Translate

Saturday, June 10, 2017

OPINION: Misioni i mbaruar i BDI & BFI

Mulla Sulës i intereson vetëm forca politike, i intereson ai subjekt politik i cili do ta pranonte pazarin e Mulla Sulës: përkrahje politike për atë subjekt i cili do ta shpëtonte nga proceset gjyqësore që e presin dhe që pa dyshim, fare nuk do të jenë në të mirë të tij, por, do tia bëjnë helëm pleqërinë
Shkruan Afrim Tahiri
Në të dy taborret, si në atë të Bashkimit Demokratik për Integrim, ashtu edhe në atë të Bashkësisë Fetare Islame të Mulla Sulës, tashmë po vërehen pasojat e një bashkëjetese me plotë interesa meskine.
Megjithatë, që të dy subjektet mbaruan misionin e tyre në këtë bashkëjetesë.
E para, Bashkimi Demokratik për Integrim ia arriti që ta politizojë fuqishëm këtë Institucion fetar, duke hapur mundësitë edhe të partizimit fragmentar të nëpunësve që nga një mualim e vaiz i rëndomtë e deri te myftitë, profesorët dhe vetë reisi!
E dyta, Bashkësia Fetare Islame e Mulla Sulës arriti që ti shfrytëzojë disa benificione nga kjo bashkëjetesë sidomos në mbrojtje nga përndjekja për korrupsionin e vepra të tjera penale, nga njerëzit e kësaj Partie që udhëhiqnin me drejtësi por edhe me polici e me shërbimin sekret të shtetit.
Çka ndodhi? Ndodhi ajo më e urryera për pjesëtarët e të dy subjekteve, njërit politik e tjetrit politoko-fetar! Ndodhi dukuria që do të ngelë si më e shëmtuara në historinë e popullit shqiptar në Maqedoni. Afrimi me harxh kah Mulla Sula, liderit të BDI-së, Ali Ahmetit i kushtoi shumë rënd. Në fakt, Ali Ahmeti, duke e planifikuar dhe synuar partizimin e BFI-së me qëllim që ta sigurojë gratis dhe në çdo kohë një kontigjent të madh votash, harroi se me këtë po i hapte dyert e pozicionimit të secilit nëpunës fetar nëpër parti të ndryshme ku aderojnë myslimanët e vendit.
Ali Ahmeti nuk e pati forcën dhe as kapacitetin për perceptim të momentit kur u lidh me Mulla Sulën, ndonëse strategjinë e kishte shumë të qartë: partizimin e këtij Institucioni! Mulla Sula në momentin kur iu qas BDI-së së Ali Ahmeti nuk ishte se po përkrahej dhe po respektohej nga opinioni i gjërë, aq më pak edhe nga bashkëpunëtorët e tij dhe nëpunësit e tjerë. Në momentin kur Mulla Sula iu afrua Ali Ahmetit, të gjithë ata që nuk e donin Ali Ahmetin dhe Mulla Sulën, gjetën mundësinë e pozicionimit të tyre nëpër partitë e tjera që u krijuan ristazh. Tani kur Mulla Sula po e vërenë këtë rrezik, dëshiron që me çdo kusht ta fus nën sqetullën e vet Ali Ahmetin e plagosur rëndë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Nga radhët e BDI-së po qarkullon një informatë se Ali Ahmeti gati ka arritur në nivel të çartjes nga një kërkesë interne e Mulla Sulës, e cila e ka bërë të kuptojë që Mulla Sula nuk është lule për ti marrur erë. Nuk tregojnë për përmbajtjen e kërkesës por thonë që Mulla Sula i është imponuar si pjesëtar i fuqishëm i koalicionit qeveritar i cili duhet të pyetet për çdo vendim e qëndrim politik. Këtë kërkesë Ali Ahmeti e ka kuptuar si përpjekje e paskrupullt e Mulla Sulës për ti treguar se pa të nuk ka shpëtim në skenën politike shqiptare! Prandaj edhe ka refuzuar çdo kërkesë për takim i cili, edhe nëse mbahet do të jetë vetëm sa për tia treguar vendin ku duhet të rrijë Mulla Sula.
Po pse ky qëndrim partizues i Mulla Sulës tani dhe jo kur ishte bashkëqeverisja Gruevski-Ahmeti? Çka e frikësonte Mulla Sulën kjo bashkëqeverisje që tua turbullonte ujin politik si njërës ashtu edhe partisë tjetër? Pse nuk ishte kaq i shpifur Mulla Sula atëherë kur Ali Ahmeti mbante në duar digasterin e Drejtësisë dhe të Policisë? A mos po flet kjo se tashmë Mulla Sula përfundimisht u lirua nga hallka e drejtësisë që i pezullonte mbi qafë, e cila do ta lidhte në momentin kur Mulla Sula do të përpiqej të turbullonte ujin Ali Ahmetit! Mulla Sula jo që ka përshtypjen porse është edhe i bindur se tashmë është liruar nga hallka e qenit të cilën BDI-ja po ia mbante rreth qafës. Prandaj edhe mund ti dalë me kërkesa ultimative që nuk i përkasin një lideri fetar!
Nga ana tjetër, pasi BDI-ja kuptoi se Mulla Sula nuk është ai person i cili do ti mbajë të bdizuar të gjithë nëpunësit e çdo xhamie, të çdo organi dhe institucioni të BFI-së, meqë nuk e ka ndikimin dhe respektin te të gjithë, dhe, pasi e pa se u bë shkaktare e rrënimit të BFI-së, nisi të distancohet, të krijojë një vakum, një boshllëk në mes të BDI-së dhe BFI-së!
Menduh Thaçi, lideri i PDSH-së, jo njëherë doli dhe ka pranuar publikisht që ka gabuar rëndë që e ka rikthyer në BFI Mulla Sulën, (kryekriminelin, siç thotë z. Thaçi) me të cilin kishte plan për ta forcuar Institucionin fetar, për tia rikthyer reputacionin dhe integritetin dhe dinjitetin BFI-së! Ky plan i z. Thaçit nuk u realizua sepse kjo nuk i shkonte në interes vetë Mulla Sulës. Pra, Menduh Thaçit nuk i interesonte makineria votuese e Mulla Sulës, por, thjesht, i interesonte BFI-ja si Institucion. Ndërsa Ali Ahmetit, duke i interesuar makineria votuese (pa dyshim shumë e vogël) e Mulla Sulës, nuk po vërente se po e degradonte deri në shkatërrim BFI-në si Institucion Fetar. Ali Ahmeti sa më pranë Mulla Sulës aq më shumë ia shton mundësitë për krime, vepra penale e imoralitete të ndryshme, të cilat tashmë po e katandisin BFI-në deri në vetëshkatërrim. Është në natyrën e liderëve të mëdhenj që të dalin dhe publikisht të pranojnë falje për një gabim, sado trashanik qoftë ai, sepse mundësitë e sanimit të pasojave nga ai gabim janë shumë më të mdha dhe më reale.
Mulla Sula, ky lutës i madh që Allahu ta bekojë Nikolla Gruevskin, nuk e ka fare për dert që ta bekojë dhe të rirreshtohet pas gruevskit tjetër, Zoran Zaevit. Isharetin e parë tashmë e dha në një iftar të Odës Ekonomike të Maqedonisë Verëperëndimore, në të cilën e luti Allahun xh.sh. që tua pranojë agjërimin të gjithë të pranishmëve në atë iftar! Kurse aty ishte i pranishëm edhe Zoran Zajevi! Mulla Sulës vetëm jepja mikrofonin në dorë dhe skandali mbinë aty!
Mulla Sulës tashmë nuk i ka mbetur xhani te Ali Ahmeti, apo te BDI-ja, e aq më pak te BFI-ja! Mulla Sulës i intereson vetëm forca politike, i intereson ai subjekt politik i cili do ta pranonte pazarin e Mulla Sulës: përkrahje politike për atë subjekt i cili do ta shpëtonte nga proceset gjyqësore që e presin dhe që pa dyshim, fare nuk do të jenë në të mirë të tij, por, do tia bëjnë helëm pleqërinë! Nëse këtë ia garanton Zoran Zaevi, pritni që në zgjedhjet lokale Mulla Sula me të gjithë piunët e vet të rreshtohet me plotë mburrje në radhët e Zaevit. Ky është Mulla Sula, ajo mizë kali në fundbisht të politikanëve!
Mulla Sula e shkatërroi Partinë e BDI-së, Mulla Sula e shkatërroi BFI-në, tashmë i mbetet që ta shpëtojë vetëm vetëveten. Tash e tutje, secila parti do të synojë ta fusë në dorë BFI-në, sepse, çdo parti do të ketë aktivistë, anëtarë dhe bashkëpartiakë nga radhët e mualimëve, hatibëve, vaizëve, imamëve, profesorëve, drejtorëve etj. të cilët pastaj, do të synojnë që të përfitojnë nga ndikimet partiake që të rehatohen dhe stabilizohen nëpër BFI dhe organet e saj! Ky realitet do të bëjë derdhje lumenjsh të nëpunësve të BFI-së nëpër parti politike. Ja se çka bënë kurorëzimi i panatyrshëm i Mulla Sulës dhe Ali Ahmetit. Misionin e pamundshëm e bënë të mundshëm, edhe pse me pasoja katastrofale.

0 comments :

Post a Comment