Drashkoviqi kishte ardhur në Kroaci me familjen e tij. Ai kishte aterruar me avion privat në aeroportin e ishullit Braç bashkë me familjen e tij. Aty ai kishte hyrë pa problem në Kroaci. Pas pushimeve të kaluara nëpër ishujt kroat Drashkoviqi u arrestua në Split
Njëri prej krerëve të nëntokës ballkanike të krimit të organizuar është arrestuar në Kroaci. Gjatë kontrollit të pasaportave në aeroportin Resnik të Splitit policia e Republikës së Kroacisë ka arrestuar 51-vjeçarin Andrija Drashkoviqi, një i ashtuquajtur biznesmen nga Beogradi.
Drashkoviqi u prangos pasi zyrtarët e policisë konstatuan se kundër tij Belgjika para një viti ka lëshuar fletarrestim për shkak të dyshimit se është njëri nga dorasit në atentatin kundër aktivistit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, shkruan e përditshmja e Splitit “Slobodna Dalmacija”. Vrasja e Hadrit ka ndodhur para 25 vitesh në Bruksel.
Pas arrestimit të tij, opinioni shqiptar është i interesuar të dijë nëse Drashkoviq do të flaës edhe për vrasësit e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekës, sepse është e sigurtë se këto vrasje janë të organizuara nga qarqe të njëjta brenda UDB-ës jugosllave.
Ndryshe Drashkoviq kishte ardhur në Kroaci me familjen e tij. Ai kishte aterruar me avion privat në aeroportin e ishullit Braç bashkë me familjen. Aty ai kishte hyrë pa problem në Kroaci. Pas pushimeve të kaluara nëpër ishujt kroat Drashkoviqi u arrestua në Split.
Pas kapjes nga policia Drashkoviqi doli para gjykatësit hetues me avokatin e tij, i cili ofroi 50 mijë euro garanci që klienti i tij të mos përfundojë në arrest të ekstradimit. Gjykatësi hetues ka vendosur që shuma e garancisë të jetë 100 mijë euro, që Drashkoviqit t’i konfiskohet pasaporta dhe deri në vendimin përfundimtar të qëndrojë në një hotel.
Gazeta “Jutarnji list” njofton se një opsion i trajtimit të mëtutjeshëm të rastit është që autoritetet belge të vijnë në Split dhe ta transferojnë Drashkoviqin në Belgjikë. Andrija Drashkoviqi ka vuajtur një dënim prej 10 vitesh burg për shkak të vrasjes së një biznesmeni.
Ndonëse në tekstet që qarkullojnë në internet për vrasjen e Hadrit nuk përmendet emri i Drashkoviqit, dyshohet se ai është njëri prej pjesëmarrësve në vrasje.
Hadri u vra në vitin 1990 në Bruksel derisa po priste në semafor. Në atë çast pranë tij u ndal një veturë, nga e cila u hap zjarr kundër tij. Hadri, shkruan “Jutarnji list”, gëzonte mbrojtjen e NATO-s. Sipas kësaj gazete vrasjen e Hadrit e kishte porositur shërbimi sekret jugosllav UDB, i dominuar nga serbët.
Thuhet se në çastin e vrasjes Hadri kishte me vete dokumente që e ndërlidhnin udhëheqjen politike serbe me vrasjen e shqiptarëve në Kosovë. Për vrasjen e Hadrit dyshohen Veselin Vukotiqi, Andrija Lakoniqi dhe Darko Ashanini.
Pas vrasjes së Hadrit në Serbi u vra Lakoniqi. Me gjasë vrasjen e kishte kryer Vukotiqi. Ashanin ishte arrestuar në Greqi dhe pritej ekstradimi i tij në Belgjikë. Por këtë e penguan autoritetet serbe, të cilat intervenuan në Greqi. Pas pak Ashanin u vra në Greqi. Atentatori i tretë Veselin Vukotiqi u arrestua në Spanjë në vitin 2006. Pas ekstradimit në Serbi u lirua dhe u arrestua sërish në Novi Sad në vitin 2010.
Tetë muaj më vonë u lirua për “shkaqe humanitare”, sipas raporteve të mediumeve serbe. Në gazetat serbe spekulohet se Vukotiqi pas lirimit ka bashkëpunuar me policinë serbe dhe i ka shpalosur asaj detaje mbi nëntokën kriminale në Mal të Zi.
“Slobodna Dalmacija” shkruan se është e mundshme që Vukotiqi të ketë ofruar informata që e implikojnë Andrija Drashkoviqin në vrasjen e Hadrit./lajmpress/
Comments
Post a Comment