Në Shkup sot vazhdon takimi i liderëve të katër partive kryesore politike për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.
Liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja, Zoran Zaev nga LSDM-ja, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nga PDSH-ja sot do të tentojnë të formulojnë një kornizë pikash, nga e cila do të vijojnë negociatat për zgjidhjen e krizës.
Dy partitë shqiptare kanë dhënë sinjale për bashkëveprimin e tyre dhe se pritet hartimi i disa pikave të përbashkëta.
Ndërkohë, tashmë është shpalosur propozimi për formimin e një koalicioni të zgjeruar mes partive kryesore dhe zgjidhja e [ështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, aferën e përgjimeve, reformat dhe prioritete tjera. Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar se akoma nuk ka filluar dialogu, pasi që sipas tij, palët deri tani nuk janë dakorduar për mënyrën e zhvillimit të tyre dhe agjendën.
Në takimin e tretë të sotëm në Klubin e deputetëve, sikur dhe në dy takimet e mëparshme do të jenë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav.
Takimi para një javë përfundoi pa marrëveshje konkrete.
Në takim është konkluduar se për të avancuar negociatat duhet të vërtetohen parimet për negociata, që të sigurohet barazia e të gjitha palëve dhe garancia se ajo që është rënë dakord me të vërtetë do të respektohet.
Në Strasburg u zhvillua edhe një takim i Gruevski dhe Zaevit me tre eurodeputetët Riçard Hovit, Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe eurokomisarit Johanes Han. Diskutim i sinqertë dhe vazhdim i takimeve, thuhej në kumtesën e shkurtër pas 10 orë bisedimesh maratone midis delegacioneve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
Comments
Post a Comment