Translate

Sunday, March 6, 2016

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (41-50)

Memoari nr.41      
Simpatia për krijesën prej zjarri ma dha nofkën “Zharko”

Një ditë, deri sa po ecnim gjurmëve të një lepri të vogël, gjurmët e të cilit po i vërenim në një cipë të hollë të borës, sakaq Kiro Fuzofski më pyeti se, në mos po fusja huti me ajetin që flet për krijimin e njeriut nga një nënë dhe një babë e të cilën po e përdorja dendur në të gjitha takimet tona me xhemat, gjithnjë në luftë kundër irredentizmit dhe seperatizmit shqiptar. Ku po ngelin ajetet që flasin se Zoti është krijues i gjithçkafit. “Njeriu është qenie e krijuar prej Zotit, ashtu siç janë të krijuar edhe engjëjt por edhe djalli”, më thotë Kiro Fuzofski. Pas kësaj pyetje biseda mori një tjetër dimension.
I them Kiros: “Është e vërtetë kjo, por, nuk futem aq thellë, sepse atje pastaj do të nis e të flas duke e madhëruar Shejtanin! Ndërsa me ajetin që e përdor më krijohet mundësia të flas për komunizmin si dhe kundër seperatizmit shqiptar”!
“Si ta madhëroshë Shejtanin!? Ti po më frikëson! Pse këtë dashuri për Djallin?”
“Pasi Zoti e krijoi njeriun prej balte, kurse balta është brumi i të gjitha mikrobeve e fëlliqësirave të shumta, Ju thotë meleqve: ju do të përkuleni para kësaj krijese që do ta lë mëkëmbës timin në botën e përkohshme!” Në këtë propozim të Zotit do të reagojë shumë ashpër Shejtani duke i thënë, o Zot, si t’i përkulem baltës kurse unë jam i krijuar prej zjarri! Dhe, i them, Kiros, e di ti se këtu plotësisht i jap të drejtë Shejtanit. Krijesa prej zjarri, kurse zjarri djeg e shkrumbon çdo mikrob e çdo qelizë të saj, çdo virues e çdo pisllëk, tani duhet t’i përkulet njeriut, i cili do të krijohet prej asaj pike të farës të cilën ne e hedhim edhe në WC, edhe në bari, edhe në gurë, edhe në dru, ku të na zë halli. Me të vërtetë që, në këtë pikë, gjithmonë ia kam dhënë të drejtën Shejtanit, madje shpesh më shkonte mendja që për këtë të hapja debat edhe më profesorët e mi arabë por, nuk ma mbante, do të keqkuptohesha. Ja, shyqyr Zotit, mu dha rasti që ta shpreh këtë qëndrim timin para teje.
Kiroja, krejt duke qeshur me zë, duke më rrahur shpinës e duke më përqafu si vëllai vëllain, më thotë, o Sulo, o nuk ka më trim se ti bre. Hallall të qoftë. O krej zjarr je, je prush që të përvëlon, që t’i djeg të gjitha tezat e që t’i përmbysë të gjitha teoritë. Je zjarr! Hajde të hapim një nofkë të re për ty. Tash e tutje për mua dhe për të tjerët, atje poshtë në zyret tona, ti do të njihesh si “Zharko”! Natyrisht, e shtruam muhabetin, pasi tashmë e kishim vrarë e pjekur edhe lepurin e egër. E çuam “çuturicën” e mbushur me verë të kuqe e për nderë të nofkës sime të re. “Zjarr”,  “Prush”,  “Zhar- Zharko”, Shejtan bre, kurrë falë mos i qofsha askujt dhe prej askujt mos u varsha! Kush më do mua, duhet të më nënshtrohet, nëse jo në p.s.
           
Memoari nr.42                                                                                                                 Unë, Mulla Sula, kryetar i BFI-së

Më në fund u kurorëzua aktiviteti im shumëvjeçar në ruajten e vlerave të komunizmit, në ruajtjen e ish-Jugosllavisë  si dhe në luftë kundër seperatizmit dhe irredentizmit shqiptar. Tani erdhi momenti për ta përjetuar ndihmën e të gjithë atyreve që i ndihmova për më shumë se njëzet vjet.
U bëra kryetar i BI-së! Paraprakisht, me të gjithë drejtusit e këshillave të BI-së, si dhe me kryetarin e atëhershëm të Kuvendt të BI-së kishin punuar strukturat e caktuara të shtetit. U kishin dhënë direktivë që të më votojnë mua. Tërë këtë aktivitet e kishin bërë larg syve të mia, unë nuk dija asgjë, thjsht, për të ma lehtësuar punën e mëtejmë, duke qenë i bindur unë se të gjithë ata më donin mua dhe vetëm mua. Pasi u përzgjodha, e kuptova tërë lojën që e kishin luajtur. Kjo më iritoi shumë, sepse nuk e dija se cila palë po e tregon të vërtetën: ata të shërbimeve të sigurisë, apo teologët. Nuk e di as vetë kur ndodhi në mua ai moment i kthesës por, di që për një moment kam thënë: tash e tutje duhet lidhur me hoxhallarët e kundër atyre shërbimeve që asnjëherë nuk janë të ndershëm në detyrën e tyre. Largimi im prej tyre u bë me kryeneçësi, u bë me rrebelizëm, u bë duke u futur vetë në ato kanale nëpër të cilat futeshin dhe jetonin vet ata të shërbimeve. Kalova në nacionalist i madh shqiptar, sepse, e dija që kjo do t’i lëndojë më së shumti ata dhe se, tani, për herë të parë, do të ndodheshin para një situate të palakmueshme: një nacionalist transparent nuk do të mund ta burgosnin. Unë isha kryetar i të gjithë myslimanëve dhe, çdo burgosje eventuale e imja do ta përmbyste shtetin. Atyre u dola ndorësh ndërsa si hakmarrje ata e përdorën liferimin e nofkes sime prej kodoshi (“Zharko” ) si dhe hedhjen në publik të segmenteve nga aktivitetet e mia deri sa bashkëpunoja me ta.
Ja, për herë të parë, pulikisht, përmes këtij memoari po e pranoj që kam bashkëpunuar me ta dhe po ju kërkoj falje të gjithë atyreve që i kam lënduar e dëmtuar. Bashkëpunimi im ka pasur një qëllim shumë fisnik – thjesht, të bëhem kryetar i kësaj Bshkësie, sepse e kam ditur se, nga ky pozicion do të mund t’i ndihmoja shumë shqiptarëve.
Ishte momenti kur në skenën politike shpërtheu sistemi shumëpatiak dhe se kishin nisur të krijoheshin partitë nacionale. Shërbimet e shtetit e kërkonin lojalitetin tim sepse, e dinin që duke qenë kryetrar i çdo myslimani, pra edhe i kryetarëve të partive shqiptare, do të kisha ndikim të madh mbi ta dhe mirë me thanë, do t’i paralizonim më lehtë. Kurse, unë, duke e ditur këtë fakt, punoja që t’ju afrohesha sa më shumë pative shqiptare me qëllim që t’ua bëj me dije se unë jam ai kryesori dhe mos të përpiqeshin askush të më dilnin përpara. Çudiërisht, për këtë gjë do të bindet vetëm i njeri, Abdurrahman Aliti, krytar i PPD-së, i cili, jo njëherë, të gjithë deputetëve dhe ministrave të tij ju ka thënë se, fjala e fundit në veprimarnë e tyre duhet të jetë fjla e Mulla Sulës dhe se ky burrë, në atë moment kur do të thotë, lëshojeni qeverinë dhe parlamentin ju të gjithë duhet të dilni madje edhe të përgatiteni t’i kapni armët, sepse këtu e kemi komandantin! Kurse Zoti na ka nderu me superkomandant duke na e dërguar në krye të BI-së sypatremburin, Sulejman Rexhpin. Më herët, liderët paraprakë të kësaj Partie, Nevzat Halili dhe Mitat Emini, nuk m’u bindën kurrë, prandaj dhe e hëngrën t’nanës!

Memoari nr.43
Përpjekjet e UDB-së për të hapur filiale në BI

Ma bënë krejt vrerë postin e kryetarit, nuk arrita t’i gëzohem asnjë çast.  Derisa nuk u çarta fare. Pas një kohë e thirra Kire Fuzofskin duke e qortur se si më lanë si qengjin në kafazin e mbushur përplot me ujqër. U takuam te restorani i Hotel Belvit. Vendosa që t’ia tregoj planin që kisha me këtë rrebelim timin, ndërsa si kundërshpërblim kërkova që të më mësojë se si të sillem me “çakejt” që po më silleshin panda! UDB po insistonte përmes metodave të ndryshme që në BI të hapte filialen e vet dhë të instalonte njerëz që do ta kontrollonin dhe do të raportonin për punën time. Nuk e kuptoja se pse duhej të më kontrollonin mua! “Jo”, më tha Kiroja! “Nuk është për shkakun tënd, por për prestigjin e drejtorisë sonë. Nuk guxon të ngelë institucion pa pasur njerwz tanë aty, sepse do të ngel jasht kontrollit të drejtorisë. Çdo gjë që ngel jasht nesh rrezikon të shndërrohet kundër nesh”! Ky shpjegim sikur më zbuti. Më frikësoi kur më tha se, nëse nuk do të pranoja do të bënin ç’mos që sërish ta rikthenin në BI Jakup Selimovskin me ekipin e tij. Ky plan më acaroi shumë. Atëherë, e luta Kiron që ai ta kishte nën kontroll krejt BI-në. Nuk do të shpëtonte gjë pa ditur ai dhe se, nuk do të veprohej asgjë pa këshillat e tij, me kusht që tjetër bashkëpunëtorë të mos më fusnin në hundë. Këtë nuk mundi të ma garantjë Kiroja, por, m’i dha emrat se kë po mundohen t’m’i  fusin në kabinet, ndryshe do t’i kisha armiq të përhershëm dhe përherë do të më bënin probleme. Më tha që nuk do të më lënë rehat deri sa nuk i fus në kabinet Zekirja Bajramin, Sabahdin Mahmutin, Jakup Asipin, Zulhajrat Fejzullahun, Tasin Teufikun, Alifikri Esadin, Haki Agushin, Ejup Selmanin dhe Nexhati Limanin! Në asnjë mënyrë, i thashë. Të gjithë këta emra janë njerëz të Jakup Selimovskit, i cili, përmes këtyre emrave po përgatiste terren që sërish të rikthehej në BI. Nuk pranova për më të madhin kijamet dhe, i thashë Kiros, bëji të fala shefit se, tash e tutje më ka armik më të madhin.
Disa ditë më vonë, Kiro Fuzofski më erdhi me një ofertë të re. Më luti që të zbutem, ta ul pak kokën se, «bozhe mili», jemi njerëz dhe, sakaq mund të hidhemi diku në hendek duke plasur ndonjë gomë veture, apo, si gjyetarë, të na kap ndonjë “plumb bredhës”. Më frikëosoi dhe, pa e zgjatur shumë pranova t’m‘i lexojë emrat të cilët duhet të futen me porosi në kabinet. Sa të jeshë në krye të BFI-së, ti nuk mundesh të funksionosh pa i pasur pranë vetes sidomos këta emra: Zejnulla Fazliu, Shaqir Fetahu, Pëllumb Veliu, Isa Ismaili, Muhamed Iseni, Zenun Berisha dhe Sherif Dehari! Aaaa, mendova zëshëm! Në këta emra paska ngelur DeBeKa-ja!? Po këta i silli në maje të kalemit, po të gjithë këta janë tokmaka. Dakord, i thashë, dal nga dal të gjithë këta do të jenë në kabinetin tim.
Mendova se me kaq do të merrte fund puna. Nuk shkuan disa ditë, më thonë që ka adhur të më takojë njëfarë Haki Fejzuli! E pranova, më urdhëron që ta pranoj Haki Agushin dhe të kem kujdes se në çfarë posti do ta lë. Kiroja më thotë që ky farë Haki Fejzuli është ekspert në tredhjen e shqiptarëve nëpër stacione policore. Gjithandej ftohet ky kur duhet t’ua ha shpirtin shqiptarëve e t’i keqtrajtojë deri në vdekje. Pas këtij, një ditë më erdhi Hifzi Mehmeti, edhe ky njëfarë satrapi antishqiptar. Dikur më erdhi edhe Rauf Qazimi dhe më sugjerojnë që mos të habitem shumë në zyre por të dilja me ta më shpeshë, si më parë, në gjyeti. Po kur më erdhi dhe komandiri Zdravko Rafajllovski, nga Vollkova, të intervenojë për Sherif Deharin. Atëherë më plasi dhe nisa të kërcënohem edhe unë. I thashë Kiro Fuzofskit që, le të ndërpriten këto vizita se, ndryshe, do ta çoj në këmbë popullatën myslimane, do t’ju vë në pozitë shumë të rëndë. Do të flas e do të tregoj për të gjitha planet që i keni. E kam shumë të lehtë që ta radikalizoj masën myslimane dhe ta përmbys krejt shtetin.
Pas këtij kërcënimi, Kiro Fuzofski më tha që, të shtrëngohem fort, nuk do ta kem të qetë këtë mandat, do të më lodhin deri sa të më detyrojnë që të vetëvritem.


Memoari nr.44
Si e haja llokumin e DeBeKa-së
           
Tani, nga kjo distancë kohorë, e pranoj, fare lehtë i haja llokumat e drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim. M’i impononin disa njerëz të cilët unë nuk i duroja organikisht, të cilët i konsideroja si armiq të përbetuar. Dhe, çdo herë pastaj më vinin me emra alternative, me një propozim më të butë dhe, edhe unë zbutesha, i pranoja ata propozime, të cilat, në fak po del puna se paskan qenë strategji e tyre. Për shembull, kur konstatova se do të më duhet një zëdhënës, apo një gazetar, nisën të ma imponojnë Rexhep Zllatkun, ish-kryeredaktoin e «Flakës së Vëllazërimit»! Për këtë njeri interesohej edhe Jakup Selimovski, madje nga Sarajeva. Shefi i sektorit të dytë të UDB-së në qytetin e Shkupit, Nikolla Ilievski, këmbëngulte që ta pranoj Mustafa Spahiun, gazetar dhe poet për fëmijë. Kiro Fuzofski më tha që t’i refuzoj që të gjithë sepse janë gjarpinj të hatashëm. Në fund, nuk e di se si u bë dhe kush e drejtoi kah Bashkësia Islame një gazetar që ishte dëbuar nga Televizioni i Prishtinës. Ishte ky Agim Mehmeti. Në një drekë rasti, afër meje erdhi e u ul Fehmi Muça, baballëku i Lubomir Fërçkovskit, baba i kushtetutës diskriminuese e antishqiptare të Maqedonisë. Më lutë që ta kem parasysh kandidatin Agim Mehmeti, sepse na e paska pasur mik. Në një takim që e pata me të, menjëherë m’u duk se do të kem punë me një dallaverxhi, me një gazetar të zgjuar dhe shumë të zoti. E pranova në punë Agim Mehmetin. Çuditërisht nuk pata kurrfarë reagimi nga ata të UDB-së. Thua të kem pranuar njeriun e tyre. Kurrë nuk e besoj, edhe pse hala nuk e kuptoj heshtjen dhe mosreagimin e tyre me këtë punësim. Që nga ky moment kurrë më nuk më imponuan dhe as nuk më dërguan njerëz për punësim. Ma patën dhënë listën se kë duhet ta kem në kabinet dhe, aq, nuk u përzinë më asnjëherë. Elhamdulilah!
 Pastaj, përmes një lidhje të Qufli Osmanit, në shërbimin për informim si dhe në gazetën e Hënës së Re, nisi të angazhohet edhe një gazetar tjetër i cili, edhe ky ishte dëbuar nga Kosova pasi që policia serbe ua kishte mbyllur gazetën dhe redaksinë. Avni Halimi kishte punuar në gazetën studentore «Bota e Re». Fillimisht dhashë urdhër që ta dëbojnë, mos ta lënë të futet brenda. Më dukej njeri i kotë, si një idiot, si i sëmurë. Agim Mehmeti nisi të më bindë se Avniu është një gazetar që gëzon respekt të madh në Kosovë, që ka shumë miq gazetarë, që ka qasje në shumë redaksi. Megjithatë, nuk ma mbushte syrin, ishte shumë i ngathët, nuk ishte alet i mirë. Ia lëshova sekretarin tim, Zenun Berishën, që të merret me te dhe ta keqtrajtojë pa shpirt, deri në largim të tij. Çuditërisht, gjithnjë e më shumë më bindte se patjetër duhej punësuar edhe ai. Në BI shpesh vinin i ndjeri Fahmi Agani dhe Ali Aliu të dërguar të Presidentit Rugova dhe, në një moment, kur e kam parë se si e merr ngryk Fehmi Agani Avni Halimin, se me sa mall përshëndetet me të, m’u këputën këmbët. Menjëherë dhashë urdhër që t’ia lëshojnë vendimin. Kështu, me Agim Mehmetin dhe Avni Halimin  nisa luftën me të gjithë armiqtë e mi si dhe me “të përgëdhelurit” e UDB-së që i kisha në kabinet! Brenda dy-tri viteve shkova shumë larg. I bërë dy alete që më mbanin vetëm përpjetë. Tashmë çdo lëvizje kombëtare qoftë në Maqedoni apo në Kosovë, si dhe të gjithë përpjekjet fetare në Shqipëri, kalonin nëpër kabinetin tim. Tani më unë isha bërë pjesë e projekteve kombëtare ndonëse për gjithçka e informoja edhe Kire Fuzofskin. Të tjerët ishin larg informacioneve. Dhe, prej këtyre “të tjerëve” do të luhen lojëra të mëdha, lojëra të atilla sa në rrafshin politik brenda vendit më destabilizonin shumë, kurse në rrafshin kombëtar krijoja mbështetës shumë të fuqishëm, sepse tek ata këtë destabilizim ua prezantoja si përpjekje e UDB-së për ta detronizuar të vetmin Institucion shtetëror legal që e kanë në dorë shqiptarët jasht shtetit amë. Këtë luftë shumë mirë dhe në mënyrë profesionale ma luajtën dy aletet e mia besnik, Mehmeti-Halimi.


Memoari nr.45
Klyshët e DeBeKa-së

Isha me fat që më herët kisha kaluar nëpër dyert e këtij shërbimi për zbulim dhe kundërzbulim, prej nga i kisha të njohura strategjitë dhe të gjitha lojërat e mundshme që dilnin nga aty. Kjo më bënte më të përgatitur për t’u përballur me ato intriga. Veç kësaj, edhe Kiroja i ka dhënë disa prova dhe më ka bindur që ndaj meje ka qenë tepër korrekt dhe i sinqertë. M’i ka zbërthyer të gjitha intrigat e këtij shërbimi që planifikoheshin kundër nesh, dhe më fliste për çdo individ të involvuar në ato skenare policore.
Që në start lojën e luajtën duke i tubuar një grup të rinjësh dhe duke i emërtuar si Lëvizja e Rinisë Islame, e cila më asociononte në Lëvizjen e Rinisë Socialiste. Në krye të kësaj lëvizje kishin vënë dy tipa të cilët nuk kishin kurrfarë njohurishë me islamin. I kishin vënë si turkofila dhe, prisnin që unë t’i akuzoja në këtë drejtim, me qëllim që të shkaktoja ndonjë incident diplomatik dhe, kësisoj, ta humbja përkrahjen e shtetit turk. Musa Musoski dhe Skender Rexhepi – Zejdi! I pari ishte një nacionlist i verbuar maqedonas i islamizuar sipërfaqësisht dhe, tjetri ishte një turkofil i cili, duke qenë i gatshëm që të ik nga identiteti i vet kombëtar dhe të deklarohet herë arab (me emër të ri) e herë turk (me sjelljet e tij neveritëse). Në fund, e hapën  një bisnes dhe u larguan nga kjo intrigë. U shpërblyen për lojën që ia luajtën shërbimeve sekrete maqedonase e që rezultoi me shqetësimet e mia, hiç më tepër.
Duke e pritur destabilizimin që do të mabënte DeBeKa-ja përmes Sabahudin Mahmutit dhe Zekirja Bajramit, për çudi, në skenë ma nxorën një njeri totlisht anonim. Në fakt, ai kishte qenë shumë i njohur për budallakitë e tij si dhe për guximin e tij prej një të pamendi. Idriz Kakrruki! Kishte pranuar lojën e udbashëve e me qëllim të shkaktimit të konflikteve fizike. Të “zinjtë” po prisnin ndonjë përleshje në mes të xhematit tim dhe ithtarëve të Idriz Kakrrukit të cilët, pa dyshim që ndërseheshin që të gjithë prej njerëzve të DeBeKa-së, sepse i njihja unë, të gjithë i kam parë që i frekuentonin ato dyer deri sa punoja në Beko, në sektorin e pasaportave. Idriz Kakrruki futej pa leje nëpër xhami dhe ligjëronte, i jepnin hapësirë ata imamë që tashmë, me ndihmën e UDB-së po krijonin pashallëkun e tyre nëpër xhamitë e uzurpuara. E dija që ata po e prisnin përleshjen tonë fizike dhe të na përbinte një turp i përjetshëm. Megjithatë, ia mbaj në mend një fjalë Hafëz Bedrisë, i cili për Idriz Kakrrukin pat thënë: “Mos ke frikë prej tij se ai është prej atyreve që “bythën e mban në ujë e kokën në qiell”.
Në fund, mori rol tjetër, u fut nëpër grupet e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, dhe rolin e vet parësor e kamufloi me nofkn Idriz Kosova! Nuk më habiste ai sa më habisnin kosovarët. Si ishin aq budallenj dhe nuk e kuptonin se cili ishte roli i Idriz Kakrrukit. Idrizi kosovar!? Madje edhe mbiemrin e mori Kosova! Ai dhe Kosova! Nëse Idrizi do të njihet me mbiemrin Kosova, atëherë unë duhet të njiohem me mbiemrin Sulejman Lugina e Preshevës, apo, Sulejman Shqipëria. E pata theksuar në një vend këtë dëshirë timen dhe, pastaj shpërtheu sulmi i akorduar: “Sulejman Rexhepi po e shqiptarizon BI-në!” Kiroja më pat thënë, shumë mirë, mos u shqetëso, më mirë të thonë se po e shqiptarizon se sa po e udbashizon!


Memoari nr.46
Sulmi mbrojtja më mirë

Si t’i devalvoja të gjitha dokumentet që i kishin për mua ata të DeBeKa-së! Tërë atë dosje me nofkën Zharko. Pa i devalvuar ato materiale prej kodoshi, vështirë e kisha të ecj përpara. Nuk mund të bëja një hap, vazhdimisht përcillesha prej tyre dhe, kësisoj, m’i ngrisnin kurthet. Zgjidhjen e këtij problemi e mendoja me rritjen e djalit tim dhe me inkuadrimin profesional të tij në këto shërbime Vetëm djali im mund të më shpëtonte. Kur ia tregova këtë muhabet Kiros deri sa po gjuanim në Malin e Thatë, në anën e Gostivarit, desh uluriti mali nga të qeshurat e Kiros. Një babë i mirë nuk e fut nëpër ato ujëra djalin e vet. E shikon ti, më tha Kiro, asnjë nga ne, pa përjashtim, asnjëri nuk kemi futur fëmijët tanë nëpër ato dyer. Është punë me shumë rrezik, o Suljo, më pat thënë Kiro. Pastaj ma mësoi një strategji tjetër. Duhet të jeshë në ofensivë. Duhet të sulmoshë sa më shumë, pa ndërprerje. Për çdo problem të vogël, për çdo zënkë, apo intrigë sado e vogël, për çdo mosfunksinim të punëve, thjesht, pa ndërprerë sulmoe DBK-në, më pat thënë Kiro Fuzofski. Edhe këta do të nisin të ta kthejnë në të njëjtën mënyrë. Atëherë masa do të kuptojë se këtë sulm DBK-ja po ta bën për inat, sepse ti tashmë je bërë shkatërrues i ëndërrave të DBK-së, më sugjeroi Kiroja.
U bëra luftëtari më i denjë dhe më i ashpër kundër shërbimeve sekrete të shtetit. Por edhe këta nuk më ngelnin borxh, më sulmonin, lëshonin afera, më kërcënuan duke e lëshuar në opinion një nofkë false për mua “Zhika”, duke më përcjellë mesazh se në të ardhmen e shpejt, nëse nuk uli kokën, do ta nxjerrin nofkën time të vërtetë. Megjithatë, kjo sjellje e tyre ishte shumë dëshpëruese, para opinionit dilte si kapituluese. Nisën të më thurrin lavdërata shqiptarët, gjithandej viseve etnike. Tashmë të gjithë e dinin që isha i pathyeshë, isha shumë trim, isha shumë telashe për politikat diskriminuese shtetërore, prandaj edhe vazhdimisht jam në shënjestër të shërbimit sekret shtetëror, e cila po përpiqej të më komprmotojë. Tashmë nuk pinin ujë qarkullimi i informatave të tyre se dikur paskam qenë nxënës i këtyrë shërbimeve, nuk pinin ujë as inrigat e tye për kompomitimin tim. Të gjitha ato përpjekje e shtonin respektin e myslimanëve të vendit të cilët me më shumë dashuri mblidheshin rreth meje në luftë kundër këtyre shërbimeve. Dhe, kështu disi, u bëra i njohur si i vetmi njeri në trevat etnike që jam ekspert për t’i thyer shërbimet sekrete të një shteti. Mua asnjë shërbim nuk mundet të më gjunjëzojë, nëse nuk gjunjëzohem vetë.
Unë e përfitova përkrahjen e popullatës së gjërë në luftërat e mia për të mirën e myslimanëve të vendit. Me këto angazhime të mia në fakt i mbylla të gjitha shtigjet e DeBeKa-së për të më njollosur. Aq sa flisnin kundër meje aq më shumë bëhesha më i dashur e më i respektuar tek shqiptarët e mi. Ua përfitova zemrën shqiptarëve, ndërsa humba besimin tek UDB-a! Punë e madhe! Pse a pak ju kam shërbyer, a! Ja, nëse donë edhe më tej shërbimet e familjes Rexhepi, le të presin sa të rritet djali im i madhi. Deri atëherë, unë do të komandoj me BI-në, jam shumë i sigurtë në këtë gjë.

Memoari nr.47
Si u bëra lider i gjithë shqiptarisë

Në Maqedoni, tashmë partitë shqiptare i futa në grusht. Pak më vonë do të nis të më bëjë probleme njëfarë Qani Mazllami, kryetar i një partie e cila dëshironte të ngjyrosej me premisat e partisë myslimane por, me këto premisa menjëherë u diskualifikua, sepse, nacionalizmi shqiptar ishte më i madh se sa dashuria për PAD-in e Izetbegoviqit. Me dy-tre lëvizje do ta largoj nga skena politike Qani Mazllamin. Në Kosovë, dinaku i madh, lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, me përpjekjet e tij sikur po ma lehtësonte mua punën, apo më mirë me thanë, sikur po punonte për mua, informatorin e Kiro Fuzofskit. Ibrahim Rugova kishte themeluar Këshillin e Partive Shqiptare në Kosovë, ku aderonin deri atëherë dhjetë partitë shqiptare dhe, po thuajse asgjë nuk do të ndërmerrej politikisht pa kryetarin e këtij këshilli që ishte Ibrahim Rugova.
Në memoarin paraprak kisha theksuar se në zyren time shumë shpesh vinin Fehmi Agani dhe Ali Aliu. Fehmiu e dinte shumë mirë se kush ishte Ali Aliu, këtë e dinte edhe Ibrahim Rugova. Me qëllim që në shërbimet sekrete maqedonase mos të kishte dezinformta dhe zmadhim të kotë të gjërave, qëllimisht e mbanin Ali Aliun, sepse, e dinin që ai ishte raportues besnik. Njerëz të këtillë, pra raportues besnikë, shpesh përdoren nga sturkturat e cktuara me qëllim të futjes së hutive. Sepse, informatorët e tillë do të ofronin vetëm ato informata çka i dinin, për ato që nuk i dinin kishte njeri tjetër. Shpesh në zyren time futej vetë Fehmi Agani, kurse Ali Aliu rrinte në zyren e tokmakut tim, Shinazi Memedit, sepse, kishte gjëra që nuk duhej t’i dinte Ali Aliu, në të nuk kishte fort besim Fehmi Agani. Më vonë kam kuptuar që këtë truk qëllimisht e përdorte Agani, me qëllim që të më gënjejë mua kurse Ali Aliu, si banor i Maqedonisë të mos mbante përgjegjësi për dezinformatat e mia.
Mbaj mend se si një herë Agani më pat thënë që të insistoj në realizimin e një takimi me presidenti Turk, Turgut Ozall, i cili do ta vizitonte BI-në. më tha se, me te do të fliste për dy partitë turke në Kosovë, për të cilat do të kërkonte që të bashkëpunojnë me LDK-në dhe jo me PS-në e Millosheviqit. Më vonë kuptova se, të kota kishin qenë përpjekjet e mia për këtë takim, sepse ky takim kishte qenë i përgatitur përmes kanaleve të tjera. Këtë takim e kishte realizuar Ismail Bardhi bashkë me Muhamet Aruçin, ndërsa më ishte thënë mua dhe më ishin treguar gabimisht arsyet e takimit sa për të futur huti tek shërbimi sekret maqedonas. Thua të kenë pasur njohuri për takimet e mia të shpesta me këtë shërbim? Takimi u relizua, ndërsa, për habitën time të madhe, mua më dëbuan nga zyrja ime dhe, takimi i Aganit dhe Ozalit u relizua kokë më kokë. Kurrë nuk mora vesh se çka u fol në atë takim. Prandaj, që nga ai moment, zyrja ime dhe disa zyre të tjera u mbushën me, siç thotë Sali Berisha, çimka, me mikrofona e mikrokamera. Që nga ky moment, BI-ja ishte në shuplakë të DeBeKa-së!
Mua shpesh më duhej të kryeja edhe aktivitete kombëtare, të sillesha si lider i ashpër fetar, e kombëtar, të kundërshtoja shtet e pushtet, t’i bidnja të gjithë faktorët shqiptarë se në mua kishin bashkëpunëtorin e tyre më të zellshëm. Te unë dhe me mua janë bërë planet e shpalljes së Iliridës, te unë dhe me mua janë bërë planet e aferës së armëve, te unë dhe me mua janë bërë planet e Universitetit të Tetovës, te unë dhe me mua janë bërë shumë aktivitete kombëtare dhe, natyrisht, prej meje direkt te Kiro Fuzofski. Pse po e tregoj gjithë këtë gjë? Sepse kam hequr dorë nga ai shërbim? Ai shërbim tashmë më ka pensionuar, ka edhe shumë më të fortë se unë dhe më me elan që po i kryejnë punët. Po i tregoj se, po më bren ndërgjegja, një ditë do të zbulohen këto gjëra ndërsa për tërë këtë mund të fajësohet dikush i pafajshëm. Unë dhe Kiroja jemi zbulues të shumë aferave dhe projekteve shqiptare. Ndryshe, nuk do të mund të rrija në postin e Kryetarit të BFI-së. Duhej të rrija në krye të këtij Institucioni dhe të isha bindës si lider kombëtar dhe përmes meje të qarkullonin shumë informata e projekte. Ndryshe, nuk do të më mbanin në atë pozicion as dy minuta. Kjo ishte edhe arsyeja që po ky shërbim më vonë do të heq dorë nga Jakup Selimovski, sepse për shkak të përkatësisë së tij kombëtare prej torbeshi, vështirë se do t’i afroheshin shqiptarët. Shërbimeve sekrete nuk ju duhet lider i papërdorshëm. Këtë po e dëshmoj unë përmes këtyre memoareve dhe, po kështu, shumë vite para meje, këtë e ka dëshmuar edhe Nafi Çegrani, udbashi më i rreptë dhe, njëkohësisht, më i sinqertë shqiptar.

Memoari nr.48
Zenun Brishën e kisha lënë të merret me aktivitete fetare

Më duhej me çdo kush që ta arrija epitetin e liderit kombëtar. Gjithnjë e më shumë isha zhytyr në projekte politike, sepse, më vonë, të gjitha aktivitetet e mia që do të konsideroheshin si afera finansiare do të ishin të pavlera në raport me epitetin “lider kombëtar”. Në rrafshin e jetës fetare, formalisht e kisha lënë sekretarin tim, Zenun Berishin. Ishte njeri më serioz, me mustaqe, edhe pse me aftësi dhe njohuri të kufizuara fetare, megjithatë, gjithkund e prezantoja si krahun tim të djathtë, madje si njohës të madh të problemeve fetare. Në fakt, as në këtë fushë nuk bëhej asgjë pa lejen time, do me thënë, Zenun Berisha ishte vetëm një sekretar formal, sa për ta mbyllur gojën për karrierën time të mëparshme, sepse Znuni dinte mjaft shumë për mua, si i ri, kisha qenë më pak i vëmendshëm dhe shumë gjëra të pamoralshme i kisha bërë bashkë me të dhe në sy të tij. E mbaja si njeri të dytë të Meshihatit, kurse nuk ishte as i fundit. Më duhej për t’i kaluar aksionet fetar në të mirën time. Për shembull, të gjitha konratat për bartjen e haxhilerëve i bëja unë, kurse në bisedimet preliminare prezantonte edhe Zenun Berisha. Pastaj nuk e merrja, kurse konkurrentëve ju thosha se, “nuk do të pranojë bashkëpunëtori im me mustaqe, pa ia lyer fytin”, dmth pa ndonjë grusht paresh. Kështu, merrja dhuratë (që sot po i thonë korrupsion) në emër të Zenun Berishës e i fusja në xhep. Ashtu ndodhte edhe me shitësit e kurbanëve, asnjë çmim nuk kalonte pa “ia mbushur xhepat Zenun Berishës”, e që në fakt ishin xhept e mi. Kështu ndodhte edhe me blerësit e lëkurave. Asnjë nuk e fitonte tenderin pa i hedhur një grusht parashë në xhepin tim. Dhe, të gjithë e dinin që do të shkojnë në xhepin e Zenun Berishës. Më kujtohet se si një herë, një tuxhar i lopëve për kurban më pat thënë që, pse nuk e eliminoj Zenun Berishën kur qenka kaq i poshtër, kur po më futka mua në lojë që të fitoj për të. Më kërkoi leje që ai “t’ia hiqte flamën”! Natyrisht, nuk e lashë, sepse i shkreti jo që nuk kishte pikën e fajit por as që kishte më të voglën infomatë se çka po ndodhte për të. Megjithatë, një herë më zuri! Erdhi dhe me gjithë nerva m’u rras në fytyrë. Po dëgjohen disa fjalë rreth meje, më tha. Po thonë se po kërkuakam shumë rushfete dhe se, dje, në emrin tim ke marrur 38 mij marka gjermane Po, i thashë, ja ku janë, sapo deshta të të thërras dhe të t’i jap të gjitha, sepse, unë jam shok, nuk mundem të fitoj qoftë një metaik e të mos mendoj për ty. Ja, 38 mij marka dhe, po deshte ti, më jep ndonjë markë, nëse jo, hallall i ke të gjitha, i thashë. Atëherë, Zenun Berisha, i mori markat, i numëroi një me një, dhe, duke i qeshur cepi i djathtë i mustaqes, mua m’i ndau 20 mij marka e për vete i mori 18 mij marka, duke më thënë: pjesa më  madhe të takon ty, sepse ti je shtrënguar e je djersitur për këto marka. Miku i mirë gjithmonë e merr për vete pjesën më të vogël. Unë e mora pjesën time më të vogël! T’i dhashë të gjitha, për mua zero. Ty Zoti t’i shtotë më këtë gjest që e bëre. Je mik e shkuar miqve.” “Ne do të punojmë për gjatë kohë por, do të të mbaj gjithmonë larg kabinetit, me qëllim që mos t’ju bijmë në sy të tjerëve. Ti, dije, jam me ty dhe se ti je mik i im i pazëvendësueshëm. Nëse e ke pak lokalin e çajtorës, fol, ta nadjmë edhe ndonjë lokal tjetër. Nëse unë dhe ti nuk i ndajmë dyqanet atëherë jemi kot në krye të këtij Institucioni », i pata thënë Zenun Berishës, duke u angazhuar që tek ai të mos lë asnjë fije dyshimi për punët e mia që i bëja në kurriz e në dëm të tij.


Memoari nr.49
Bashkësohrtja ime, Sulovica, nuk i bënte kabullë «fitimet» e mia


Vitet e para të karrierës sime në krye të BFI-së i pata më të vështirat dhe me plotë zënka me bashkëshorten time. Sa herë që i kapte në duar pantallonet e mia, i mbante në ajër duke i peshuar në dorë. E kuptonte menjëherë kur kisha duç parashë dhe, m’i hidhte pantallonte surratit tim. Plotë nerva, kërkonte në detale që t’i shpjegoj se prej nga ato para. Të kota ishin përpjekjet e mia duke i shpjeguar dhe arsyetuar islamikisht. Natyrsht, gënjeshtrën ia shisja për islam por, bashkëshortja ime asnjëherë nuk e pranonte atë islam që t’i mbush xhepat me pare. E refuzonte atë islam dhe shkrepej në vaj. Ky qëndrim i saj, mbaj mend se si, një natë, më detyroi të dal jasht vetëvetes. U bëra shumë keq, u nervozova tej mase. E mora mamzerën nga muri, e mbusha plotë dhe si i çartur dhashë urdhër që të dalin të gjithë në oborr. I nxora në oborr edhe vëllezërit, edhe gratë e tyre, fëmijët. I vura në radhë të gjithë, dhe, nisa të shkoj te secili,duke ia vënë tytën në gojë e duke i pyetur: a jam unë hajn, a jo? Të gjithë e mohonin vetëm duke e luhatur kokën, sepse gojën ua zija me tytën e mamzerrës. Kur erdha te gruaja ime, i thashë: unë tërë jetës kam punar dhe kam pasur para me bollëk, kështu e kam mbajtur familjen, me mua janë krenuar prindërit dhe vëllezërit e motrat që i kam martuar me fitimet e mia. E ti më shanë, hajn, a! Desh e vrava, nuk di se si im vëlla, polici, ma nxori armën nga dora dhë më shtye drejt shtëpisë. E sollën një mjek dhe, mjeku konstatoi se në atë moment sheqeri më ishte ngritur deri në verbërim e në çmendi. Më dha një qetësues dhe, ashtu, i qetë, i qetë, me plotë nostalgji, nisa të flas për fëmijërinë dhe rininë time. Të tjerët po më dëgjonin me dhimbje.
“Kam vjedhur arave, kam vrarë kafshë, kam vjedhur pula, gjithçka kam bërë që në shtëpi, në mbrëmje, të sjell para. Kemi qenë të varfër kurse mua, si vëlla më i madh, më patën rënë të gjitha telashet familjare. Kjo nuk ishte punë e hajrit, nuk ishte fitim hallall megjithatë të gjithë e keni bërë kabullë, të gjithë jeni udhqyer e rritur me atë fitim. Pastaj, kur u rrita pak, ika në Prishtinë. Atje nuk rrihej me duar në xhepa, kushtonte qëndrimi atje. Prandaj nisa të merrem me shitje të biletave nëpër biaskopet ku jepeshin filmat seksi, sepse fitimi ishte më i madh. Po ashtu, blija duhan, e përzija të keqin me të mirën, kisha duhan që e përzija edhe me bagla të thata dhe ua shisja sidomos drenicakëve, pleq me mustaqe e me plis të bardhë. Kishte prej tyre që më kërkonin, që më kapnin e më rrehnin deri sa lodheshin. Pisat, edhe me mustaqe edhe bënin si fëmijë të fëlliqtë për një kile duhan. Fitoja edhe prej duhanit. Fitoja edhe prej arsimtarëve që u gjeja nxënësa që donin të blenin diploma në medrese por edhe nota. Pra, edhe këto para të duhanit e të filmave seksi ishin haram, por, ju mbaja të gjithëve. Të gjithëve ju martova e ju bëra njerëz. Ju solla para edhe nga vitete e mia si student në Kuvajt. Pse a mendonit që ato para aë vinin prej Kuvajtit ishin hallall a. Krejt haram, deri në fyt, megjithatë, ja ku ju solla, t’ju vie era njeri. Me hallall nuk jetohet, ose jetohet si të gjithë fukaratë. Unë kam vendosur që tashe tutje të jetoj si njeri normal. T’ju bëj shtëpi të gjithëve. Të gjithë ju keni nevojë për ndihmën time, për përkrahjen time që të zhvillonin karrierën tuaj. Të gjithë ju do të keni nevojë edhe më shumë, sepse, ja, po na rriten fëmijët, e këta do të kërkojnë të punësohen, të kenë shtëpitë e tyre, vetrat e tyre, do të kërkojnë të bëjnë jetë të natës, të shkojnë nëpër pushime verore e dimërore. Do të duhet të mendojmë për ndonjë villë, apo hotel në ndnjë bregdet. Unë do ta arijë këtë standard, për këtë kam garancë të fortë nga Kiroja i ciloi më premton se përjetë do të mbetem në krye të BI-së. Prandaj, moj grua ime, moj Sulovajcë, zgjidh e merr: ose të plakesh e të vdesish me mua, ose, baju me natë të sontme e më ler që ta jetoj jetën time. Sulë nuk bën nëna tjetër, gra plotë, sa të duash!»
Bashkëshortja ime, ma lexoi mendimin, ma lexoi nijetin dhe, veç psherëtiu njëherë: «Eh more njeri, Allahu mend t’i ruajt. Kshtu siç paske vendosur, paske me qenë taksirati im më i madh por, ishalla vdes unë para teje dhe nuk do të mbërrij të të shikoj se si plakesh i çmendur krejtësisht.» Kurrë më nuk ma ka thënë një fjalë ! U bë gruaja më e urtë, më e butë, dhe më e zgjuar prej të gjitha grave që ekzistojnë. Megjithat, kurrë nuk arrita t’ia kuptoj atë buzëqeshje cinike sa herë që e shtoja pasurinë!


Memoari nr.50
Si nisën të kërkojnë hise nga fitimet e mia ata të DeBeKa-së

Më vitin 1993, në prag të udhëtimit për në Arabinë Saudite, me qëllim të caktmit të kuotës për haxhilerët nga Maqedonia, nga Drejtori për zbulim dhe kundërzbulim këmbëngulin që të vijnë me mua Kiro Fuzofsi dhe dy të tjerë të clët kurrë nuk m’u prezantuan. Këmbëngula se në Meke e në Medine nuk mund të futen të pafetë, përveç myslimanëve, përkatësit e besimit islam. Më thanë që mos ta mendoja këtë problem, sepse brenda natës do të nxjerrnin pasaporta me emra myslimanësh dhe, nëse e donte nevoja, do të vinin në kokë edhe tërleme. Ashtu edhe ndodhi, Kiroja u emërtu Kerim Fazliu, ndërsa ata dy agjentët e tjerë u emëruan: Sabahudin Xhemili dhe tjetri, Bajram Hebibi! Që në nismë më thanë se do të isha në rolin e përkthyesit të tyre, ndërsa ata kishin për detyrë për t’i studiuar më për së afërmi zyrtarët arabë. Si kundërshpërblim ma mundësuan që të thoja se në Maqedoni jetojnë 1 milion e 400 mij myslimanë, me të vetmin qëllim që të siguroja kuotën prej 1400 haxhilerëve nga Maqedonia.
Në një restorant turk në Meke, më thotë “Bajrami”: “Dëgjo Mulla Sulo! Ti e di që në Maqedoni nuk jeni më shumë se 600 mij myslimanë, nja 400 mij shqiptarë dhe të tjerët romë, turq, boshnjakë, maqedonë myslimanë! Ty kaq të lejon shteti i Maqedonisë të bartësh haxhilerë. Këtë kuotë ta rritëm, sepse fitimin tjetër duhet ta derdhësh në arkën e drejtorisë sonë, sepse jo që ke marur me grushta vetë ti por, sepse duhet të mblidhet fondi edhe për aktivitete të mëtejme shtetërore.”
Nuk fola asgjë! Së brendshmi po digjesha flakë nga inati! Më hetuan se nuk do të ndodhte kjo që kërkuan. “Sabahudini” më kërcënoi duke me thënë se, nëse ata do ta deklaronin identitetin e tyre të rrejshëm te kolegët arabë, kjo do të ishte një skandal diplomatik, ata do t’i dëboshin ndërsa mua do të më fusnin përjetë në burg. Aman, ju thashë, jam në gjendje të bëj çfarë të kërkojnë vetëm mos të ma mbyllnin karrierën në këtë mënyrë. “Sabahudini” nuk më besonte fare, prandaj, ditën kur po niseshim për në Maqedoni, në aeroportin e Xhedes më tha se, ata kishin edhe një plan tjetër nëse do t’ju rrebelohesha kur do të ktheheshim në Maqedoni. Më thanë se do të flisnin me habi nëpër media për deklaratat e mia shumë korrekte të shprehura në Arabi se, në Maqedoni nuk ja më shumë se 400 mij shqiptarë, apo 600 mij myslimanë. Prandaj, sapo u kthyem, në një intervistë të parë timen deklarova për inat se në Maqedoni jetojnë 1 milion e 200 mij myslimanë, apo mbi 900 mij shqiptarë.

Kisha dalur për gjyeti kur që të tre më dolën në rrugën malore dhe, thjesht, më çarmatosën. Kiros i vinte keq, ndërsa ata dy më zhveshën në brekë e maicë! M’u kërcënuan keq. Ju thashë, më vrani, para nuk jap. Ku do të jipja para unë që, për paranë e lija kokën, bëja punët më të fëlliqta vetë e vetëm ta shtoja buxhetin tim familjar. Tani a edhe për kaurë do të punoja! Mjaftonte kontributi im prej spiuni. Para nuk jap! I kam për vete...

0 comments :

Post a Comment