Translate

Saturday, May 13, 2017

AFRIM EF. TAHIRI I LUTET INSTITUCIONEVE PËRKATËSE TË ARABISË SAUDITE

Në një letër publike dërguar në fillim të këtij muaji, ish-sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Afim ef. Tahiri, në emër të të gjithë myslimanëve të vendit, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe popullit arab i ka kërkuar falje të thella për ofendimet që ua ka drejtuar Sulejman Rexhepi dhe ka kërkuar që për këtë gabim prej një të papërgjegjshmi të mos ndëshkohen tërë myslimanët e Maqedonisë.
Nga Mbretëria e Arabisë Saudite nuk vijnë lajme të mira për myslimanët e Maqedonisë. Konkretisht, për një ndëshkim eventual të myslimanëve të Maqedonisë është angazhuar Ministria e Haxhit. Përmes kësaj Ministrie do t’ju bëhet me dije myslimanëve të vendit se, derisa të udhëhiqen, qoftë edhe formalisht, nga Sulejman Rexhepi, alias Mulla Sula, ata nuk mund të nisen për të vizituar “shtetin dhe popullin që është pa kulturë, pa civilizim dhe që rekruton mercenarë”, siç shprehet Mulla Sula për vendet e shenjta të Arabisë Saudite. Ky qëndrim i zyrtarëve arabë rrezikon që sivjet për në Meke dhe Medine të mos niset asnjë mysliman nga Maqedonia. Këta zyrtarë refuzojnë që të japin viza për në haxh për ata myslimanë që lejojnë të drejtohen nga një person i cili nuk pushon së ofenduari shtetin dhe popullin arab.
Ky raport kaq i rëndë, mbi të gjitha për myslimanët e vendit, e ka cytur ish-sekretarin e BFI-së, Afrim ef. Tahirin, që t’ju drejtohet zyrtarëve të lartë të Mbretërisë arabe, në veçanti Ministrisë së Haxhit, me lutje të përzemërt që mos të ndëshkohen të gjithë myslimanët për një njeri të papërgjegjshëm.
“Shkëlqësi! Po ju drejtohem me një lutje shumë të sinqertë e tepër vëllazërore, që ta zbusni zemërimin e juaj dhe ta falni popullin mysliman të Maqedonisë. Kjo për më tepër, sepse, ju garantoj që absolutisht tërë populli mysliman i këtij shteti është rrëqethur dhe trishtuar nga ato deklarata të pamatura dhe idiotike të uzurpatorit të postit Reisul Ulema, Sulejman Rexhepit. Jo një herë, ky farë “prijësi” ka qenë në gjendje që për interesa të veta meskine të dëmtojë interesin e përgjithshëm”, ka nënvizuar efendi Tahiri në letrën e vet publike që ua ka dërguar institucioneve përkatëse arabe në emër të Lëvizjes për reforma në BFI të RM-së.
Më tej, në letrën publike Afim ef. Tahiri, në emër të të gjithë myslimanëve të vendit, popullit arab i ka kërkuar falje për ofendimet e drejtuara nga Sulejman Rexhepi dhe ka kërkuar që për këtë gabim të mos ndëshkohen tërë myslimanët e Maqedonisë.
“Shkëlqësi, ju lutem me shpirt që për hirë të parimeve islame, për hirë të dëshirës së flaktë të popullatës sonë për ta vizituar Xhaminë e Pejgamberit a.s., për ta vizituar Qaben, vlera këto më të larta botërore që i përkasin kulturës më të lartësuar dhe të veçuar nga Allahu Mëshirëplotë, tërhiqeni vendimin tuaj tërësisht të arsyeshëm dhe caktojeni kuotën për haxhilerët e sivjemë nga Maqedonia, hiqni barrierat administrative, silleni kontratën dhe nënshkruajeni me Institucionin, me BFI-në, të cilin e ka uzurpuar duke e privatizuar tërësisht Sulejman Rexhepi.
Duhet ta dini dhe ta ndjeni një fakt shumë të rëndësishëm që flet mbi arsyen e heshtjes së popullatës myslimane karshi ofendimeve të paskrupullta të Sulejman Rexhepit! Popullata ka vendosur që të hesht dhe ta presë vetëkëndelljen e Sulejman Rexhepit, dhe të mos reagojë kundër tij, sepse, çdo reagim Mulla Sula e përkthen si rrebelim të nxitur nga mercenarët vehabistë dhe ja, pastaj, arsyeja për të shkruar mediat e vendit kundër islamit dhe kundër besimtarëve myslimanë të vendit. Lus Allahun e Gjithëmëshirshëm që t’ju bekojë, pavarësisht qëndrimit Tuaj ndaj haxhit 2017 për myslimanët e Maqedonisë”, thuhet në letrën e ish-sekretarit të BFI-së, Afrim ef. Tahirit, dërguar institucioneve përkatëse të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Të theksojmë në fund se, deri më tani janë caktuar kuotat për të gjithë myslimanët e shteteve të Ballkanit si dhe janë kompletuar të gjitha dokumentet dhe marrëveshjet për sa i përket haxhit të sivjemë. Shqipëria dhe Kosova i kanë kryer këto procedura qysh në muajin mars, ndërsa deri më tani udhëtimi i myslimanëve të Maqedonisë për në haxh është në pikëpyetje të madhe. Në pyetjen e portalit 1kliklarg.com nëse do të merret parasysh ky shqetësim i tij si ish-funksionar i BFI-së, efendi Tahiri shpreson fort në qëndrimin pozitiv të zyrtarëve të mbretërisë arabe dhe se në moment të fundit mund ta zbusin zemërmin e tyre të cilin do ta orientojnë të tërin ekskluzivisht mbi Sulejman Rexhepin.

0 comments :

Post a Comment