Translate

Tuesday, July 11, 2017

SULEJMAN REXHEPI “REIS” POLITIK I PUSHTETI MAQEDONAS

Derisa do të jetë në fuqi marrëveshja interne në mes të Mulla Sulës dhe strukturave të caktuara nacionale maqedonase, myslimanët e Maqedonisë kurrë nuk do të kenë Reisin fetar të tyre. Ata do të udhëhiqen nga reisi politik i pushtetit maqedonas
Shkruan Halil Deralla

Një fushatë mediale tepër profesionale e zhvilluar derimë tani në media të ndryshme të vendit dhe ndërkombëtarë kundër Sulejman Rexhepit, alias Mulla Sulës, kanë nxjerrur në shesh një dilemë shumë interesante: a është Mulla Sula reis i myslimanëve të Maqedonisë, apo është reis politik i pushtetit maqedonas?
Janë tri fakte që e bëjnë të pamohueshëm konstatimin se Sulejman Rexhepi është reis politik i pushteti maqedonas!
Një: E kaluara e Sulejman Rexhepit tashmë flet se ai ka qenë i involvuar edhe në shërbimet sekrete të policisë serbo-maqedonase si dhe bashkëpunëtorë i tyre nën nofkën “Zharko”! Natyrisht, ky fakt u zbardh nën rrogoz nga ish-anëtarët shqiptarë të Komisionit për Lustrim, kurse kërkesave shqiptare që të lustrohen edhe teologët, pushteti maqedonas do t’i përgjigjet me ligj duke pamundësuar këtë lustrim me të vetmin qëllim për ta shpëtuar Mulla Sulën, duke harruar se ai megjithatë ka qenë dekan i FSHI-së! Pushteti maqedonas antishqiptar dhe antimysliman me kohë e kishte përgatitur dhe e kishte ushtruar Mulla Sulën të cilin pas punësimit të tij në policinë maqedonase, në sektorin e pasaportave për të huaj, dhe pas luftës së sukshesshme që e zhvilloi kundër “nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar”, e katapultojnë më vitin 1991 në krye të BFI-së.
Dy: Janë deponuar disa padi, tashmë është edhe në proces lënda gjyqësore kundër Sulejman Rexhepit, i cili akuzohet si hajn, zhvatës, korruptues, i vetmi hoxhë me orë ROLEX që i erdhi i paketuar nga Ohri (!), fallcifikues i dokumenteve, procesverbaleve, i nënshkrimit, manipulues, uzurpatorë i postit të reisit, shkatërrues i vakëfit etj. etj. Njeri që nuk i përgjigjet thirrjeve të drejtësisë, kurse ish-udhëheqësit e shtetit të gjithë, si varg specash, detyrohen të shkojnë para gjykatësve, injorues i organeve të drejtësisë dhe, prap se prapë, pa therrë në këmbë!
Tre: Me marrëveshje politike të arritur në mes të VMRO-së dhe BDI-së, i është garantuar rehatllëku në kolltukun e BFI-së tashmë të uzurpuar dhe të grabitur nga Mulla Sula. I lënur në këtë rehati duke i garantuar paprekshmëri nga organet e drejtësisë si dhe duke ia garantuar forcën e politikës së pushtetit mbi organet e drejtësisë që do të mbajnë krahun e Mulla Sulës në luftën me oponentët e tij.
Po pse kaq i përgëdhelur Sulejman Rexhepi nga ana e pushtetit maqedonas? Cili është këtu roli i pushtetit fiktiv nga ajo pak forcë e partive shqiptare? Si është e mundur që Mulla Sula të lejohet të rrëshqasë si gjarpër i ftohtë nëpër të gjitha partitë dhe, ta bëjë këtë rrëshqitje pasi të ketë plagosur për vdekje partinë paraprake? Pa dyshim që, në zgjedhjet lokale që po vijnë Mulla Sula do të pozicionohet në anën e partisë së Zijadin Selës, për të përfunduar pastaj në prehërin e “armikut” të partisë së Zijadin Selës, te Lëvizja Besa, por pasi ta ketë dëmtuar rëndë LR PDDSH-në! Pse kjo dëshirë patologjike e Mulla Sulës për të lënduar? Sepse është instik i gjarpërit si refleks mbrojtjeje nga “armiku i jashtëm”!
Ky rol si dhe investimi i politikave nacionale maqedonase në Mulla Sulën, e bëjnë që ky gjithmonë të jetë reis politik i pushtetit maqedonas, i cili është përcaktuar për këtë person për këto tri arsye:
E para: Është shumë fleksibil për sa i përket realizimit të synimit politik maqedonas që do të shkonte në interes kombëtar! Interes nacional ortodoks maqedonas është dëmtimi dhe vjedhja e vakëfit, vetëm e vetëm që mos të kalitet islami autokton por kjo të rrezikohet nga lloj-lloj sektesh e rrymash që do të depërtojnë në emër të islamit e që do ta dëmtojnë edhe trungun kombëtar shqiptar por edhe do t’i hedhin themelet e ekstremizmit në emër të fesë i cili do ta përshpejtonte inkuadrimin e Maqedonisë nëpër instancat ndërkombëtare pa i zgjidhur çështjet kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë.
E dyta: Njeri që do t’i institucionalizojë sektet fetare vetëm atëherë kur do të marrë urdhëra politike nga pushteti maqedonas dhe do t’i dëbojë pasi të ketë marrur urdhëra nga po ky pushtet. Do të jetë i siguruar dhe i mbrojtur nga organet gjegjëse për mbrojtje dhe siguri shtetërore, dhe do të gëzojë po atë tretman që e gëzojnë funksionarët e pushtetit maqedonas. Si person “antikrisht” do të jetë në gjendje saherë që të marrë urdhëra nga pushteti maqedonas për ta dridhur dhe për ta dëmtuar Institucionin e vetëm fetar islam në vend, BFI-në. Do të gjejë mënyra, mjete dhe forma për ta ligështuar dhe për ta dobësuar këtë Institucion.
E trëta: Tashmë është i sigurtë në promovimin e një reisi politik të emërtuar nga pushteti sllavo-ortodoks të cilit i duhet që ta ketë nën kontroll edhe islamin dhe institucionet islame. Promovues i fuqishëm se vetëm përmes pushtetit politik mund të realizohen projektet që i synon institucioni fetar islam. (Ja pra edhe arsyeja e Mulla Sulës për ta vizituar rijasetin politik dhe reisin e pushtetit serb në Beograd, si dhe nevoja e tij për ta promovuar politikën shtetërore serbe vizavi Rijasetit të Serbisë).
Mulla Sula dhe tipat si ky, për asnjë çast nuk ndjehen të sigurtë nëse nuk e kanë bekimin e pushtetit politik. Së këndejmi edhe nevoja e Mulla Sulës për ta bekuar kryeparin e pushtetit politik maqedonas, Nikolla Gruevskin. Derisa do të jetë në fuqi marrëveshja interne në mes të Mulla Sulës dhe strukturave të caktuara nacionale maqedonase, myslimanët e Maqedonisë kurrë nuk do të kenë Reisin fetar të tyre. Ata do të udhëhiqen nga reisi politik i pushtetit maqedonas.

0 comments :

Post a Comment