Qytetarët Shqiptarë kanë vuajtur dhe vuajnë, siç e thotë populli: i heqin të zinjtë e ullirit, vetëm se janë shqiptarë
SHAQIR ISLAMI
Ekselenca e tij, Ambasadori i SHBA-së, e dha përgjigjen më domethënëse për gjyqësinë dhe për funksionimin e ligjit në shtetin tonë. Siç u pa, përgjigja ishte se: gjyqësia ka larë lesh. Ka falimentuar. Sipas procesit logjik, ka falimentuar edhe demokracia. Demokracia garanton barazinë e individëve para ligjit. Në shtetin tonë shkallmohet e drejta elementare e njeriut. Qytetarët Shqiptarë kanë vuajtur dhe vuajnë, siç e thotë populli: i heqin të zinjtë e ullirit, vetëm se janë shqiptarë. Ky është faji i vetëm i tyre. Ende vuajnë dhe sorollaten nëpër korridoret e institucioneve-kështjella të F. Kafkës. Askush nuk i dëgjon oshtimat e të shtypurve, të dhunuarve, të persekutuarve, të vuajturve nga institucionet e veshur me ligj.
Ligji ka funksionuar dhe funksionon si burim i pasurimit të gjyqtarëve, të ndërmjetësuesve (të miqve, të cilët rëndom janë shqiptarë), avokatëve, funksionarëve, në kurriz të mjerëve. Ligji ka qenë dhe është burim i korrupsionit të paparë. Në shtetin tonë korrupsioni është, vet ligji. Vetëm nderi është jashtë ligjit. Askush nuk ua var veshin oshtimave të vuajturve dhe të mjerëve. Kjo ndodh dhe sot! As partitë ultra-patriotike “Shqiptare”. As ekspertët juridik. As komiteti i Helsinkit. As organizatat tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. As OJQ-të. As Transparensi. As MPC. As Reis ul Ulemaja. As Evropa. Askush. As edhe ky avokati i përjetshëm i popullit! Cilin popull e mbron ky? Ky është bashkëfajtorë i shtypjes dhe i dhunimit flagrant të drejtave të individit! Pyes publikisht: çfarë k... bën ky OMBUDSMAN? Si nuk e bren ndërgjegjja, se e merr rrogën haram?
Në këtë shtet, individi nuk gjykohet. Individi paragjykohet, për shkak të fesë, etnisë, kësulës, emrit, pamjes, ... Gjyqi vetëm paragjykon! Kjo do të thotë se nuk ka ligj në këtë hapësirë. Gjyqi ka qenë dhe është laborator për ta rrjepur qytetarin, e jo për ta zbatuar ligjin. Shqiptarët, ligji i ka trajtuar dhe i trajton si shtriga ose si kafshë të egra për gjueti. Për gjuetinë e kafshëve të egra ka ligj; ka sezon të gjuetisë, pas saj vjen ndalesa për gjueti (kur janë të mbarsur). Ndërsa shqiptarët gjuhen tërë vitin. Nuk ka sezon për gjuetinë e tyre (edhe kur janë të mbarsur). Numri i tyre duhet zvogëlohet sa më shumë. Ky është roli kryesorë i bandës së Ali Ahmetit. Prandaj gjuhen ditë e natë. Pa orar pune. Nuk ka pushim, as Bajram, as Ramazan, ... as shëngjergj. Kjo qeveri përbindësh, ka dështuar në çdo pikëpamje. Sukses të plotë ka, vetëm në pakësimin e numrit të Shqiptarëve. Ky është programi i kësaj qeverisjeje fashizoide me bekimin dhe miratimin e plotë të vet shqiptarëve-ortakë.
Të gjithë jemi dëshmitarë, sepse i kemi parë pamjet, kur policia speciale i gjuan edhe në gjumë, për të prodhuar sa më shumë myshteri për kasaphanet-gjyqësore. Industria e ndëshkimit në këtë shtet është ndër më fitimprurësit. Kjo e mbush arkën e shtetit. E gjithë kjo bëhet duke e shfrytëzuar ligjin. Pushteti i Treshit famëkeq i detyruan Shqiptarët të shndërrohen në lepuj për gjah. Për të cilët nuk vlen sezoni i gjuetisë.
Comments
Post a Comment