Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka reaguar sot ndaj deklaratës së ish-kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi i cili në një emision kosovar u shpreh se, Kosova nuk mund të çlirohej me politikën e Ibrahim Rugovës.
Majko shprehet në Facebook, se Klosi e ka fyer Presidentin e nderuar Rugova, dhe se, deklarata që Rugova ka qenë tradhtar i Kosovës është po aq e vërtetë, sa ajo që Klosi ka luftuar me armë në dorë.
“Lexova në media që “veterani” i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova. Që Ibrahim Rugova të ketë qenë “tradhtar” i Kosovës, kjo është po aq e vërtete sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë”, shprehet Majko.
Deputeti e quan "shterpë" debatin për luftën e Kosovës, që po bëhet në momentin e gabuar, pasi për Majkon, Kosova duhet të përgatitet për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare.
"Sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare. Ajo do të gjykojë protagonistët e luftës së shqiptarëve. Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë. Të gjithë duhet të jemi në krah të UCK, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilën u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës. Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja. Kjo dhe te tjera, janë arsyeja që mendoj se debatet shterpë me “heronj" dhe “tradhtarë” për Luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët ne rajon. Shpresoj të jetë rastësi", përfundon Majko.
Comments
Post a Comment