Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski nuk jep sinjale se është i gatshëm për kompromise politike për të nxjerrë vendin nga kriza politike.
Ai në një tubim në Dellçevë në lindje të vendit përjashtoi mundësinë e një qeverie kalimtare, duke theksuar se qeverinë mund ta formojë vetëm populli, përmes zgjedhjeve, duke refuzuar çfarëdolloj qeverie të mundshme kalimtare, gjë që është kërkesa kryesore e opozitës.
Gruevski theksoi se rezultati i raundit të negociatave të martën, varet jo vetëm nga pala e pushtetit, por edhe e opozitës, për të cilët, u përmbajt në parashikime.
“Të martën vjen komisari Han. Ai është paralajmëruar, dhe sa i përket pjesëmarrjes sime dhe të VMRO-DPMNE-së, ne përgatitemi me ide të ndryshme të jemi konstruktiv deri në maksimum dhe të kontribuojmë në zgjidhjen e krizës politike, si dhe të kontribuojmë që ardhja e tij të përfundojë me sukses. Kjo nuk varet vetëm prej nesh. Është edhe pala tjetër në bisedime, kështu që nuk dua të jem as optimist, as pesimist, pasi nuk mund të parashikoj se si do të paraqitet pala tjetër. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj, për çfarë qeverie do të bëhet fjalë, teknike apo politike? Dua të përsëris se qëndrimi dhe pozicioni ynë, ishte dhe do të jetë se për ne, Qeverinë mund të formojnë populli dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, vetëm në zgjedhje”, deklaroi Gruevski. Sipas tij, parti të caktuara politike nuk mund të bëjnë llogari, parashikime apo planet e veta për krijimin dhe hyrjen në Qeveri, pa fituar më parë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje. (INA)
Comments
Post a Comment