ka më shumë turistë se shumë vende të tjera të botës.
Ajo renditet e 6 në botë dhe vizitohet çdo vit nga rreth 40 milionë turistë. Ndërkohë teknikisht është e pamundur kontrolli i hyrjeve legale të një numri të tillë turistësh. Si një nga vendburimet me numrin më të lartë të luftëtarëve të huaj, BE-ja duhet të sigurojë kufijtë, portet dhe aeroportet e saj si dhe të informojë autoritetet turke për persona apo grupe të dyshimta, të cilët nisen drejt këtij vendi.
Pas kërkesave të shumta të Turqisë, kohët e fundit ka një përmirësim në këtë drejtim. Nga ana tjetër Turqia në operacionet që janë kryer ditët e fundit në 25 qytete ka arrestuar 897 persona, ndërkohë shumë prej tyre ishin shtetas të huaj.
Ka rreth 40 mijë deri 70 mijë luftëtarë që mendohet se luftojnë në radhët e ISIS-it, krahas atyre sirianë dhe irakianë mendohet që ka edhe rreth 24 mijë të huaj, ndërkohë sipas statistikave shumica e tyre vijnë nga BE-ja. Mosmarrja e masave për parandalimin e radikalizmit në BE, mosnxitja e integrimit si dhe lejimi i personave të dyshuar të udhëtojnë janë disa nga shkaqet kryesore për rritjen e numrit të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT).
Në një operacion të madh të kryer në Stamboll, në të cilin u arrestuan 104 persona, 37 prej tyre ishin të huaj. Ndërkohë një nga të arrestuarit ishte edhe personi, i cili njihej si përgjegjësi i të huajve në Turqi, Abdulla Abdullayev. Nga ana tjetër edhe në operacionin e organizuar në Ankara, ku u arrestuan 26 persona, 10 ishin shtetas të huaj. Ndërsa në operacionin e organizuar në qytetin Kocaeli u arrestuan 7 persona, në Gaziantep u arrestuan 28 persona, nga të cilët 13 ishin të huaj.
Ushtria turke për të penguar kalimin e luftëtarëve të huajve nga kufiri i Turqisë drejt Sirisë dhe Irakut ka marrë masa shtesë. Në këtë kontekst janë gërmuar 365 kilometra trashe, është ndërtuar 70 kilometra mur dheu, 7 kilometra mur betoni, 22 kilometra pengesë me tel fizarmonikë, 145 kilometra gardh me tel u rinovua dhe u shtuan 90 kilometra të tjerë. Për të ushtruar më mirë kontroll janë ndriçuar 270 kilometra vijë kufitare, ndërkohë i gjithë personeli ushtarak afër kufirit është dislokuar në kufi.
Lufta tregtare në Azi
Për shkak të rigjenerimit ekonomik të ngadalshëm të shteteve të BE-së dhe pasigurisë politike në vendet fqinje, biznesmenët turq janë orientuar drejt tregjeve aziatike.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, shoqërohet në vizitën e tij në Kinë dhe Indonezi, nga 100 anëtarë të Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), prej 28 korrik deri më 1 gusht. Rajoni Azi-Paqësor është ndër vendet me rritje dhe qendra tërheqëse e ekonomisë globale, kështu që vizita pritet të japë një kontribut të madh në zgjerimin e tregtisë me vendet e këtij rajoni.
Më 30 Korrik, të enjten, planifikohet të mbahet Forum i Biznesit Kinë-Turqi, ku do të marrin pjese edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoa (Recep Tayyip Erdoğan), ai i Kinës, Xi Jinping, ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zejbekçi, ministri i Tregtisë së Kinës, Gao Hucheng. Në këtë forum planifikohet të marrin pjesë rreth 400 biznesmenë nga Turqia dhe Kina.
Në Indonezi, më 1 gusht të shtunën do të mbahet Forumi i Biznesit Indonezi-Turqi. Në këtë forum, do të nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit për zhvillimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit, mes Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) dhe Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Indonezisë.
Në botën e biznesit theksohet se Turqia për të realizuar objektivin që i ka vendosur vetes për vitin 2023 ka nevojë për përforcimin e lidhjeve me vendet Azi-Paqësorit, dhe se me këtë vizitë në rajon pritet të zhvillohet tregtia reciproke.
Specialisti Prof. Dr. Erdal Tanas Karagol nga Fondacioni i Kërkimeve Sociale, Ekonomike dhe Politike (SETA) theksoi se: “Eksporti luan rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Turqisë, në këtë pikë përpjekjet për zhvillimin e tregtisë duhet të vazhdojnë”.
Në deklaratën e tij, Karagol tha: “Tregu i Turqisë mund të ndryshojë në varësi me kushtet. Në koniunkturën e fundit, vendet fqinje dhe BE-ja janë në vështirësi ekonomike. Në kërkim të tregjeve alternative, për një kohë Amerika e Jugut ka qenë destinacioni kryesor. Kohëve të fundit gjithashtu ka përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve me shtetet e Azi-Paqësorit. Turqia ka nevojë që të përhapet në këto vende. Pasi tregjet alternative luajnë rol të rëndësishëm për të pasur qëndrueshmëri në eksporte”.
/tesheshi.com/
Comments
Post a Comment