Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka deklaruar se është i pashmangshëm bashkimi i shqiptarëve sipas modelit evropian.
“Pa diskutim që sipas modelit evropian dhe kjo është e pashmangshme. Të gjitha vendet ku shqiptarët jetojnë në rajon janë të orientuara drejt të modelit evropian, të bashkëjetesës, bashkekzistencës dhe funksionimit. Ky është një destinim i pashmangshëm, aq sa që është destinacion i pashmangshëm Bashkimi Evropian për Shqipërinë e Kosovën dhe gjithë rajonin. Pra, për sa kohë destinacioni tash i pranuar dhe angazhuar është BE-ja, nuk mund të përjashtohen shqiptarët rreth këtij destinacioni, i cili është destinacion që ka vlerën e një familjeje që është e organizuar me vlerat e ndryshme, me kultura të ndryshme, por që i harmonizon ato në mënyrë krejt normale dhe të ndërtuar te njëra-tjetra”, deklaroi presidenti Nishani në një intervistë për revistën dialogplus.ch.
Sipas tij, nuk ka askush pse shqetësohet nga konteksti dhe ideja e asaj që do të realizojë ky bashkim – shqiptarët në modelin evropian.
Ai në këtë intervistë ka folur për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë, rajon, për diasporën shqiptare, dhe prioritetet e shtetit shqiptar.(INA)
Comments
Post a Comment