Fitorja e SYRIZA-s në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, ka sjellë optimizëm te disa qarqe politike dhe intelektuale në Maqedoni, se negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit mund të lëvizin me tempo më të madhe. Në mesin e tyre është edhe intelektuali i mirënjohur nga Shkupi, Semi Mehmeti, i cili vlerëson se meqë SYRIZA do të ketë preokupim kryesor përmirësimin e ekonomisë greke, për këtë arsye do të tregojë gatishmëri më të madhe për zgjidhjen e kontestit disadekadësh me emrin. Mehmeti si problematike e quan sjelljen e koalicionit qeveritar në Maqedoni, VMRO- BDI, prej të cilit koalicion pret provokime të reja ndaj Greqisë, me qëllim që sa më tepër të zvarritet zgjidhja e çështjes së emrit.
“Edhe përkundër qëndrimeve të tyre deklarative, mendoj se VMRO dhe BDI nuk janë të gatshme për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE. Prandaj unë pres që pushteti në Shkup të vazhdojë me vendime që provokojnë opinionin grek, me të vetmin qëllim për të pamundësuar zgjidhjen e çështjes së emrit në një afat më të shkurtër. Një vendimi i tillë, sipas meje, ishte ndryshimi i papritur i emrit të Sallës universale në Shkup dhe emërimin e saj me emrin “Aleksandar Veliki”, në kohë kur ishte thuajse e qartë se SYRIZA do t’i fitojë zgjedhjet. Mendoj se provokime të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen”, vlerëson Mehmeti.
Për dallim prej Mehmetit, ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Risto Nikovski thotë se Cipras njihet me qëndrimet e tij edhe më radikale se të ish liderëve të tjerë grekë, andaj edhe është e arsyeshme të mos pritet thuajse asgjë në raport me Maqedoninë.
“Mendoj se jo vetëm që nuk ka mundësi, por nuk ka as logjikë të pritet se me ndryshimin e pushtetit në Greqi do të ketë ndonjë ndryshim më të butë apo ndryshim tjetër në raport me Maqedoninë. Grekët kanë një konsensus të fortë për këtë çështje dhe jo vetëm kaq, madje Aleksis Cipras kishte një qëndrim shumë më radikal kundrejt Maqedonisë dhe ai tani do të ketë kujdes që të mos jetë në shënjestër të sulmeve”, ka vlerësuar ai.
Ndërkaq, ish-ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milloshoski dhe Sërgjan Kerim presin përmirësim të marrëdhënieve me fqinjin jugor.
"Fitorja e SYRIZA-s është ngjarje e madhe edhe për Greqinë e edhe për fqinjësinë. Mendoj se në këtë moment, ata që do të presin tejet shumë nga Cipras, mund të zhgënjehen, ndërsa ata të cilët do ta nënvlerësojnë, mund të befasohen. Për këtë arsye në Republikën e Maqedonisë duhet t'i baraspeshojmë pritjet tona nga Ciprasi, i cili ndoshta si opozitar do të dukej më liberal, por nesër, nëse bëhet kryeministër apo partia e tij të jetë bartësja në qeverinë e re të Greqisë, sigurisht se do të jetë më konservator në qëndrimet e veta", deklaroi Milloshoski për MIA-n.
Kerimi vlerëson se Aleksis Cipras i takon një gjenerate të re të politikanëve në Greqi dhe për këtë arsye shpreson se do të sjell freski në politikën e jashtme të vendit dhe do ta lirojë nga disa stereotipa.
"Maqedonia dhe Greqia janë fqinjë me përcaktime të njëjta strategjike në planin ndërkombëtar. Njëherësh i takojnë Aleancës euroatlantike dhe integrimit. Për këtë shkak marrëdhëniet e tyre duhet të qëndrojnë në mirëbesimin e ndërsjellë, atmosferë ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin e frytshëm", thotë Kerim për MIA-n dhe thekson se SYRIZA dhe lideri i saj Aleksis Cipras meritojnë urime për fitoren e tyre të bindshme në zgjedhjet parlamentare në Greqi.
I pyetur nëse me SYRIZA-n në krye të Greqisë, është i mundur përparim në zgjidhjen e problemit me emrin dhe zhbllokimi i integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO, Kerim përgjigjet se pret që më në fund të dy palët të ulen në një tavolinë dhe të bisedojnë për problemin.
Megjithatë pritjet nuk janë reale, nëse kihen parasysh provokimet e vazhdueshme që bën Qeveria e Shkupit ndaj Athinës.
Comments
Post a Comment