Translate

Wednesday, November 23, 2016

“Gjykatat maqedonase shpërfillin drejtësinë, mbrojnë politikanët e pushtetit”

Mbrojtja e imazhit të politikanëve nën hetim në prag të zgjedhjeve të 11 dhjetorit është një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në vendimin e Gjykatës Shkupi 1 për të refuzuar kërkesën e prokurorisë speciale për vendosjen e masave të kujdesit ndaj tre të dyshuarve në rastin “Thesari”, vlerësojnë një pjesë e ekspertëve juridik.

Profesorja Besa Afiri, për televizionin Alsat-M thotë se për shkak të politizimit të skajshëm, gjykatësit refuzojnë në vazhdimësi kërkesat e Speciales, ndonëse prokurorët e këtij institucioni janë shumë të kujdesshëm dhe në shumë raste në vend të paraburgimit kërkojnë vetëm masa kujdesi për personat e dyshuar për keqpërdorime të ndryshme.
“Drejtësia dhe gjyqësia duhet të jenë të pavarura nga procesi zgjedhor dhe procedura penale duhet të ketë rrjedhojën e saj dhe në këtë rast nuk duhet që të shtyhet në mënyrë të padrejtë sepse është në interesin e të gjithëve që kjo të përfundojë sa më herët dhe në këtë rast edhe nëse bëhet për këtë atëherë këto nuk janë arsye të ligjshme për të vepruar në këtë mënyrë të refuzimit të këtyre kërkesave”, deklaroi Arifi.
Vendimi i gjykatës Themelore mund të ankimohet në këshillin Penal por profesoresha Besa Arifi, nuk pret që kjo gjë të sjellë ndonjë ndryshim pasi thotë se edhe instancat më të larta janë të politizuara. Ajo përsëriti se zgjidhja e vetme e problemit është krijimi i dhomave speciale në Gjykatën Penale.
“Ka pas edhe statistika që vërtetojnë se faktikisht shumica e kërkesave të prokurorisë speciale në këtë drejtim janë refuzuar për dallim prej kërkesave të ngjashme që ngrihen nga Prokuroria Publike për krim të organizuar që pranohen 100%. Vetë kjo diskrepancë është shumë e madhe edhe kalon përtej asaj që është e rastësishme. Edhe këtu hyn edhe rasti i Mijallkovit dhe rasti që lidhet me Thesarin. Pra nuk është diçka tjetër përveç qasjes selektive që ka gjykata”, tha Besa Arifi, profesoreshë.
Të dyshuar në rastin “Thesari” janë ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkovi, kryeshefi i Drejtorisë së pestë pranë MPB-së, Goran Grujevski, shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, dhe ish-ndihmës ministri i brendshëm Nebojsha Stankoviq. Ata dyshohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë prej të paktën 860 mijë euro për sigurimin e një pajisjeje të përgjimit.

0 comments :

Post a Comment