Skip to main content

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (31-40)

Memoari nr.31                                                                            Si e shpëtova Hafëz Rufatin e Sarajit nga burgosja
Familja e hafëz Rufatit, den baba den e vendosur në Saraj, gjithmonë kishin qenë të njohur si patriotë. Hafëz Rufati respektohej prej të gjithëve, konsiderohej si shqiptari më i ndritshëm i Shkupit. Shqiptarët e Dërvenit, madje ishin në gjendje të bëjnë çfarëdo që t’ju thoshte ai. Nga ana tjetër, Hafëzi në fjalë, në raport me shtetin ishte tepër i kujdesshëm dhe asnjëherë nuk kishte provuar që të ngatërrohet. Në xhami më tepër rrefente hiqaje, rrëfime nga historia islame, por që i dedikoheshin muslimanëve të mirë, të devotshmëve (me porosi nacionaliste) kurse asnjëherë nuk rrëfente ndodhi kombëtare. Këtë e bënte sy më sy me muslimanët e besueshëm, prandaj edhe nuk hetohej se po ia turbullonte ujin pushtetit.
Nuk eliminohej aq lehtë hafëz Rufati i Sarajit. Kurse kjo nuk ma bënte hiç qejfin mua, më termbte, ai ishte kokëfortë, kryeneç, dinte shpesh të ngulë këmbë  si «magari n’lloç»! Hafëz Rufati kishte nevojë që dikush t’ia tregojë kufirin se deri ku mund të shkojë. Fjala e tij mund të prishte shumë punë por edhe mund ta rregullonte edhe punën më të parregulluar. Unë nuk do të doja as të kem nevojë për ndihmën e tij por as të më merrte nëpër gojë. Në të dy raste, do të më prishte punë.
Një ditë, në mbledhjen e KQ të Qytetit të Shkupit, dikush, nuk më kujtohet emri i tij, sepse pas atij fjalimi kurrë më nuk u pa në KQ, kishte vendosur që t’i ngatërrojë brirët me mua. U ngrit dhe nisi të më shënjestrojë duke thënë se, çfarë komunisti jam unë që nuk i përcjell ligjeratat e kolegëve të mi hoxhallarë. Dikush kishte ardhur dhe i kishte treguar se si një ditë, Hafëz Rufati kishte luajt mendsh, kishte shpërthyer dhe kishte kritikuar ashpër të gjithë ata “hoxhallarë” të kaurave që dikur e kishin bërë haram shkollimin e vajzave muslimane. Hafëz Rufati kishte thënë se, “populli shqiptar nuk mund të ketë përparim me gra, vajza e motra analfabetë. Femra shqiptare duhet të shkollohet gjithnjë e më shumë. Duhet të jenë si femrat bashkëkohore, le të thonë sa të duan pastaj se u ngjajnë kaurkave”! Fjala “kaurkë” e kishte ofenduar shumë delegatin e KQ-së. Dhë më kritikonte edhe mua se pse unë nuk e paskam ngritur këtë problem porse qenkam solidarizuar me te. Sipas tij, të gjithë hoxhallarët janë të një mendimi me hafëz Rufatin. Deri sa po fliste ky farë delegati, seç më shkrepi në kokë! Thashë më vete, ky është momenti për ta eliminuar hafëz Rufatin e Sarajit.
“Unë, hoxha, në një mendje me hafëz Rufatin! A je në vete se çka flet. Një komunist i mirë nuk guxon të flasë këshu. A e di ti që krejt Dërveni Hafëzin e konsiderojnë për të çmendur, se është «skroz budallë», se askush mall nuk e bën. Dhe ti tani dëshiron që ta ngrisësh në hero kombëtar shqiptar, a. Budallain do ta bëshë hero. A je në vete ti a jo! Ti komunist?! Ti drejtor i ndërmarjes me renome të Qytetit?! Krejt bota e di se hafëz Rufati është noksan e veç ti e paske zbuluar që qenka nacionalist”, i flisja duke e ngritur gjithnjë e më shumë zërin, i hidhëruar deri në qiell.  
Kështu, u zhvillun një propagandë e gjithanshme se hafëz Rufati i Sarajit është noksan nga trutë, ndërsa flitej edhe ajo se si unë e kisha shpëtuar nga një burgim i përjetshëm në Goli Otok. Hafëz Rufati u thye shumë keq në shpirt, i dëshpëruar nisi të jetë gjithnjë e më i tërhequr dhe më i vëmendshëm, ndërsa në raport me mua ngeli borxhli. Duke e eliminuar nga ndonjë konkurrencë eventuale e shndërrova në një propagandues të fortë në të mirë të karrierës sime.
Kot nuk kanë thënë: “Kush është i zoti, mos i shkoftë zi moti”!

Memoari nr. 32                                                                                                                                  Unë dija ta luftoja ncionalizmin shqiptar

Demonstratat e studentëve në Kosovë, në vitit 1981, i dhanë leje të plotë policisë jugosllave për të vepruar lirshëm mbi shqiptarët që shquheshin qoftë edhe me më të voglën shenjë të nacionalizmit dhe irredentizmit. Shqiptarët u shndërruan si në lepujt e egër të Zhedenit të cilët duhej mbytyr sapo të dalin në shënjestër. Me qindra orë ligjerata u zhvilluan në trajnimin e njerëzve specialë që do ta luftonin këtë murtajë e cila po i kanosej shoqërisë jugosllave dhe po i tundte vetë themelet e ish-Jugosllavisë. Shoku Tito kishte vdekur kurse gjithnjë e më fuqishëm këndohej kënga “Druzhe Tito mi ti se kunemo, da sa tvoga puna ne skrenemo”! Ne, pro jugosllavët, këtë këngë e kishim moto të jetës, e kishim lutje të ditës, e kishim parim dhe përcaktim jetësor. 
Në KQ të LKM-së u soll vendimi që në këtë aksion të gjërë të përfshiheshin edhe hoxhallarët, sepse ndikimi ynë ishte i madh. U ftuan disa hoxhallarë me ndikim në trajnim por, nuk kaloi asnjëri, madje të gjithë u bënë me nishan, u bënë të dyshimtë, sepse në ligjeratat e tyre ishin tepër të butë, tepër anemik, si ato melaqet që i hapin dyert e xhenetit dhe që i thonë xhenetlinjëve, hajde, urdhëroi, urdhëroni në xhenet! Para xhematit, sidomos para shqiptarëve në xhami, karshi egërsirës së tyre duhej të flitej me egërsinë edhe më të ashpër, karshi tyre duhej demonstruar tërë fuqia e pushtetit jugosllav, me zë të lartë e me gjeste duhej mbjellë frikë e jo butësi. Unë u përzgjodha si njeri më i ashpër, si njeri i përshtatshëm, sepse derisa në orë kursi mbaja prova si të luftohet nacionalizmi dhe seperatizmi shqiptar, më bëhej sikur nxirrja flakë nga goja, fjalët më dilnin si të zjarrta, sikur nuk nxirrja fjalë por gaca, prush. Kurse Kire Fuzofski bërtiste: “Taka “zharko”, taka, davaj zhar... zhar... zhar...”
Shoqata “Ilmije” që funksiononte në kuadër të BFI-së dhe e themeluar nga KQ i LKM-së, u caktua që të jetë bartëse e organizimit të mbajtjes së ligjeratave nëpër organet e BFI-së si dhe nëpër xhamitë e vendit. Nuk ishte aksion i letë. Intervenimet policoro-ushtarake jugosllave në Kosovë, pamjet trishtuese që erdhën nga atje, por edhe proceset gjyqësore që vazhdun pastaj kundë udhëheqësve të demonstratave të Prishtinë e gjetiu, kishin pezmatuar mbarë shqiptarët, prandaj edhe nuk ishte e lehtë të dilje para xhematit shqiptar e të flisje kundër asaj lëvizje që në fakt ishte projekt i imerializmit amerikan për ta shkatërruar Jugosllavinë. Prandaj, kërkova dhe ma mundësuan që të paisesha me armë dhe me leje, m’u dha liria e plotë që, nëse vetëm më shikon shtrembër ndonjë irredentist shqiptar ta vrisja në vend, si derrin e egër. Arma në brez më jepte siguri, më jepte forcë, ma shtonte flakën dhe prushin kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.
Çuditërisht, në të gjitha organet e BFI-së kam hasur në kolegë e hoxhallarë që ma përkrahnin programin, askush nuk e thoshte më të voglën fjalë. Bashkë futeshim nëpër xhami, ku xhemati i hapte sytë katër kurse unë shpërtheja vrullshëm kundër të gjithë atyre avanturierëve që po ëndërronin për prishjen e Jugosllavisë.  Nuk kishte bërë vaki më herët që nëpër xhami të dëgjoheshin duartrokitjet frenetike të xhematit. Në fund të ligjeratave, sikur ishte bërë traditë që tashmë të bërtisnin “Ju-go-sllavia, ju-go-sllavia... Sulo, Sulo...” Edhe pse nuk e kishin atë motivacion të thirrjeve “zharko... zharko”, me të cilat shpërthente Kiro Fuzofski kur më dëgjonte, megjithatë, edhe thirrjet “Sulo... Sulo”, seç më bënin krenar dhe të pathyeshëm në rrugën e Titos.  
Natyrisht, përveç revoles, me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete. Nuk kishte nevojë të raportohej se kah shkonin ato dinarë, me rëndësi të më shihnin dikush se po ndaj pare, sepse e dija që në mesin e xhemateve kishte plotë spiunë që po e përcillnin punën time dhe që raportonin madje edhe te Kiro Fuzofski. Parja ta zbardhë fytyrën. Kur nuk e ke paranë e ke urrejtjen e Zotit...

Memoari nr.33                                                                                                                                 Paraja është çelësi i paqes

“Paraja është çelësi i paqes”, kështu thotë një hadith i Pejgamberit s.a.v.s. të cilin e gjejmë të interpretuar nga Buhariu. Këtë hadith shpesh e kisha dëgjuar edhe nga ministrat e ndryshëm kuvajtianë. Deri sa studioja në Kuvajt, jo njëherë Iraku e ngacmonte, madje edhe kryente invazion ushtarak në shumë pjesë të Kuvajtit. Ne studentët vetëorganizoheshim duke protestuar kundër kësaj sjellje kafshërore të Irakut, gjegjësisht të Sadam Hyseinit. Çuditërisht, Sadami e njihte për din ose Titon ose dollarin. Këtë e dinin edhe vetë qeveritarët mbretëror të Kuvajtit. Vinin në Universitet e na thonin: “Mos u shqetësoni, e dijmë se çka dëshiron Sadami me këtë invazion ushtarak. Tani ia mbushim gushën me dollarë dhe për 24 minuta do ta japë urdhërin për tërhqje”! Kështu edhe ndodhte. Kuvajti e blinte paqen me dollarë amerikanë. Ja pra ku vërtetohej hadithi i Pejgamberit a.s. se “paraja është çelës i paqes”!
Sa herë që më duheshin para për t’i zbutur shqiptarët egërsirë, ia thosha këtë hadith Kiros. Ai ma kuptonte hallin dhe menjëherë vepronte, duke m’i mbushur xhepat. Shyqyr  Zotit, në aspekt të pareve, gjatë tërë jetës më ka ecur mirë, kurrë nuk më ka munguar me bollëk. I harxhoja shumë lehtë, sepse duhej të shtroheshin dreka e darka, duhej ta ofroja gjithësecilin, ta shoh e ta analizoj mendmin e secilit për nacionalizmin dhe irredentizmin e shqiptarëve. Një herë e pata pyetur Kirën, çka nëse të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë, mbi 3 milion sa ishin, çka nëse të gjithë bëhen irredentistë, t’i vrasim të gjithë!? Jo, më pat thënë Kira, edhe ne do të bëhemi irredentistë dhe do të përzihemi me ata, kështu që, nuk do të dihet më se kush është patriot e kush tradhëtar. Krejt Jugosllavia do të bëhemi irredentistë dhe, ne që i luftojmë ata pastaj do t’i drejtojmë kah irredentizmi i vërtetë dhe serioz! Kurrë nuk e pata kuptu motërqimin!
Një ditë, deri sa po nisesha për një ligjeratë diku nga Vallandova, Kiroja më thotë të kem kujdes se do të vëzhgohem nga një kundërzbulues i KOS-it. Ashtu ndodhi, ishte një nënkolonel nga ata trupat malazezë, i gjatë dhe i ashpër, nënkolonel Spasojeviqi. Para ligjeratës sime kundër irredentizmit shqiptar koloneli gati u shndërrua në kokërr meli, u mblodh e u zvogëlua, u zverdh e iu varën mustaqet si gjethet malore të pishës së vyshkur. Në fund, erdhi dhe më dha dorën duke më thënë: “Vetëm edhe një kështu si ti ta ketë Jugosllavia, nuk ka se çka i frikohet ardhmërisë së vet”! I thashë: “Në shërbim të popullit dhe atdheut”! Këmbënguli që të hanim një darkë! Nuk e refuzova dhe, bëra mirë, sepse, në fund, dola fitues unë. Pasi më pyeti se për çfarë kisha nevojë, sepse ishte në gjendje të më ndihmonte dhe, pasi ma solli muhabetin rreth ushkuri, i thashë, si në shaka: “Vallai, e kisha bërë kabull ndonjë nuse për babain tim, i ka vdekur gruaja dhe nuk po durohet! Plak por po e do”! Doli nga restoranti dhe pas nja 15 minutave erdhi me një femër të re. Më pëlqeu, nuk di a më ishin lodhë sytë nga tymi i cigares e nga vera, por, më pëlqeu, tek ajo pashë një nikoqire të mirë. Si përfundim, vendosa t’ia sjell babait. Kur e pa babai në oborr të shtëpisë, desh më vrau, më bërtiti: “hiqe këtë lanet nga oborri o pis, kjo qenka e re, kjo do burrë e jo plak si unë”! “Hë bre babë”, i thashë, “çka ke ti, nëse do burrë jam këtu, i dal në susret”, i thashë si në shaka dhe ia mbatha deri te dera e oborrit. Ika prej tij i cili vrapoi pas një thupre për të na ndjekur të dyve. E mora turken dhe m’u kujtua hoxha i Sllupcanit! Një ditë më parë isha takuar me te dhe, deri sa po ecnim nëpër një livadh, para na doli një tufë dhenësh të cilave u rrinte përpara ogiçi i hatashëm. Pa na vërejtur fare neve nisi t’u kërcej dhenëve. Mbaroi punë me njërën, pastaj i kërceu tjetrës e kështu me radhë. Në atë moment hoxha tha: “Uh, si nuk më bani Allahu dash e të kënaqesha duke iu këcy deleve!” Desh na ranë brinjtë duke u qeshur. Ja, thashë, vetëm ai do të mund ta bëjë zap këtë “faishe”! U nisa për në Sllupçan. Nuk di se si u durova pa e përla edhe unë atë «fatkeqe»! Kah ferku i mëngjesit arrita në Sllupçan dhe para xhamisë e prita hoxhën, i cili, sapo më pa e diti nga larg se i kisha kurdisur diçka të këndshme. Ik, më tha, të mos na shohë xhemati. Ai në shtëpi me nusen e re, unë për në shtëpi. Disa javë më vonë hoxha kishte hetuar se ajo nuk ishte turke por «xhipkë», e kishte dëbuar!

Memoari nr.34                                                                                                                                       Si mu bë paraja din e iman! Estejkfurullah!

Jo rastësisht thonë, mos e lë fëmijën për të hequr për asgjë, sepse kur të rritet, ajo që i ka munguar më së shumti do t’i bëhet ves! Vetëm në familjet e varfëra ka hajni e vjedhje të mëdha, sepse vjedhjet i kryejnë adoleshentet të cilët, sapo të rriten pak, ndjejnë nevojën për ta pasur paranë në xhep dhe nisin e operojnë nëpër shtëpi. Kështu kisha bërë edhe unë dikur.
Tashmë nuk mund ta kaloj një ditë pa e fituar paranë, në çdo mënyrë. Nëse nuk ma jepte Kiro Fuzofski (sepse shpesh dinte të bëhej me një vesh, kinse nuk po dëgjon) atëherë mend më dilnin për ta gjetur ndonjë mundësi për të ardhur deri te dinari. Përmes hoxhës se Sllupçanit  u njohtova me Hafëz Ilmiun e Hotlës dhe, nisa të merrem me duhanin hotlan. Ky duhan kërkohej shumë, por edhe shitësit e këtij duhani ndiqeshin më keq se kriminelët. Kishte njësi speciale në kuadër të policisë që merrej me ndjekjen e shitësve të duhanit dhe, po të zunë ata nuk bënte punë as Kiro Fuzofski dhe as Kiro Gligorovi (i cili më vonë do të bëhet Kryetar i Maqedonisë).
Kënaqesha kur e fitoja paranë duke rrezikuar. Seç më dukej vetja edhe fitimtar edhe triumfus. Kështu, fitimin e parave nisa ta nxjerr edhe nga shitja e druve. Kjo punë ishte mjaft e rrezikshme, me rrezikshmëri të dyfishtë. E para, deri sa e prenim dhe deri sa e nxirrnim në rrugë drurin dhe, e dyta pastaj nga «shumarët»! Me qindra metra drunj kam shitur. Natyrisht, shumicën e metrave të drunjve m’i bënin gati miqtë e mi, shokët të cilët mrekulloheshin me cilësitë e mia, në të gjitha aspektet e jetës. Trim po, i zgjuar po, i aftë po, i shkathët po, nanqimë po...
Kur jemi te drunjtë më duhet të nënvizoj diçka që më ndodhi këto ditë, pas zbardhjes së paketit të dytë të “bombave” të Zajevit. Më erdhi një mik i imi prej sigurimit shtetëror e më tha se, e paska dëgju një telefonatë timen me një nga ish muftijtë, të cilit i pata thënë që të ndikojë te “odbornikët” e një katundi dhe mos të na pengojnë që ta presim një mal të madh që ishte vakëf i ynë. E ky farë pisi, jo që nuk më dëgjoi por nisi edhe të më shesë moral: “si bre haxhi reis ta presim vakëfin. Po ti e di se si veprohet me sheriat në të tilla raste të vakëfit”, dëndëra-mëndëra. Pisi, ma shoi një bisnes të hatashëm. Kurse miku im inspektor më tha se nuk do ta zbardhin atë bisedë, sepse ai ish myftiu do të dilte mbrojtës i vakëfit e unë shkatërrues.
Dhe, një prej mënyrave të fitimit ishte edhe nga pajtimi i ngatërresave që i bëja. Aty ku nuk pajtoheshin me hadith e me Kuran, në ndihmë ua sillja ndonjë polic kaur dhe, sapo miratoheshin familjet, menjëherë ua merrja lekët, sepse e dija që, nëse nuk e djeg shqiptarin në xhep, të harron menjëherë ty dhe, më ty edhe ndihmën tënde. Kështu ndodhi edhe më dy familje në fshatin Grecan. Kryefamiljari i pasur dhe i fuqishëm kishte spiunuar komshiun e vet të varfër se kishte armë. Vinë policia, e rrahin dhe e pranon se e kishte një revole të gjyshit të vet. Ia marin revolen dhe sapo ikin, fakir fukarai i kërcënohet kryefamiljarit të pasur se do ta vrasë. Meqë ky ishte mik i strukturave policore, më luten që të shkoj e t’i pajtoj sepse ia kishin merakun bashkëpunëtorit të tyre. Shkova, u mundova me hadise, me ajete, me hiqaje por, ë-ë, kot, nuk ma morën hiç në dorë. Atëherë, e thirra në ndihmë Zoki policin, i cili, sapo i hyri në oborr fukarasë, gati i zhveshi pantallonat. E thirrëm edhe kryefamiljarin e pasun dhe i detyruam që të merreshin ngryk. Bashkarisht i shkuam pastaj zotniut për t’ia hëngër një drekë. Sapo u kot pak Zoki, i mbështetur në shilte, pas drekës, ju thash të dyve: “Ky kauri po bëhet kinse po fle sa t’ju them që, tani, menjëherë të dilni jasht e të sillni pare, t’m‘i fusni në xhep pa bërë zë, e unë duhet pastaj me ia dhënë atij. Mos të guxoni t’ia fusni atij në xhep se ju mbyt krejt! “  Kësisoj, diku pajtoja ngatërresa e diku shkaktoja ngatërresa, sepse duhej të kishte ngatërresa që unë të fitoja ndonjë dinar.

Memoari nr.35
Shkrimet e mia kundër irredentizmit shqiptar

Kurë nuk arrita ta kuptoj se prej nga buronte tek unë tërë ajo energji negative kundër shqiptarëve irredentistë e seperatistë. Po si nuk patën më të voglin insaf për Jugosllavinë. Të gjitha indikacionet e shërbimeve sekrete flisnin se ata i kishin hyrë punës për ta rrënuar Jugosllavinë, për të cilën baballarët tanë kishin derdhur aq djersë e gjak. Të gjithë që i kontaktoja, me të gjithë që e kaloja ditën dhe natën, ma mbushnin mendjen se me mijëra herë më shumë kishte shqiptarë që e donin Jugosllavinë në krahasim me irredentisët. Kjo ma shtonte urrejtjen deri në zhdukje të tyre. Kjo m’i arsyetonte të gjitha mjetet dhe metodat që i përdorja në luftë kundër këtij irredentizmi e seperatizmi. Nuk besoj të kenë fshehur nga unë ndonjë qëndrim, sepse, të gjithë ishim të sinqertë, të gjithë angazhoheshim për ruajtjen e shtetit të përbashkët të vëllazërim-bashkimit tonë. Se nga dolën pastaj të jenë të gjithë shqiptarët e mundshëm për Kosovën Republikë dhe për Shqipërinë e Madhe këtë kurrë nuk arrita ta kuptoj.
Menjëherë pas demonstratave të para në Kosovë, po ndjeheshin lëvizje edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët po ngacmoheshin sidomos nga studentët e kësaj ane që po studionin në Prishtinë. Dy persona u përzgjodhëm dhe na i ndanë detyrat të cilat duhej kryer me besnikëri, me devotshmëri dhe me përkushtim. Unë u angazhova që të ndikoja tek shtresa e teologëve por edhe ta kontrolloja këtë komunitet, ndërsa profesor Sefedin Sulejmani u angazhua të ndikonte dhe të ushtronte kontroll mbi stafin akademik dhe mbi studentët shqiptarë të kësaj ane. Profesori Sefedin e pati më të lehtë, sepse edhe ishte i gojës por edhe i kalemit. Dinte të shprehje por edhe të shkruante. Në vitet ’80 ai tashmë kishte mbi 50 vepra të shkruara, nga sfera e filozofisë dhe marksizmit, ndërsa unë isha tamam tokmak! Çuditërisht nisën të botohen deklarata të mia por edhe shkrime në emrin tim. Çfarë gëzimi i papërshkrueshëm kur gjeja ndonjë shkrim të botuar me emrin tim. E merrja gazetën, e fusja nën sqetull dhe i bija poshtë e lartë rrugëve të Bit Pazarit. Nisa të shikohem si një person mjaft atraktiv, vizionar dhe marksist i përkushtuar. Edhe hoxhë edhe marksist – kjo e bënte madhështor qëndrimin tim prej komunisti të përkushtuar. Më vitin 1983, në Takvimin e BFI-së që e përgatiste për botim Shoqata “Ilmije”, e cila historikisht më tepër ka qenë organ i Lidhjes Komuniste se sa i BFI-së, botova shkrimin tim mbi irredentizmin dhe seperatizmin shqiptar si dhe për përcaktimet imediate të të gjithë teologëve në rreshtimin e tyre për kalitjen e mëtejmë të vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vetëm ky shkrim u mbajt mend nga ana e shqiptarëve, kurse unë kisha botuar edhe dhjetra të tjerë që po botoheshin nëpër biltenet policore dhe ushtarake nëpër republikat e vendit dhe zonat ushtarake të Jugosllavisë. Botoheshin sepse isha mjaft atraktiv, merresha si shembull: një teolog mysliman si angazhohet në ruajtjen e vlerave të socializmit jugosllav. Më përkrahnin mua në këtë front, sepse në Kosovë hoxhallarët hala nuk ishin të verifikuar, kurse në Bosnjë, pas lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë”, hoxhallarët po shikoheshin si tradhëtarë e si të rrezikshëm. Ndër hoxhallarët më të respektuar boshnjak ishte Ahmet Smajloviqi, kryetari i tyre. Më kujtohet kur e ftuam në hapjen e Medresesë sonë, të “Isa Beut”! Ishte i gjatë, i bardhë, me mollza të faqeve pak në të kuqe, i veshur mirë, pedant, me një xhube flakë të bardhë. Seç e kishte një krenari të tepruar. Kjo nisi t’ia ngacmojë nervat Mulla Ilazit, myftiut të Kumanovës. “Uh, që ia kisha mrrotë njëherë”, tha Nulla Ilazi! I them, “mblidhe veten myfti. Gjynah e besa edhe haram zinaja, aq më tepër me meshkuj!” “Jo për lezet o Mulla Sulë, por për ibret, për hakaret”, ma ktheu ai duke u dridhur nga përpjekja për ta mbajtur të qeshurën që desh e plasi.
Po thuajse prej të gjithë niveleve të Lidhjes Komuniste e kisha të siguruar përkrahjen për zgjedhjen time eventuale në krye të BFI-së. Kishte mbetur që vetëm të punoj sa më shumë në terren, me hoxhallarët e me “odbornikët”  e xhamive. E kisha vendosur që, ose do të ma garantonin përkrahjen ose të gjithë do të përfundonin nëpër burgje. Po vinte koha e pushtetit tim!

Memoari nr.36                                                                                                                                 Edhe unë si Kira! Tashmë me aletet e mia

Kiro Fozufski, inspektori më i përgatitur në radhët e UDB-së për përndjekjen e seperatIstëve dhe irredentistëve shqiptarë, tashmë kishte krijuar një besim të fuqishëm në mua. Po ndjehej i habitur por edhe pak i lodhur nga gatishmëria i aq shumë shqiptarëve për të raportuar vullnetarisht tek ai. Një herë ma shprehu dyshimin, duke menduar se, mos irredentistët shqiptarë po dilnin më të aftë se UDB-a dhe se qëllimisht po u dërgonin sa më shumë shqiptarë të raportojnë, me qëllim që t’ua tollovisin trutë ! Prandaj, më luti që t’ia eliminoja nja dy si më të besdishëm, dy shqiptarë që natë e ditë ishin në gjendje t’ia mbajnë bolet në duar. Njëri ishte nga Kondova, me nofkën «Teglla», për shkak të xhamit të syzave të tij që dukeshin si fundi i kaVanozit (Zejnullah Fazliu), e tjetri ishte nga Morana, me nofkën «Mandolina», sepse kur e raportonte ndonjë informatë e nxirte si tingujt e telave të çakorduara të mandolinës (Azem Morana)!
«Teglla» do të dëshmoheshte si më i zellshëm dhe më bashkëpunëtorë, nuk do të ndjehet i ofenduar që të më raportojë mua çdo ditë e unë një herë në javë te Kiro Fuzofski, kurse «Mandolina» do të jetë më kryeneç, më i poshtër, ai kurrë nuk do të pranojë të bashkëpunojë me mua, por, drejt e me shkijet e Draçevës e të Autokomandës. Pisi kishte nisur të më konsideronte si rival të tij, më shihte si konkurrent, e jo si epror të vetin. Prandaj edhe kurrë nuk arrita t’ia jap ndonjë deyrë por as të marr ndonjë informacion prej tij. Kjo më pat shtyrë që të betohem në vete që tan jetës të merrem me të, ta poshtroj ku të mundem e t’ia nxi fytyrën në çdo mexhlis ku do ta takoj.
Në Kondovë jetote njëfarë Haxhi Enveri, i ardhur nga rrethi i Gjilanit, i burgosu politik dhe, irredentist i papërmirësueshëm. Pa dyshim, nga rrahja e tepërt që e kishte hëngër nëpër stacionet policore, kishte luajtur pak mendësh, nuk ishte sagllam. Prandaj e kishim më lehtë për ta mjelur, si lopën e lidhur për kërpeshi. “Teglla” e kishte detyrë për ta përcjellë natë e ditë. Dikur, për shkak të afrimit me këtë hoxhe katundi por edhe me hoxhallarë të ndryshëm, kur iu bënë fëmijët për shkollë, nisi të propagojë nevojën e futjes së mësim besimit fetar islam nëpër shkollat normale. Kjo i pengonte shumë “Tegllës”, sepse kishte frikë se, nëse politika zyrtare do të pajtohej me një angazhim të tillë idiotik, atëherë do të mëshileshin të gjitha mektebet e hoxhallarët do të ngelnin pa një burim finansiar prej nga u pikte ndonjë dinar. Çdo ditë raportonte vetëm për Haxhi Enverin, kurse një herë madje edhe e shprehu hidhërimin e vet te Kiro Fuzofsi se pse nuk merreshin kurrfarë mase kundër këtij farë haxhie. “Sinko”, iu pat drejtuar Kiro “Tegllës”! Nuk ka asgjë të keqe nëse mësimbesimi fetar futet nëpër shkollat shtetërore. Ku është kjo e mirë! A e di ti se sa vende pune do të hapeshin për hoxhallarë e për popa!”, ia pat pritur Kiro. Teglla, sapo dolëm jasht, më pat thënë: «U bo Kira me ua mbajt gajlen hoxhallarëve, e ne po luajmë majtap me ta.»  Hajde se për majtap janë hoxhallarët, pse a mos paske dashtë me i çu në parlament, a», ia pata kthyer unë me shumë pezëm.

Memoari nr.37                                                                                                                                        Si ua mora zemrën katundarëve të Moranës

Morana, për shkak të emrit, të cilin për mbiemër e mbante një nga nacionalistët më të shquar shqiptar në Maqedoni, Azem Morana, ishte gjithmonë në shënjestër të pushtetit komunist. Po ky pushtet vite shumë më përparë ishte përkujdesur që nga ky fshat të dalë një tjetër Azem Morana e që do të ishte bashkëpunëtorë i ngushtë i UDB-së pra, spiun. Përmes këtij spiuni do të devalvohej patrioti ndërsa moranasit do të ulnin kokën përgjithmonë.
Megjithatë, seç e kishin një krenari këta katundarë, një krenari dhe një trimëri që më pengote edhe mua. Nuk duroja të më shesin trimëri mua që tashmë po njihesha anembanë Maqedonisë si Sulë trimi, si “Sulo junakot”!
Një ditë, në mbledhje të KQ të Qytetit të Shkupit, u ngrit në këmbë një delegat, më duket se ishte nga Draçeva dhe, nuk la gjë pa folur kundër banorëve të Moranës. “Këta katundarë, edhe lopët i stërvisin të jenë nacionaliste dhe, si të tilla shkojnë e ju bëjnë presion katundarëve më lojalë të socializmit, banorëve të Studeniçanit, ju futen nëpër ara dhe, këtyre banorëve socialistë nuk ju mbetet gjë tjetër përveçse të shpërgulen”, tha ky farë delegati! Menjëherë e kuptova se këtë shpifje e kishte nga Azem Morana i pafytyrë.
Nuk u durova pa u hedhur përpjetë, jo për t’i mbrojtur banorët e Moranës sa për ta mbrojtur dinjitetin e socialistit të mirëfilltë. Si more, ju thashë, aq qenka socializmi i kotë sa edhe lopët po lejuaka të kalojnë në nacionalizëm. Çka është ky ofendim kaq i madh. Lopa është lopë dhe ajo as që di se cilat ara janë të Moranës dhe cilat të Studeniçanit. I luta të mos tallen kështu dhe të kenë kujdes se si e përceptojnë komunizmin. Ja, unë do të dal në atë terren dhe do t’i detroj vetë katundarët të më tregojnë se cila lopë shtiret si nacionaliste, do ta therrim në vend!
Nëntë vite rresht për Ramazan shërbeva në Moranë. Të gjithë e dinin se çfarë hoxhe isha. Për më të madhin kijamet nuk lejoa të më ndërrojnë nga ky katund. Jo për gjë por, thjesht, për drekat dhe darkat që i përgatisnin aq mirë dhe me aq bollëk. Nëse nuk ndërhyja unë, frikohesha se do të ndërhyjë koperativa dhe do t’i tufëzojë të gjith kafshët dhe do të më duhej të hiqja dorë nga ky katund. Kësisoj, shumë shpejt u përhap lfuta ime që kisha zhvillar në KQ të qytetit për bagëtinë e këtij katundi dhe, tashmë më prisnin si shpëtimtar i tyre. Kisha arritur një ujdi me ta. Ju kisha thënë se këtu në katund ka spiunë që flasin për këta bagëti si për nacionlaista të mëdha, prandaj, do të ishte mirë që në çdo muaj të therrej nga një kafshë e madhe apo në çdo javë nga një kafshë e imët, edhe atë në shenjë të kapjes së tyre duke pretenduar të merren me nacionalizëm. Kësisoj, edhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë do të binden se moranasit janë vigjilentë por edhe unë do të dhihesha duke hëngër mish. Gratë moranëse, edhe pse naive e katundare të thjeshta megjithatë, drekat dhe darkat dijnë t’i përgatisin si asnjë grua tjetër në botë.
Tashmë, në Moranë shumë lehtë plaste sheri. Sa herë që shkoja duhej të lëshonim një dhi nga sheshi i katundit dhe në clin oborr do të futej dhija, aty shkoja për drekë apo për darkë. Natyrisht, therrje e madhe bëhej në atë katund. Shpesh nga një këmbë lope ia çoja edhe Kiro Fuzofskit sa herë që kisha nevojë t’ia tërhiqte dyzginat pisit, Azem Moranës, i cili kurrë nuk arriti të më duronte. Moranën nisa ta lavdëroj shumë. Morana po lavdërohej edhe prej të gjithë komunistave të Maqedonisë, more edhe të Jugosllavisë. Eu, kur t’i zuri pastaj inati studeniçanasit! Banorët e Studeniçanit nuk duronin që të ngelnin mbrapa moranasëve me sajgi. Kështu, m’u shtua edhe një sofër tjetër. Studeniçani e Morana punonin vetëm për mua. E pra, kishin për kë të punonin, për Sulë komunistin që më kishin të gatshëm për çdo nevojë të tyre. Kështu, për pak vite, deri nga viti 1980, Studeniçani e mbante rekordin në shumë sfera: rekord për analfabetizëm, rekord për asnjë femër me shkollë të mesme, rekord për fetarë fanatikë por edhe rekordin e të qenurit komunista të devotshëm. Kjo si duket i bëri që të nxjerrin spiunë edhe më të rreptë se Azemi i Moranës. Megjithatë, të gjithë silleshin rreth meje. Kështu i kishte urdhëruar i madhi Kire Fuzofski!
  
Memoari nr.38                                                                                                                             Familja Guta duhej të bëhej terbije

Në Hasanbeg të Shkupit jetonte familja e një prej hoxhallarëve më të nderuar dhe më të mëdhenj që ka pasur ky qytet. Mulla Veseli (Vesel Xheladin Guta) ishte patriot, ishte hoxhë i madh, ishte i devotshëm, me ndikim shumë të madh në xhemat. Ishte mendimtar e poet. Si i tillë, gjithmonë kishte qenë nën vezhgimin e udbashëve. Mulla Veseli njihet sidomos për momentin e heqjes dorë nga të shërbyerit si imam dhe nga dhënia e fetfave. Ditën kur i vdiq gruaja, sapo u kthyen nga varrezat e katundit, familjarëve të tij por edhe të gjithë të pranishmëve të tjerë ju tha: “T’i shërbej xhmatit në këtë pozitë ku jam sot, është një hap drejt mëkatit, sepse, si njeri nuk jam i privuar nga gabimet, prandaj, çfarëdo gabimi eventual që do ta bëj, të gjithë do të thonë, ja, ky mendtë i ka te ndonjë grua tjetër! Do të ankohen, do të ma thonë në fytyrë, do të nervozohem nga ato paragjykime dhe, ja mëkati! Përpiquni të gjeni ndonjë imam tjetër, unë tash e tutje do të jem vetëm xhemat i thjeshtë!” Kështu kishte pas vendosur Mulla Veseli!
Ky vendim i tij e kishte larguar edhe nga aktivitetet të cilat do të mund ta kualifikonin si nacionalist apo neo-ballist. Pas tij do të vie djali i vet, Hafëz Abdullahu, teolog i mirënjohur i qytetit, edhe pse shumë naiv. Ai fenë e kishte kuptuar kallëp dhe, lotët i kishte në maje të syve. Gjatë vazeve ai më shumë qate se sa fliste! Ky e shkolloi të birin në Medresenë tonë. Sadudin Xheladuinin, medresat nacionalist, ishte karakteri i Mulla Veselit, këmbëngulës dhe kokëfortë. Një ditë do të thotë diçka që do t’i kushtojë me një vit qëndrimi jasht bangave të Medresesë. “Trepça radi, Beograd se gradi”, kishte bërtitur në klasë. Kjo budallaki e tij kishte shkuar në polici dhe, menjëherë u përjashtua nga Medreseja. Në momentin kur deshtën ta burgosin Hafëz Abdullahun, ndërsa të birin, Sadudinin, ta fusin nëpër entet ndëshkimore për adoleshentë, ndërhyra unë, me planin tim. Ju thashë që mos të bënin patriotë prej kaundarëve të thjeshtë por, le të mendojnë se si mund t’i kompremetojmë fillimisht e pastaj t’i fusim në shërbim duke i neutralizuar përjetë si familje nacionaliste. Propozimi im ishte që ta rikthejmë Sadudinin sërish në klasën e dytë të Medresesë kurse Hafëz Abdullahun ta mbajmë nën kontroll duke i thënë se këtë na e kishte borxh për djalin e tij që e shpëtuam nga burgu dhjetëvjeçar! Hafëzi do ta pranojë këtë masë disiplinore, ndërsa tërë Hasanbegu do të mbushet me dyshim se, si u bë që Sadudini të shpëtojë nga burgu dhe të rikthehet në shkollë. Natyrisht, ne, “operativcat” gjithandej do të flasim se kjo familje tashmë ka rrëshqitur, ka pranuar ta shpëtojë të birin duke u vënë në shërbim të UDB-së. Për këtë propozim timin fitova edhe më shumë simpati nga Kiro Fuzofski, kurse familja e Mulla Veselit, që e dinte se për respektin ndaj tyre e ktheva Sadudinin në shkollë, duke rrezikuar që unë të etiketohem me akuzën seperatist, në fakt, i bëra të më ngelin borxhli për tërë jetën. Në lumin plot peshqë nuk hidhet grrepi por rrjeti!

Memoari nr.39                                                                                                                                      Të jeshë nga Dardha është më mirë se të jeshë nga Medina

Nuk po arija më të përkujdesesha për flokët e mia të gjata. Të qenurit si pjesëtarë i Bitëllsave po më tradhëtnte, sepse, nuk po arrija ta praktikoj higjienën mbi flokët. Po haja shumë mish, pastaj po më fryhej aq shumë barku sa nuk po guxoja të lëvizja nga vendi, sepse, allah-allah, mund të më shpëtonte noj pordhë e të turpërohesha. Aq shumë fryhesha sa gjithçka ishte e mundur po të përpiqesha vetëm pak që të ngritesha në ato moment. Kështu, duart krejt yndyrë, kisha shumë qejf t’i fërkoj flokët duke i ngritur përpjetë. Duke marrur shkëlqimin e yndyrës së duarve flokët nuk më tregonin të palarë por, thjrsht, të përkujdesura ndaj flokëve me levantë e vajëra të ndryshëm. Kësisoj, dal nga dal nisa tí prish flokët, sepse sa më të palarë, aq më shumë më binin. Desht u shndërrova në qel. Duke qenë “Sulo Junakot”, “Sulë komunisti”, kishte rrezik të nisnin e të më quanin “Qelavi Sulo”, të ndikuar nga filmi “Qelavi Xho”! Pat provuar kështu të më thërrasë një herë Mulla Zekrija Bajrami e unë desh ia çava gojën me grykën e revolës. I shkoi shurra pikë-pikë!
Pra, vendosa t’i shkurtoj flokët. Deri sa po prisja rend në berber, te ai dyqani që ishte përreth Jahja Pashës, e që në fakt ishte i agës Skender, filimisht nënkryetar i Ballit Kombëtar për Maqedoni e pastaj udbash i regjun, po më pyste një plak kosovar se nga isha. I nuk po më njihte, të tjerët veç u qeshën. I tregova se isha hoxhë dhe se isha me prejardhje nga Dadha e Shqipërisë. Plakut gati iu mbushun sytë me lotë. Nuk foli asgjë vetëm më shikoi me dashuri. Pastaj, si t’ia kishe prekur një sustë, sikur u tremb nga unë dhe sakaq i zhduki të gjitha lotët. Sa për ta zhvilluar muhabetin e për ta shtyrë kohën pritjes, nisa t’i tregoj:
«O axhok, ne të Dardhës jemi me famë. Të jeshë nga Dardha është më mirë se të jshë nga Medina! Për ne është thënë se kemi aftësinë dhe shkathtësinë e hatashme të hajnave. Nuk e ka asnjë hajn këtë aftësi si të tonën. Thonë që, të gjithë vjedhin dhenë, por, të vetmin ne të Dardhës jemi që dhentë i vjedhim me gjithë bariun. Hahahaha! Ku po du me dalë axhok ! Ti je plak dhe ke kohë sa të duash për me pritë, por, edhe sikur të mos keshë kohë, dije se unë tani po ta vjedh radhën dhe do të ulem para teje me u qethë, kurse ti do të ma respektoshë këtë shkathtësi. Edhe një gjë, me hajna kurrë mos u kap, sidomos me hajna nga Dardha, se vallai të del punë.» Plasi gazi, plaku veç uli kokën dhe tha: «Ani vallah! Veç allahile kallxomë, kjo dadha kah e ka bishtin?» më pyeti plaku kurse unë kurrë nuk arita të kuptoj se çka deshti të thotë me aë pyetje. Kah e ka dardha bishtin?! Dardha kurrë nuk kemi vjedhë ne të Dardhës, por ama dhentë po, biles me gjithë çobanët. Hajde dhentë i vidhnim për me i hëngër, po çobanët çka na duheshin. Hahahah....

Memoari nr.40                                                                                                                                  Ajeti kuranor maksimë komuniste

Unë asnjë herë nuk kam pasur ndonjë njohuri të madhe mbi komunizmin si sistem. Për këtë duhej të lexohej Marksi, Engelsi dhe, sidomos Lenini. Jo njëherë jam përpjekur që ta lexoj Marksin por, çuditërisht, kurrë nuk e kam kuptur, në asnjë faqe të librave të tij. Njohuritë e mia mbi këtë sistem më tepër ishin të natyrshme. I kisha të lindura brenda meje. Jam i bindur se e kisha trashëguar një gjen komunist, por, nga kush nuk e di! Sepse si shpjegohet ndryshe gjithë ai afinitet i imi për t’u marrur me veprime komuniste dhe madje për të qenë aq shumë i suksesshëm. Ndoshta kështu m’u kishte rrasur mendja mua, ndoshta “faji” për këtë ishte krejt te Kiro Fuzofski, mësuesi im më i dashur përgjatë tërë karrierës sime. Asnjëherë nuk shkoja në vizitë të ndonjë xhemati paraprakisht pa u përgatitur nga Kiroja. Më mësonte mirë se çka të flas, si të flas dhe ku të godas. E unë flisja vetëm për Titon dhe për sistemin komunist, flisja rrjedhshëm e guximshëm, qetë dhe me maturi, herë-herë duke e dridhur buzën përvajshëm e duke u përlotur dhe, më së shumti godisja në vëllazërim-bashkimin tonë. Kur vija te kjo pikë, dilja nga vetja, nuk përmbahesha, në mënyrë fanstastike i bindja të gjithë xhematet se, pikërisht ky postulat, ishte baza e komunizmit dhe pikëtakimi më i fortë dhe i pamohueshëm i komunizmit me islamin. Komunizmi thotë, barazi për të gjithë, vetëqeverisje për të gjithë, dashuri për të gjithë, vëllazërim me të gjithë dhe bashkim apo bashkëjetesë me të gjithë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike e fetare.
Ajeti 13 i sures El Huxhurat thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin”! Me këtë ajet i nisja të gjitha takimet në terren me xhemain tonë. A nuk ju duket ky ajet që është në përputhje të plotë me maksimën komuniste për bashkim dhe vëllazërim. Kush mund të vëllazërohet përveç të gjithë atyre që janë dë bindur se janë të krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe, kush mund të vëllazërohet përveç atyreve që janë të krijuar prej një nëne dhe një babe? Dmth, diskriminimet racore, etnike e fetare nuk pranohen me islam, por nuk i pranon as komunizmi. Ja pra një bazë e fuqishme islamo-komniste për ta përforëcuar sistemin komunist. Pikërisht në këtë maksimë i ka rrënjët ateizmi komunist, sepse komunistët nuk dëshironin të lënë përshtypjen se po zhvillohen duke u mbështetur në parimet islame. Përveç kësaj, nuk dëshironin që muslimanët e devotshëm të mendonin se, mjafton të jeshë mysliman, me këtë apriori e merr edhe epitetin komunist. Jo, jo, të bëhesh komunist duhet ta bëshë bythën krejt ushla duke e mësuar natë e ditë vlerën e këtij sistemi aq të përafërt me fenë islame. Nuk ke se çka e mëson islamin, islami lind me ty. Duhet të mësohet komunizmi që mos të të dobësohet islami, apo, imani! Kjo filozofi më ka bërë që gjithmonë të njihem si teolog i rreptë komunist. Elhamdulilah!


Vazhdon….

Comments

Popular posts from this blog

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (PJESA I)

Dromca memoaresh KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË Miq të dashur! Vëllezër e motra! Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për tí lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike. Së shpejti do të keni rastin t’i lexoni memoaret nga dorëshkrimi im, me titull KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË   HYRJA Bismilahi rrahmane rrahim! Ky do të jetë titulli i përmbledhjeve të memoareve të mia në këtë faqe elektronike dhe më vonë edhe në librin tim të radhës. Një nga format më të rënda të shkrimit pa dyshim që janë edh...

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (11-20)

Memoari nr.11 NË BASRA, UNË SULA SI SHEIKËT KUVAJTIANË Tashmë kisha nisur bukur mirë të komunikoj në gjuhën arabe. Po i ndiqja ligjeratat e Sheriatit. Më duheshin studimet e këtij fakulteti. Duke i udhëhequr drejt e mirë muslimanët e mi ata do të më besonin mua, pavarësisht se çka do të bëja unë e me se do të merrsha përveçse me hoxhallëk. Këtu profesorët na thoshin, nëse studioni vetëm sa për të qenë hoxhallarë profesionistë ju ka hëngër dreqi, sepse nuk jetohet vetëm me hoxhallëk. Pare kisha plot. Kredi të mirë studentore. Për studentët e Jugosllavisë isha tamam sheik. Prandaj edhe shtyhesha me sheikët e vendit, apo, më mirë me thënë, kisha shumë qejf t’i imitoj ata dhe jetën e tyre. Relacionin më të shpeshtë e kishin deri në Basra të Irakut. Vlonin si bubrreca, në këtë relacion. Më vonë e kuptova se në Basra jetohej një jetë nën mesatare. Sadam Hyseini nuk i kishte lënë kurrë që qytetarët e Basrës të me rrnin frymë shlirshëm. Pse? Sepse, pikërisht për faktin se shumica ...

Debat për listat e deputetëve në emisonin ”Rruga drejt…” : Azem Sadiki-PDSH, Izet Mexhiti-BDI, dhe profesori Zemri Elezi (VIDEO)

Debat për listat e deputetëve në emisonin ”Rruga drejt…” : Azem Sadiki-PDSH, Izet Mexhiti-BDI, dhe profesori Zemri Elezi (VIDEO) ./Ditari.mk/