Prishtinë, 27.01.2015 Ndërhynë policia, ndërsa Prishtina shndërrohet në fushëbetejë – Policia e Kosovës ka intervenuar duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë masën e tubuar në sheshin Skënderbeu, para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency.
Mbi 15 mijë protestues nga Prishtina dhe viset tjera të Kosovës, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe flamuj me simbole të Trepçës, janë tubuar në mesditë në protestën e thirrur dje, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, për të kërkuar shkarkimin e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq për shkak të fyerjeve që i ka bërë nënave të Gjakovës, si dhe për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për të mos miratuar Ligjin për shndërrimin e ndërmarrjes Trepça në ndërmarrje publike.
Në fillim të protestës, të tubuarve iu drejtua Dardan Moliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se, Policia e Kosovës me urdhra të kryeministrit Isa Mustafa, nga mëngjesi, ka ndërmarr masa represive duke ndaluar autobusët nga Peja, Gjakova dhe Prizreni, ndërsa ka konfiskuar edhe binën, foltoren e improvizuar, të cilën në mëngjes kishin filluar ta montojnë aktivistët e Vetëvendosjes.
Duke e akuzuar kryeministrin Mustafa për represion dhe masa të dhunshme, Moliqaj iu drejtua policisë duke i dhënë ultimatum prej 15 minutash për të larguar rrethojat dhe për tu tërhequr brenda rrethojave të objektit të Qeverisë.
Në vazhdim të protestuesve iu drejtuan nëna e dëshmorit Ilir Berisha, nga Gjakova dhe shefja e grupit parlamentar NISMA, Valdete Bajrami e cila tha se, Aleksandër Jabllanoviq e ka kryeministër Aleksandër Vuçiqin dhe jo Isa Mustafën, prandaj kryeministri Mustafa nuk ka fuqi që t’i shkarkojë ministrat e tij dhe se, ai është i paaftë për të qeverisur me Kosovën.
Pas saj, nga bina e improvizuar mbi kamionin e vendosur në sheshin Skënderbeu, foli shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e cila deklaroi që “AAK do të jetë bashkë me popullin për ta mbrojtur nderin e nënave të Kosovës dhe pasurinë e Kosovës, përkatësisht Trepçën. Ajo shtoi se, AAK nuk do të lejoj të humbet e ardhmja e Kosovës, të cilën komandanti Ramush Haradinaj dhe ushtarët e UÇK-së e fituan me gjak, andaj do të vazhdojnë të protestojnë në mbrojtje të dinjitetit të qytetarëve dhe të Trepçës.
Pas fjalimit të Kadaj-Bujupit, kur në binën e improvizuar mori fjalën shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe bëri thirrje që, Policia t’i heq barrikadat dhe kur atij iu bashku edhe Dardan Moliqaj, sekretari organizativ i Vetëvendosje, duke iu bërë thirrje protestuesve që të mos hedhin gjësende në drejtim të policisë por që me trupat e tyre, në mënyrë paqësore, ta shtyjnë policinë prapa, Policia reagoi duke hedhur gaz lotsjellës.
Fillimisht, Policia e Kosovës i shtyu protestuesit 10-20 metra nga barrikadat, duke u nisur në drejtim të protestuesve.
Pas pozicionimit të sërishëm të protestuesve dhe insistimit të tyre për të qëndruar në sheshin Skënderbeu dhe për të vazhduar protestën, policia intervenoi për ta shpërnda masën dhe me këtë rast pati shumë të lënduar.
Në mesin e të lënduarve është edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, shumë qytetarë të tjerë dhe sipas asaj që ka qenë dëshmitar ekipi i Anadolu Agency edhe dhjeta policë të Kosovës. Policia ka arrestuar edhe shumë protestues.
Ndërsa po raportojmë, në ora 14, protesta po vazhdon dhe në rrugët e Prishtinës po shihen skena të cilat i përngjajnë atyre të Rripit të Gazës.
Thyerje, rrahje dhe intervenim i policisë. Protesta ka dal nga kontrolli dhe është përhapur në gjithë qendrën dhe në rrugët anësore të qendrës së Prishtinës.
Dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe aktualisht, policia e Kosovës ka filluar të përdor edhe makinat e blinduara për shpërndarjen e turmës.
Comments
Post a Comment