Skip to main content

Maqedonia, një vend që po shkon drejtë shkatërrimit

Sulmet ndaj deputetëve brenda Parlamentit tregojnë se kriza politike e Maqedonisë është duke dalë nga kontrolli, kështu që BE-ja dhe ShBA-ja duhet të veprojnë tani për të parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të situatës.
Edhe një herë Maqedonia ka pushtuar titujt botërorë.
Me dhunën që shpërtheu në Parlament javën e kaluar, imazhet që tani do të vijnë në mend kur njerëzit i shohin reklamat e përditshme “Investoni në Maqedoni” në CNN nuk do të jenë mundësitë financiare, por fytyrat e gjakosur të politikanëve të lartë brenda ndërtesës së Parlamentit.
Mbi të gjitha do të jetë imazhi-ikonë i Zoran Zaevit, udhëheqësit të partisë kryesore opozitare LSDM dhe kreut të koalicionit qeveritar të propozuar pas zgjedhjeve të dhjetorit, me gjakun që rridhte në fytyrën e tij, së bashku me kolegët e tij deputetë të gjakosur në Parlament.
Imazhet tregojnë se ata përballen me një turmë të padisiplinuar që i mbylli ata si një kope ujqish që rrethojnë prenë e tyre, të gatshëm për vrasje.
Se kjo u lejua të ndodhte brenda Parlamentit është e tmerrshme – dhe kjo është dëshmi e mëtejshme se ky vend kandidat për në BE, me institucionet e tij ende në duart e Nikola Gruevskit dhe partisë së tij VMRO-DPMNE, është zhytur në paligjshmëri.
Në një kohë të tensionit të shtuar pas refuzimit të vazhdueshëm të presidentit për t’i dhënë mandatin Zaevit dhe LSDM-së për të formuar qeverinë dhe me protestat e përditshme në rrugë kryesisht të udhëhequra nga operativët e paguar të VMRO-DPMNE, të inkurajuar dhe mbështetur nga Gruevski, do të duhej të kishte siguri më të madhe rreth ndërtesës së Parlamentit.
Jo vetëm që nuk ndodhi kjo, por disa forca të sigurisë që ishin aty lejuan qindra individë të hynin në ndërtesë dhe pastaj nuk bënë asgjë për të ndaluar sulmet e egra ndaj deputetëve dhe shkatërrimin e pamëshirshëm brenda Parlamentit.
Makina propaganduese e VMRO-DPMNE menjëherë u fut në veprim, duke u përpjekur të fajësonte kundërshtarët e saj politikë.
Ministri i Jashtëm, Nikola Popovski, duke dashur ta lirojë VMRO-DPMNE-në nga çdo faj për dhunën, i vuri në dukje deputetët e partisë që u përpoqën të mbrojnë ata ligjvënës të cilët u sulmuan.
Një deputet i tillë i VMRO-DPMNE-së, Vladko Gjorçev, u pa me të vërtetë në video-incizim duke u përpjekur të shmangte turmën dhe roli i tij u pranua më pas nga Zaev.
Megjithatë, VMRO-DPMNE ka 51 deputetë në Parlament. Kështu lind pyetja – ku ishin 50 të tjerët? Ku ishte fryma e tyre qytetare?
Të gjitha shenjat tregojnë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë midis sulmuesve që hynë në Parlament, VMRO-DPMNE-së dhe udhëheqësit të saj, Gruevski.
Çdo deklaratë e tij në javët e fundit ka përmbajtur gjuhën e konfrontimit dhe nxitjes së dhunës, duke akuzuar kundërshtarët e tij për tradhti dhe duke i nxitur ithtarët e tij të dalin në rrugë për të “mbrojtur vendin”.
Shumë nga ata që hynë në Parlament janë miq të njohur, mbështetës dhe madje edhe anëtarë të familjes të zyrtarëve të partisë VMRO-DPMNE, madje edhe duke përfshirë disa kriminelë të dënuar.
Gruevski ka përdorur çdo mjet që ka në dispozicion për të parandaluar një kalim të qetë të pushtetit në qeverinë e propozuar të koalicionit të ri të udhëhequr nga LSDM, pavarësisht se ka një numër të mjaftueshëm deputetësh për të formuar një administratë të re.
Deklaratat e Gruevskit kanë pasur për qëllim të ndezin tensionet mes shumicës etnike maqedonase dhe pakicës etnike shqiptare dhe ato janë kritikuar tërthorazi nga bashkësia ndërkombëtare, dhe jo më pak se nga Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, e cila paralajmëroi udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së që të mos ” luajë me zjarr “.
Duket se dyert e rënda të ndërtesës së Parlamentit iu hapën qëllimisht turmës vetëm pak minuta pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit, Talat Xhaferi nga partia kryesore shqiptare etnike, BDI.
VMRO-DPMNE pretendon se zgjedhja e Xhaferit nuk ka ndjekur procedurën e rregullt.
Megjithatë, ai refuzon të pranojë se gjatë shtatë javëve të kaluara, me fshehtësinë e kryetarit në largim, Trajko Veljanovski, manipuloi qëllimisht librin e rregullit parlamentar në mënyrë që të pengonte zgjedhjen e kryetarit të ri.
Kjo nuk ishte ‘pirateri’, një procedurë e pranuar në shumë parlamente, por një sabotazh i papërpunuar i procesit parlamentar në mënyrë që të pengonte çdo transferim paqësor të pushtetit në një qeveri të re.
Nëse VMRO-DPMNE refuzon të tërheqë kundërshtimin e tij në zgjedhjen e kryetarit të ri, një shpërthim tjetër i dhunës nuk mund të përjashtohet.
Si BE, së bashku me SHBA-në dhe NATO-n, kanë mirëpritur zgjedhjen e kryetarit të ri.
Përjashtim bëjnë kryesuesi i OSBE-së, ministri i Jashtëm austriak Sebastien Kurz. Në një deklaratë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Kurz nuk përmendi zgjedhjen e kryetarit të ri.
Kjo nuk është e çuditshme duke pasur parasysh miqësinë e pahijshme të Kurz me VMRO-DPMNE, pavarësisht faktit se si Gruevski ashtu edhe personat kryesorë nga partia janë nën hetim për një gamë të gjerë veprimtarish kriminale.
Partia Popullore Evropiane është gjithashtu seriozisht në faj që e ka lejuar VMRO-DPMNE të mbetet një nga anëtarët e saj, pavarësisht sinjaleve të shumta paralajmëruese që çuan në ngjarjet e përgjakshme të javës së kaluar dhe përgjegjësinë e Gruevskit dhe partisë së tij.
Përballë krizës në përkiqësim e sipër, një angazhim më i fortë i BE-së, si dhe i ShBA-së, është mëse i vonuar.
BE nuk mund të qëndrojë mënjanë me një vend kandidat që po shkon drejt paligjshmërisë dhe me ish-kryeministrin dhe udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së, Gruevskin duke refuzuar të respektojë angazhimet që ai ka nënshkruar në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016.
Një nga këto ka të bëjë me Prokurorinë Speciale, e cila është themeluar për të hetuar një listë të gjatë të krimeve të dyshuara dhe shpërdorimit të pushtetit të zbuluar kur LSDM lëshoi ​​transkriptën e bisedave të përgjuara midis zyrtarëve të lartë.
Gruevski ka bërë thirrje për përfundimin e mandatit të Prokurorisë Speciale, ndërsa prokurori publik dhe sistemi gjyqësor kanë bërë gjithçka për të penguar hetimet e prokurorëve.
Nëse BE është serioze në lidhje me shmangien e gjakderdhjes së mëtejshme dhe mbështetjen e tranzicionit paqësor të pushtetit, duhet të miratojë një strategji të qartë që synon vendosjen e sanksioneve të synuara kundër atyre zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së që vazhdojnë të pengojnë dorëzimin.
Kjo do të kërkonte unanimitet midis 28 vendeve anëtare të BE-së, por nuk ka asgjë për të parandaluar institucionet e BE-së nga përgatitja e një propozimi formal që përcakton argumentet për sanksionet e synuara.
Përveç dhunës javën e kaluar, ekziston një evidencë e mjaftueshme për abuzimin serioz të pushtetit për të kënaqur edhe anëtarët më të pabindur të BE-së (kryesisht Austri dhe Hungari).
Të ashtuquajturit Raport Priebe nga qershori i vitit 2015, i cili ishte pjesë e marrëveshjes politike të ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të qeverisë dhe opozitës të Maqedonisë, duhet të ringjallet për t’ua përkujtuar shteteve anëtare për abuzimin e gjerë të pushtetit dhe krimet e pretenduara të kryera nga VMRO-DPMNE derisa ajo ishte në pushtet.
Shumica e rekomandimeve në atë raport ende nuk janë zbatuar.
Nëse BE-ja nuk do të veprojë me vendosmëri tani, vetëm ajo do të fajësohet nëse do të ketë shpërthime të mëtejshme të dhunës dhe nëse bllokimi politik vazhdon.
Ajo do të dobësojë imazhin e BE-së, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin, ku ngjarjet në Shkup tashmë kanë ndikim negativ.
Kjo krizë e gjatë, e tërhequr, nuk do të zgjidhet pa një përfshirje vendimtare të BE / SHBA, ashtu si në krizat e tjera që kanë shënuar 11 vitet e regjimit katastrofik të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Ervan Fouere është ish-ambasador i BE-së në Maqedoni.

Comments

Popular posts from this blog

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (PJESA I)

Dromca memoaresh KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË Miq të dashur! Vëllezër e motra! Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për tí lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike. Së shpejti do të keni rastin t’i lexoni memoaret nga dorëshkrimi im, me titull KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË   HYRJA Bismilahi rrahmane rrahim! Ky do të jetë titulli i përmbledhjeve të memoareve të mia në këtë faqe elektronike dhe më vonë edhe në librin tim të radhës. Një nga format më të rënda të shkrimit pa dyshim që janë edhe me

Zbulohen lidhjet e Argëtim Asanit me Petrit Hamen (Amen), bashkëpunëtori i famëkeqit Arkan: Ja segmentet e UDB-së në politikën shqiptare të Maqedonisë

Ylli Pata Vrasja e Argëtim Asanit (alias Artan Musliut) risjell në skenën e tronditur të shqiptarëve të Maqedonisë, fantazmat e tmerrshme të lidhjes së vjetër me nëntokën e krimit të organizuar dhe me shërbimin famëkeq serb UDB, i cili një pjesë solide të tij, e ka vazhduar me shërbimin e Maqedonisë së sotme të Nikolla Gruevskit. Argëtim Asani, ka qenë një figurë kyçe e nëntokës së errët me politikën shqiptare të të gjitha forcave politike. Por mbi të gjitha ajo që është më eminente në “CV”-në e të ndjerit Asani është veprimtaria e tij e gjatë si njeri i afërt dhe truprojë e misteriozit Petrit Hame i njohur si Ame, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit serb, Zhelko Razhnjatoviç (Arkanit) dhe figurë eminente e UDB-së jo vetëm në Maqedoni. Argëtim Asani, që prej fillimit të viteve 90-a ka qenë bashkëpunëtor i Petrit Ames në tregëtinë e paligjshme dhe monopolet ekonomike që lindën më pas në kontrollin e shitjes së karburanteve, cigareve dhe lidhjeve me nëntokën e Shqipërisë, madje e

Bashkëluftëtari i Zahirit: Ali Ahmeti e Fazli Veliu duhet të tregojnë pse u vra Zahir Pajaziti (Foto)

Hasan Zeneli, bashkëluftëtarë i heroit Zahir Pajazitit, në ditëlindjen e Zahirit, në faqen e tij në facebook ka shkruar në lidhje me vrasjen e tij. Sipas, tij ai nuk do të ndalet kurrë dhe do ta qoj këtë çështje deri në fund, duke zbuluar tradhtarët e vërtete të cilët i kanë bërë pritë Zahir Pajazitit. “Unë Hasan Zeneli ne emer te shokeve te gueriles se Zahir Pajazitit, publikisht u them se kete pune do ta çojm deri ne fund, deri ne zbardhjen perfundimtare duke i zbuluar tradhtaret e vertete te cilet i kane bere priten Zahirit dhe shume djemave tjere deshmor te ketij kombi”, shkruan ai./BS Ja postimi i tij i plotë pa ndërhyrjen tonë: Me 01 Nentor 2016, Kom. Zahir Pajaziti e ka ka DITELINDJEN. “Zahirin e vram sepse na e shau Azem Sylen ne TIRANE. Kete e di,vetem SEKTORI i vecant. E vram sepse ishte tmerr per ne dhe per vllaznit ton sllavokomunist.Nuk eshte e vertet se Xhavit Haliti me perjashtoi mua, por une e perjashtova Xhavit Halitin. Une jam shefi i shefave ktu! Hiq s’marr ves