As në seancën e radhës deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të flasin për projektligjin për Gjykatën Speciale, e cila do të merret me pretendimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kjo çështje nuk ishte në diskutim as sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në të cilën u caktua seanca e ardhshme plenare.
Por, është opozita ajo e cila do të jetë kundër këtij projektligji, të cilin e konsideron shumë të keq dhe që pretendon ta bëjë Kosovën agresor, ndonëse dihet që është Serbia ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë.
Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se nuk ka qenë temë e debatit diskutimi për Gjykatën Speciale dhe nuk do të jetë temë e debatit as në seancë.
Por, tha se edhe kur të shkoj në seancë për diskutim, ata do të jenë kundër atij projektligji.
“Do të kërkojmë që i njëjti të mos votohet në Parlament, sepse konsiderojmë se gjenocid në Kosovë ka bërë Serbia e jo anasjelltas. Ky projektligj vjen si dështim i drejtësisë në vend”, tha Kadaj-Bujupi.
Sipas saj, pavarësisht kërcënimit se nëse nuk miratohet në Kuvendin e Kosovës, atë projektligj mund ta miratojnë instanca tjera, Kuvendi nuk duhet ta miratoj atë.
“Kuvendi i Kosovës, Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë që parasheh aktakuza jo vetëm për individë por edhe për kauzën tonë për luftën e pastër të UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës. Në Kosovë ka ndodh gjenocid nga Serbia, ndërsa projektligji siç është sjell në fakt pretendon të kundërtën”, theksoi ajo.
Kryesia e Kuvendit në këtë mbledhje vendosi që seanca plenare të mbahet të enjten, më 26 shkurt, në orën 10:00, në të cilën do të shqyrtojë disa projektligje dhe disa propozime. /kp/
Comments
Post a Comment