Pas mbledhjes urgjente, Myftinia e Shkupit me përkrahje të shumicës së anëtarëve të organit vendosën që të përkrahin punën dhe aktivitetet e Myftinisë së Shkupit në krye me Myftiun Ibrahim Shabani.
SHKUP (AA) – Anëtarët e Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Shkup, zhvilluan një mbledhje urgjente në lidhje me incidentin që ndodhi mbrëmjen e të dielës së kaluar, ku gjatë ceremonisë për gara në lexim të Kur’anit kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ofendoi myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabani, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas mbledhjes urgjente, Myftinia e Shkupit me përkrahje të shumicës së anëtarëve të organit vendosën që të përkrahin punën dhe aktivitetet e Myftinisë së Shkupit në krye me Myftiun Ibrahim Shabani.
Zëdhënës i Myftinisë së Shkupit, Skënder Buzaku, tha se manifestimi qendror i organizuar nga Myftinia e Shkupit për Garat e Treta Kur’anore të mbajtura më datë 26.04.2015 ishte i nivelit të duhur, ndërsa më tej nënvizoi se Myftinia e Shkupit ka qenë transparente në dekorimin e çdo individi apo ndërmarrje që ka dhënë sado pak kontribut për organizimin e këtij manifestimi madhështor.
“Myftinia e Shkupit duke respektuar të gjitha normat dhe parimet kushtetuese dhe morale, nderon Resin me fjalë rasti, kurse ai në vend që të falënderoj Myftininë e Shkupit dhe nëpunësit e saj për kontributin e dhënë, i njëjti keqpërdori foltoren e Myftinisë së Shkupit, duke paraqitur fjalim kontravers, ofendues, me prapavijë tendencioze, nënçmues për organizatorin dhe shqetësues për talebet dhe të pranishmit në Sallën Opera dhe Baleti “, deklaroi Buzaku duke shtuar se, e gjithë kjo është në kundërshtim me nenin 39 të Kushtetutës së BFI-së në të cilën thuhet se ‘Reisi përfaqëson unitetin fetar të pjesëtarëve të islamit’.
Buzaku në emër të Myftinisë së Shkupit kërkoi që kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, brenda 48 orëve të ndërgjegjësohet dhe të kërkoj falje publike ndaj Myftiut të Shkupit, Ibrahim Shabani dhe organit që drejton ai, si dhe xhematit të Myftinisë së Shkupit.
Nga ana tjetër, Myftiu Ibrahim Shabani, në fjalën e tij tha se ka pasur konflikt verbal, si sharje dhe nënçmime që nuk i takojnë një udhëheqësi fetar të merret me thënie të tilla, ndërsa më tej mohoi se ka pasur ndonjë sulm fizik. Ai shtoi se ka disa informata dhe spekulime se incidenti është incizuar dhe nëse ky incizim sillet në Myftininë e Shkupit, i njëjti do të publikohet.
“Janë dëshmitarë edhe shumë njerëz që ishin prezent, ndoshta ka pasur edhe gazetarë”, u shpreh Shabani, dhe shtoi se Myftinia e Shkupit pret nga kreu i BFI-së që të kërkoj një falje publike, pasi që sipas tij çdo njeri gabon dhe nuk do t’i kushtonte shumë një falje.
Comments
Post a Comment