Që nga shkarkimi i ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanovic në fillim të shkurtit, përfaqësues të Listës Serbe po i bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, pohon se, kjo listë nuk ish dashtë me ekzistua si subjekt politik, pasi punon për rrënimin e shtetit të Kosovës.
“Lista Serbe nuk ish dashtë të ekzistonte si subjekt politik në Kosovë, sepse ajo përbëhet nga strukturat paralele të Serbisë, të legjitimuara me marrëveshjet në Bruksel dhe si e tillë dirigjohet nga Beogradi. Lista Serbe punon aktivisht për rrënimin e shtetit të Kosovës, së këndejmi nga ata mund të pritet veç bojkot, sabotim etj.”, thotë Vraniqi për gazetën “Bota sot”.
Analisti politik, Armend Muja, thotë se, me futjen e Listës Serbe në kornizën e zgjedhjeve qendrore është parashikuar që më herët ndeshja e qëllimeve dhe polarizimi i skenës politike kosovare.
“Fillimisht, stili dhe lloji i shtemformimit të Kosovës është i karakterit civil ku shteti nuk identifikohet me një përkatësi të caktuar etnike por promovon një koncept të gjithmbarshëm shtetformues Kosovar - agjenda e Listës Serbe nuk është për ta ndërtuar por për ta penguar atë”, thotë Muja për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij së dyti, heqja e Jabllanoviçit ka qenë një sinjal që Lista Serbe duhet të ndryshoj diskursin dhe fjalorin politik - diskursi i Kosovës Veriore nuk përputhet me realitetin e krijuar në Prishtinë
“Së treti, duhet të ketë kujdes që mos të jetë heqja e Jabllanoviçit si argument shtesë në taborët radikale etnike serbe që integrimi në institucionet e Kosovës nuk qon askund
Se katërti, Lista Serbe është duke ruajtur kreditet e saj negociuese për dy çështje tjera të rëndësishme: Statusi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe Ushtrisë së Kosovës”, thotë Armend Muja.
Kurse, Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës thotë se, Lista Serbe bënë politikë të dyfishtë, joetike dhe thjeshtë është degë e Beogradit në Republikën e Kosovës.
“Ata duhet të ndryshojnë rrënjësisht platformën e tyre nacionaliste dhe të pranojnë realitetin e ri në Kosovë duke u bërë pjesë e institucioneve dhe shoqërisë kosovare dhe duke hequr dorë nga të qenunit turist politik të Serbisë në Kosovë. Me vetë faktin se kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, janë të përfshirë në institucionet e Republikës së Kosovës dhe marrin paga e privilegje në Kosovë duhet ta njohin Republikën e Kosovës dhe ti kontribuojnë përfshirjes së komunitetit serb në të gjitha segmentet e jetës, stabilitetit politik, barazisë etnike dhe shtetit ligjore të së drejtës konformë Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë Dedaj për gazetën “Bota sot”.
Ai pohon se, lidhja e tyre e ngushtë me forcat nacional shoviniste të Beogradit zyrtar në fakt e vështirëson vetë komoditetin e Listës Serbe në politikën e Kosovës por edhe dekurajon komunitetin serb i cili ndihet i pasigurtë dhe konfuz në të qenunit pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare.
“Lista Serbe duhet ti kuptoj stinët politike dhe evoluimin e politikës në këtë pjesë të Evropës dhe në vetë Kosovën dhe nëse është pranverë në Kosovë nuk mund të jetë dimër dhe se gjërat kanë ndryshuar aq shumë sa nëse kështu vazhdon të sillet Lista serbe do mbetet në harresë dhe do gjykohet nga vetë komuniteti serb i Republikës së Kosovës”, thotë Gjergj Dedaj./ Bota sot
Comments
Post a Comment