Skip to main content

EKSKLUZIVE/ Shkupi në vitin 1919 kishte 81.31% popullsi shqiptare

Mr. sc. Fitim RIFATI/
Shkupi dhe rrethina e tij i takojnë territorit të Dardanisë antike përkatësisht trungut iliro-shqiptar të Kosovës historike. Në dy dekadat e fundit të shekullit XIX deri në vitin 1912, Shkupi ushtroi funksionin-statusin e kryeqytetit administrativ përbrenda një territori prej 32.000 km² të Vilajetit të Kosovës. Pas pushtimit dhe aneksimit serb të Kosovës më 1912, Shkupi mori statusin e qarkut, të cilin e vazhdoi edhe gjatë pushtimit dhe administrimit bullgar (1915-1918). Pozita gjeostrategjike, ka ndikuar që ky qytet të tërheq vëmendjen e pushtuesve të ndryshëm, si qendër e rëndësishme administrative dhe udhëkryq i lidhjeve ekonomike, shoqërore dhe kulturore ndërmjet popujve të Evropës dhe më gjerë. Udhëpërshkrues, diplomatë e studiues të huaj, në vlerësimet e tyre kanë dhënë prova të rëndësishme historike, arkeologjike, demografike dhe kulturore të shqiptarësisë së Shkupit.
Paralelisht me ndryshimet administrative, demografia e Kosovës ka zgjuar interes të madh në qarqe të ndryshme gjatë shek. XIX dhe dy dekadat e para të shek. XX. Pos organeve administrative osmane, që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, edhe organet administrative serbe, malazeze, bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918. Në të gjitha këto statistika, popullsia shqiptare përbën shumicën e popullsisë së Kosovës, madje edhe shumicën e popullsisë së Shkupit dhe viseve përreth. Në këtë kontekst, në studimet demografike dhe historike, zgjojnë interes edhe statistika të popullsisë së Kosovës, rrjedhimisht edhe të kryeqendrës historike të saj, Shkupit, të hartuara nga qarqe e organizata intelektuale dhe politike shqiptare. Në mesin e tyre zë vend të rëndësishëm edhe një statistikë e popullsisë së Kosovës e hartuar me objektivitet nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Ky Komitet, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër, ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën e vepruan intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Që në momentin kur përfundoi Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris, për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj.
Gjatë kësaj kohe, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte argumente të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës, mizoritë serbo-malazeze e bullgare, që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike. Ky Komitet hartoi dhe i dërgoi kësaj Konference statistika serioze e të paanshme të popullsisë së Kosovës, në të cilat paraqiteshin të dhëna për numrin e përgjithshëm të saj nëpër qytete dhe fshatra, përkatësinë etnike etj. Në këto statistika, që përputheshin me regjistrimet e mëparshme, vërehej zvogëlimi i popullsisë së përgjithshme në Kosovë, veçanërisht asaj shqiptare, si pasojë e vrasjeve e emigrimit gjatë Luftërave Ballkanike e Luftës së Parë Botërore dhe spikat një rritje e ndjeshme e elementit serb për shkak të pushtimit dhe kolonizimit serb të Kosovës.
Në këto pasqyra statistikore të popullsisë, që iu dërguan Konferencës së Paqes në Paris më 1919, në kudër të 18 qendrave territoriale e administrative, përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Shkupit dhe rrethinës dhe përkatësia etnike e saj. Sipas tyre Shkupi me rrethinë në këtë kohë numëronte një popullsi prej 184.825 banorë, nga e cila 150.290 frymë ose 81.31% ishin shqiptarë, 28.244 frymë ose 15.28% ishin bullgarë, 3.363 frymë ose 1.81% ishin turq, 1.400 frymë ose 0.75% ishin boshnjakë, 650 frymë ose ishin 0.35% grekë, 567 frymë ose 0.30% ishin çifutë, 255 frymë ose 0.13% ishin serbë dhe 56 frymë ose 0.03% e popullsisë ishin vlleh. Pra, në studimet dhe vlerësimet demografike-statistikore të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në këtë kryeqendër të Kosovës dhe viset përreth saj jetonte një popullsi shumetnike, e cila për nga numri i përgjithshëm i saj dominohej nga shqiptarët. Duhet theksuar se statistikat në fjalë të hartuara nga ky Komitet u përdorën për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris, që Fuqitë Aleate të gjykonin objektivisht ndaj çështjes së shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe të vendosnin e njihnin bashkimin e kësaj treve (përfshi edhe kryeqendrën e saj, Shkupin) me Shqipërinë.
Instituti i Historisë – Prishtinë

Comments

Popular posts from this blog

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (PJESA I)

Dromca memoaresh KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË Miq të dashur! Vëllezër e motra! Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për tí lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike. Së shpejti do të keni rastin t’i lexoni memoaret nga dorëshkrimi im, me titull KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË   HYRJA Bismilahi rrahmane rrahim! Ky do të jetë titulli i përmbledhjeve të memoareve të mia në këtë faqe elektronike dhe më vonë edhe në librin tim të radhës. Një nga format më të rënda të shkrimit pa dyshim që janë edh...

Debat për listat e deputetëve në emisonin ”Rruga drejt…” : Azem Sadiki-PDSH, Izet Mexhiti-BDI, dhe profesori Zemri Elezi (VIDEO)

Debat për listat e deputetëve në emisonin ”Rruga drejt…” : Azem Sadiki-PDSH, Izet Mexhiti-BDI, dhe profesori Zemri Elezi (VIDEO) ./Ditari.mk/ 

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (11-20)

Memoari nr.11 NË BASRA, UNË SULA SI SHEIKËT KUVAJTIANË Tashmë kisha nisur bukur mirë të komunikoj në gjuhën arabe. Po i ndiqja ligjeratat e Sheriatit. Më duheshin studimet e këtij fakulteti. Duke i udhëhequr drejt e mirë muslimanët e mi ata do të më besonin mua, pavarësisht se çka do të bëja unë e me se do të merrsha përveçse me hoxhallëk. Këtu profesorët na thoshin, nëse studioni vetëm sa për të qenë hoxhallarë profesionistë ju ka hëngër dreqi, sepse nuk jetohet vetëm me hoxhallëk. Pare kisha plot. Kredi të mirë studentore. Për studentët e Jugosllavisë isha tamam sheik. Prandaj edhe shtyhesha me sheikët e vendit, apo, më mirë me thënë, kisha shumë qejf t’i imitoj ata dhe jetën e tyre. Relacionin më të shpeshtë e kishin deri në Basra të Irakut. Vlonin si bubrreca, në këtë relacion. Më vonë e kuptova se në Basra jetohej një jetë nën mesatare. Sadam Hyseini nuk i kishte lënë kurrë që qytetarët e Basrës të me rrnin frymë shlirshëm. Pse? Sepse, pikërisht për faktin se shumica ...