Skip to main content

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (11-20)

Memoari nr.11
NË BASRA, UNË SULA SI SHEIKËT KUVAJTIANË

Tashmë kisha nisur bukur mirë të komunikoj në gjuhën arabe. Po i ndiqja ligjeratat e Sheriatit. Më duheshin studimet e këtij fakulteti. Duke i udhëhequr drejt e mirë muslimanët e mi ata do të më besonin mua, pavarësisht se çka do të bëja unë e me se do të merrsha përveçse me hoxhallëk. Këtu profesorët na thoshin, nëse studioni vetëm sa për të qenë hoxhallarë profesionistë ju ka hëngër dreqi, sepse nuk jetohet vetëm me hoxhallëk.
Pare kisha plot. Kredi të mirë studentore. Për studentët e Jugosllavisë isha tamam sheik. Prandaj edhe shtyhesha me sheikët e vendit, apo, më mirë me thënë, kisha shumë qejf t’i imitoj ata dhe jetën e tyre.
Relacionin më të shpeshtë e kishin deri në Basra të Irakut. Vlonin si bubrreca, në këtë relacion. Më vonë e kuptova se në Basra jetohej një jetë nën mesatare. Sadam Hyseini nuk i kishte lënë kurrë që qytetarët e Basrës të merrnin frymë shlirshëm. Pse? Sepse, pikërisht për faktin se shumica e qytetarëve të Basras kishin qenë shi’itë. Pak prej fukarallëku, pak prej traditës shi’ite për një dukuri që asnjëherë më parë nuk e kisha dëgjuar, sheikët kuvajtianë dhe qytetarët e Basrës bashkëjetonin për mrekulli. Bënin jetë e shkuar jetës. Qejf po, zef po, pije deri në kupë të qiellit! Liri absolute, jetë që nuk gjendej në Kuvajt. Vendosa që të ec gjurmëve të tyre. Ç’mund të kenë arabët më shumë se unë që kaq shumë e vizitojnë këtë qytet. Nuk ishte shumë i largët nga qendra studentore ku isha i vendosur, nja 80 km. Te shi’itët në Basra shkohej ekskluzivisht për shuarjen e epsheve shtazarake. Aty zinaja ishte shumë legjitime, ishte, thjesht, institucionale, për kurvëri nuk të pritej koka e as që të gurëzonte ndokush. Pastaj, Sadami i keq! Kurrë! U kishte dhënë liri absolute shi’itëve, deri në respektim edhe të kësaj tradite. Kurorëzimi që i thoshin “El mutta”, që do të thotë “kurorëzim i përkohshëm”. Shko në Basra, futu në agjenconet speciale, ku të prisnin bukuroshet iraniane, si dhe mullai i cili, sipas “sheriatit” të tyre të kurorëzonte përkohsisht me cilëndo nga femrat që e pëlqeje. Dhe, ky lloj kurorëzimi zgjaste sipas marrëveshjes: një orë, një ditë, një javë, një muaj. Nëse të pëlqente ndonjëra e mbaje për më gjatë, nëse jo, e mbaje vetëm aq sa mbaroje punë. Pastaj shkurorëzoheshe në mënyrë shumë paqësore. Ty lezeti atyre dinarët kuvajtianë.
Më në fund e gjeta se pse sheikët kuvajtianë vdisnin për këtë relacion, të cilin e bënin me padurim, si të çartë. Fusnin ca gjethe në gojë, i përtypnin si lopë dhe drejt e në Basra. Pare po, femra po – zgjate Zot këtë jetë.
Kur e bëjnë këtë arabët, pse nuk e bëj edhe unë! Kështu nisa edhe në këtë rrugëtim t’i emitoj sheikët kuvajtianë. Pare, bari, femra shi’ite! Niqah me hoxhë, pa i detyruar dhe pa e dhunuar askend. Gjithçka me dëshirë, me qejf dhe me bindje se po bëjmë punë të mira. Allahu alem!

Memoari nr.12
NË BAGDAD TË NGJALLET DËSHIRA PËR HAJNI

Pas gati dy viteve rresht, vendosa që mos ta frekuentoj më atë relacion deri në Basra. M’u bë më shumë se shprehi, më kaloi në pasion të papërmbajtur. A ishte punë që dy dinarë bashk t’i shpenzoja në Basra?! Vendosa të lëvizja tutje. Bagdati m’u bë obsesion. Nisa ta vizitoj shpesh këtë qytet. 
Vetëm  në Bagdad mund ta ndjeshë ndjenjën e lashtësisë, vetëm aty ndjenë sikur vjen nga një fund i botës dhe sikur gjendesh në fund të botës. Bagdadi të jep po atë ndjenjë të cilën e dëshiron.
Në Bagdad mund të ndjehesh princ i lashtësive! Mund të ndjehesh zot i gjuhërave të lashta; mund të ndjehesh baba i diturisë, mësues i të gjithë filozofëve; vetë aty mund të ndjehesh si udhëtar duke ecur në tunelin më të gjatë të botës e të ndriçuar nga llambadanet që lëshojnë flakë me ngjyra nga më të çuditshmet. Vetëm  në Bagdad mund të provoshë që të ndjehesh si posedues i pasurive më të mëdha të botës; mund të ndjehesh pronar i qilimit fluturues, pronar i shpatave më të mprehta dytehëshe; vetëm në Bagdat mund të flasësh me shishet dhe në ndërkohë të jesh i bindur se po flet me xhindin e future në shishe. Në çdo cep të rrugicave të Bagdatit e kërkon Ali Babën, sepse e ndjenë trokun e kuajve të katërdhjetë hajdutëve.
Mbi të gjitha, në Bagdat seç të ngjallet dëshira për të qenë hajn, për t’u futur në botën e hajnave, seç të ngjallet dëshira e flaktë për të qenë njëri nga ata dyzet hajdutët e Ali Babës.
Në Bagdat, si në asnjë vend tjetër në botë, ke dëshirë të mendoshë për perfeksionizmin e zejes së hajnisë, ke kohë të mendoshë për hajni, në fakt aty vetëm sa të zhvillohet mendimi dhe filozofija e hajnit. Aty, si në asnjë vend tjetër në btë të shtohet dëshira për t’u brumosur me shkathtësitë e hajnit. Trim po, i sertë po – parakushte këo për t’ju qasur hajnisë.
Ja pse nisa ta vizitoj qytetin e Bagdatit. Më mirë aty ku më zhvillohej kjo filozofi, se sa në Basra ku mbi fakir femrat shuhej epshi shtazarak. Të gjith sheikët më dukeshin si shtazë, si derra të egër. Unë, edhe sot kur të vras ndonjë derr kam përshtypjen se kam vrarë një nga ata sheikë derra të shkretëtirave kuvajtiane.


Memoari nr.13
UNË HOXHA SHIZIK I JAHJA PASHËS

Asnjëherë nuk më ka shkur mendja që të bëhem një me mendjen e gjenertës më të vjetër të myslimanëve tanë. Jo që ishin tepër naivë, jo që ishin verbërisht të orientuar kah një islam të deplasuar por, thjesht, ishin të padurueshëm me fanatizmin e tyre të sëmurë. Nuk e kisha duruar kurrë babain tim e lëre më të vjetrit e tjerë. Prandaj, planifikoja që të bëhesha atraktiv për rininë ateiste, për rininë që dëshironte t’i jepej ibadeteve si dhe për shtresën intelektuale të cilët ishin lodhur me hoxhallart e bërë për ibret.
Këtë synim e nisa duke ia imponuar vetes një imazh më tjetërfarëshe nga ata që ishin mësuar deri atëherë myslimanët e vndit. Nisi t’i mbajë flokët e gjata, si shizik, i rrisja deri pas shpine, ecja me farmerka, me këmisha e maica të ngjitura për trupi. Dëshiroja të më shihej trupi im muskuloz, të bija në sy, jo vetë si i shkathët por edhe si trim.
Dorën në zemër, kështu më kishin thënë ata “të zinjtë” në polici, të dukesha sa më atraktivë për të rinjtë, të futesha në mesin e tyre dhe të isha i tëri sy e veshë për të dëgjuar se çka flasin e çka mund të planifikojnë kundër fryteve të socializmit. Ishte plan i përbashkët që unë të tregohem i zoti jo vetëm në mesin e të rinjëve por herë pas herë të shkoja me ta për punë administrative dhe të ngrisja zërin aty e t’ju bërtisja të gjithëve. Duhej të krijohej një personazh trim, një Mulla Sulë që i dridhë slluzhbenikët.
Kush nuk kishte qejf të rrijë me mua, të ec me mua, të shkojmë nëpër ndeja e punë të ndryshme bashkë me mua. Kishte shumë nga ata slluzhbenikë që nuk çanin kokë as për parti komuniste, as për fe, as për hoxhë. Nuk pranonin të luanin lojëra, madje as që duronin të flitej për teologë e për myslimanë. Thjesht, ishin shumë të ngarkuar, ngarkesë këtë antiislame që e kamuflonin me përkushtim ateist ndaj komunizmit. Edhe për të tillët kisha plane, patjtër që do të më kryenin punë, sepse shërbimet që m’i kryenin mua më bënin më të fortë në mesin e xhematit tim. Të tillët i korruptoja me mish nga gjyetia, apo me shoqërimin e tyre për në gjyeti. Kësisoj u bëra edhe gjyetarë profesionistë, sepse duhej disi t’ju shërbeja slluzhbenikëve me qëllim që të merrja shërbime prej tyre.
Kur u angazhova në këtë xhami, hala kishte myslimanë që ishin të bindur se islami rrinte në tërleme e në kapela gabelësh siç i mbanin ata të Karshiakës. Hala kishte nga ata që nuk pinin ujë në këmbë pa u ulur, madje kishte nga ata që edhe pse uleshin, nëse qëllonin pa kapelë, e venin dorën mbi kokë deri sa pinin ujë. Hala kishte nga ata që kur pëshurreshin binin në dy gjunjë. Dmth kishte nga ata myslimanë të cilëve dikush islamin ua koshte mësuar si me tallje. Fillova që t’i gëdhend e t’i fus në fe. Myslimanët e Shkupit duhet të ma dijnë mua për nder që i bëra myslimanë të vërtetë, dhe që i nxora nga situatat cirkuzante ku ishin deri sa nuk u futa në zhvillimin e jetës islame në vend. Kush guxonte të më bëjë gëk me gojë. Me pushtet i fortë, me njohuri fetare i fortë, me shokë po, besa edhe me armë! Megjithatë, nuk mundem kurrë ta harroj haxhi Kajollin i cili, si primitive që ishte, një herë më provokoi shumë keq. Derisa po ju flisja të ulur ne mes të oborrit të xhamisë, pak para se të niste namazi i drekës, haxhi Kajolli më pyet nëse isha në gjendje me forcën që kisha të këpusja një fije bari. U qesh si i marrë dhe sakaq ia këputa fijen e barit dhe desh ia futa në hundë. Jo, më tha, jo me dorë, por me bythë! Kjo më ofendoi shumë, por, njëherit edhe më këndelli pak. Që në atë moment, fillova të isha më i matur, sepse, nuk ma kishte marrur mendja se Mulla Sula i fortë me hyqmet do të gëzonte që dikush të tallej aq rëndë me mua. Aty pashë shqiptarë të cilëve nuk u hante palla për hyqmet. Pashë shqiptar me një vesh!

Memoari nr.14
UNË HOXHA KOMUNIST


Tashmë kisha arritur aq famë sa, çfarëdo që të bëja nuk mund të më kundërshtonte askush dhe as të më përfolte, sepse pastaj do t’i dilte punë me mua. Më lehtë kalonin me kafshimin e gjarpërit se sa me inatin tim. Mos ta teproj shumë por njerëzit filluan të flasin e të gjallërojnë mu sikur kur erdhi Pejgamberi s.a.v.s. në mesin e myslimanëve injorantë e analfabetë. Madje shpesh thosha më vete se, sikur të isha unë në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., po çfarë Ebu Bekri a çfarë Alie r.a. apo Omeri r.a. do të mund të më dilnin përpara. I njoh unë arabët, i di se çfarë trimash janë, prandaj më vinte shumë keq që nuk kam qenë në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. për t’ia lehtësuar punët. Nejse, çka ikë nuk kthehet !
Inkuadrimi im në Këshillin e Shkupit, që atëherë ishte si sot Myftinia e Shkupit, u përcoll edhe me inkuadrimin tim në Lidhjen Komuniste të Qytetit të Shkuit. Merrja pjesë rregulisht nëpër mbledhjet e Partisë Komuniste, ndërsa po kaq shpeshë më duhej të takohesha edhe me njëfarë serbi që më thoshte ta thërras Çiçko Stojimir. Ishte shka e shkuar shkijeve. Tepër kopil e i shkathët. Ishte si rojtari më i madh i komunizit.
Çiçko Stojimiri kishte për detyrë që nga unë të bënte liderin e ardhshëm, të bëte prototipin e hoxhës komunist. Ai kërkonte që çdo gjë, gjithçka, madje edhe islami të ishte në shërbim të komunizmit, sepse, nëse bie ky sistem, atëherë bashkë me ta do të ikja edhe unë. Kjo tezë e tij m’i hapi shumë sytë. Për t’u arritur kjo duhej që unë të gëzoja një autoritet shumë të madh jo vetëm në mesin e teologëve të vendit por edhe të mbarë myslimanëve. Ky autoritet nuk arrihet vetëm me dituri. Unë dituri kisha sa shejtani ! Kërkohej që të isha edhe më trim, më kacafytës me anëtarët e Lidhjes Komuniste të Qytetit, por jo t’i provokoja, t’i ofendoja, por të kërkoja prej tyre që edhe islamin si dhe pjesëtarët e kësaj feje të shiheshin me sy të mirë dhe të përfshiheshin, të paktën, në Komunalec. Shqiptarët myslimanë kënaqeshin edhe me një fshisë në dorë. Por, edhe për këta pastrus duhej të ishin lojalistë të mëdhenj si të fesë ashtu edhe të Partisë. Shpesh pyesja më vete : po a mundet njeriu t’i mbajë dy shalqij në një dorë ! Nëse jo, le ta hedhin njërin dhe, për mua shumë me rëndësi ishte të mbaheshin për komunizëm se sa për fe, sepse të tillët do të ishin vetëm barrë e qelbur e fesë islame.
Duke qenë kaq i hapur dhe kritik nëpër mbledhjet e Lidhjes Komuniste, në fakt unë u bija të gjithë atyre shkelësve të ideologjisë komuniste. Në Komunizëm nuk ka mysliman, krishter, shqiptar, serb e maqedon – të gjithë jemi komunistë dhe dashuria e respekti duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët e Jugosllavisë! Ky ishte parimi bazë i ideologjisë komuniste mbi shtyllet e çelikta të të cilave po qëndronte stoikisht shteti ynë i përbashkët, Jugosllavia.
Të gjithë habiteshin me mua: edhe hoxhë i fortë por edhe komunist i fortë! Mua më duhej kjo, sepse, këshu më mësonin. Ndikimi im në organizatë e në shoqërinë tonë me tërleme e kapuç gabelësh duhet të jetë i madh. Sepse, me këtë ndikim do të arrija atje ku po synoja. Në rast se do të binte sistemi, prap do të isha përfitues, sepse për mua tashmë po flitej si për një trim që nuk i ha palla as për sistem e as për komunistë, që i bie se isha antikomunist i madh. Nga ana tejtër, ky qëndrim i imi prej një trimi të paepur, bënte që të më ngjiteshin si ai sendi për këpucë hoxhallarë e myslimanë të ndershëm të cilët për islam ishin në gjendje të bënin gjithçka, madje ta përmbysnin edhe sistemin. Pikërisht këta duhej t’i gjuaja, t’i survejoja dhe në fund t’i dorëzoja në organet e terbisë.
Më thoshin, duhet të dukesh si zjarr, si prush. Kushdo që të të shohë menjëherë të thonë “Evoga Zharko” (“Ja Prushi”, me demek, njeriu i zjarrtë!) Dhe, kësisoj më mbeti kjo nofkë!


Memoari nr.15 
SI I SILLJA NË STRUMBULLAR HOXHALLARËT E VENDIT

Më herët nuk e dija se në strukturat e Lidhjes Komuniste kishte qenë edhe një person tjetër, i cili ishte më i avansuar se unë. Madje më i avansur se unë ishte edhe në strukturat e Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Desh pata plasur nga inati kur e morra vesh këtë. Por, kur më thanë se kishin njerëz edhe shumë më të aftë dhe më burgi se unë, kjo më theu në dysh zemrën. Por, më qetësuan kur më thanë që mos të brengosesha se personi në fjalë, edhe ky teolog, do të duhej që tërë jetës së vet të ishte në shërbimin tim. Ai nuk ishte konkurrenti im por njeriu që do ta luante lojën në llogarinë time. Ishte Sherif Dehari, kryetari i shoqatës “Ilmije”, i cili, sipas traditës, si të gjithë kryetarët pararendës të kësaj shoqate, ishte i zgjedhur në këtë post nga Lidhja Komuniste e Maqedonisë dhe se të gjithë kishin qenë të infiltruarit e sistemit.
Sherif Dehari, në njëfarë forme, ishte spiuni im që vepronte në terren e nëpër xhematë të ndryshëm. Ai duhej ta propagandonte guximin tim dhe kritikat e mia kundër komunistëve përgjatë mbledhjeve të ndryshme të partisë komuniste. Më thonin se çfarë duhej të flisja nëpër mbledhje, ndërsa Sherif Dehari, pastaj, do të duhej të propagandonte si nëntokë tek teologët e vendit dhe të fliste për mua si për një “buntovnik”, rrebel.
Sherif Dehari me vetëdije dhe me detyrë i çonte të gjithë të sillen rreth meje. Më rrahnin shpinës e më inkurajonin që të vazhdoja me këtë guxim. Ata që kishin paksa njohuri mbi Lëvizjen “Vëllezërit myslimanë”, në mua shihnin një njeri të denjë për ta udhëhequr këtë lëvizje në Maqedoni, ndërsa shumica më shihnin si shpëtimtar i islamit në nënqiellin tonë. Vetëm a ishe i zoti të mbaje mend, vinin te unë e rrëfeheshin edhe për sa lugë të çajit i kanë në shtëpi. Më duhet të pranoj një ves timin! Meqë isha i pangopshëm në konsumimin e mishit, fillova që të praktikojmë një traditë të re, të tuboheshim nëpër shtëpia sa më shumë imamë e xhemat, të hanim e të shpralloheshim. Aty pastaj mbushesha me informacione, si akumullatori me energji dhe, pastaj për një javë rresht kisha se çka të flas me Çiçko Stojimirin. Hera e parë ishte e vështirë se pastaj u bëra rrafsh. Nuk ishte lehtë herën e parë, t’ua hashë bukën me mish, të të rrahin shpinës duke u krenuar me ty, të të shihnin si shpëtimtar të islamit dhe, në fund, të dekonspiroheshin nga unë.
Jo se nuk e doja popullin tim, jo se nuk isha i kauzës kombëtare por, nuk mund ta paramendoja kombin tim me aq naivë e me aq tradicionaistë në mesin e vet. Të tillët nuk i duhen shtëpisë së vet e lëre më kombit. Unë nihja me mijëra të tillë, prandaj, shpesh edhe brengosesha: çka nëse nuk mundem t’i djeg të gjithë duke i dorëzuar te Stojimiri, kur do të pastrohet kombi im prej këtyre hendikepëve. Lloj-lloj hoxhe, lloj-lloj mësuesi e profesori, lloj-lloj zanatçije e mjeshtri, të gjithë këta kundër Partisë Komuniste. Nuk e dinin të ngratët se, pikërisht Partia Komuniste i kishte hyrë revolucionarizmit të popullit shqiptar në Maqedoni, duke dërguar kuadro nëpër qendra të ndryshme arsimore, jo vetëm brenda  Jugosllavisë, por edhe jasht, siç ishte rasti me ne që po shkolloheshim nëpër shtetet e ndryshme arabe, prej nga nuk vinte kurrfarë rreziku për Jugosllavinë, sepse të gjitha ishin satelitë të Jugosllavisë që përkujdeseshin për mirëqenien e këtij shteti. Kur nisa ta kem parasysh nevojën e spastrimit të popullit shqiptar prej këtyre plehërave, atëherë, isha në gjendje që edhe me muzikë, për çdo orë të shkoja te Stojimirat që përkujdeseshin për qërimin e shqiptarëve.
Unë isha kurthi i madh ndërsa Sherif Dehari, shprehur me gjuhën e gjyetarit, e kryente rolin e zagarit, i ndiqte viktimat duke i lehur pas, ndërsa viktimat nuk kishin se kah të shkojnë, drejt e te unë. E patëm luajtur shumë mirë këtë lojë. Madje, për sinqerietin dhe besnikërinë e vet, më vonë, shumë vite më vonë, Sherif Deharin, ndonëse për një kohë të shkurtër, do ta gjejmë edhe në postin e Kryetarit të BFI në RM. Në atë kohë, unë isha tërhequr, si ndëshkim nga strukturat e caktuara shtetërore për faktin që e kisha minuar një projekt gjigant që po e udhëhiqte Jakup Selimovski me do bashkëpunëtorë të tjerë që rastësisht gjendeshin në Këshillin e Tetovës (Myftinia e sotme e Tetovës). Arrita që ta rrënoj atë projekt antimusliman, ndërsa si ndëshkim më larguan mua. Pastaj na urdhëruan që të afrohemi të gjithë, të bashkëpunojmë, të kyçemi nëpër struktura të larta të BFI-së dhe, sërish unë u bëra kryetar, dikush tjetër myfti në Tetovë, dikush kryetar Kuvendi të BFI-së, dikush drejtor i sektorit fetaro arsimor, ndërsa Sherifin e pensionuam duke e futur në Myftininë e Gostivari. Lojë e mirë është vetëm ajo që luhet sipas udhëzimeve të instruktorit. Ne të gjithë e kishim të njëjtin instruktor, edhe pse këtë nuk e kishim ditur kurrë.

Memoari nr.16
GJYETINË E PËRDORNIM SI ORË PËR STËRVITJE POLICORE

Nuk e kisha të vështirë shkuarjen time nëpër sallat e mbledhjeve të Lidhjes Komuniste të Qytetit. E kisha të vështirë kur shkoja nëpër zyret policore, jo sepse frikohesha prej tyre por, thjesht, ngase nuk më vinte mirë të më takonin aty, ashtu siç i takoja unë hoxhallarët tek shkonin për të “kënduar”. Unë i kam parë të gjithë, i njoh me emër e me mbiemër, me siguri që edhe ata më kanë parë. Unë kisha arsye se pse shkoja, po ata hoxhallarë, ç’kërkonin nëpër zyret policore?!
Thjesht, unë ia kisha mësyer të bëhesha i pari i Bashkësisë Islame. Tashmë po ndihmohesha nga të gjitha anët, thjesht, po shtyhesha përpjetë. Përmes meje, më së miri dhe më së lehti Partia Komuniste do të kishte ndikimin e vet dhe kontrollin mbi Bashkësinë Islame si dhe mbi të gjithë teologët. Ata që do të ishin me mua ishte e qartë që automatikisht ishin me Partinë Komuniste, dhe këtë do ta donin të gjithë, ndërsa ata që rrinin larg meje, automatikisht nënkuptohej se janë kundër Partisë dhe, të tillët e hanin pastaj shumë keq.
I keni parë dhentë para lumit të rrëmbyeshëm? Ato nuk e kuptojnë nëse mund të kalojnë në anën tjetër të lumit apo jo. Sapo të hidhet një dele, të gjithë pastaj pas saj fillojnë e hidhen! Kështu nisën të bëjnë edhe shumë hoxhallarë që në përditshmëri silleshin rreth meje si mizat rreth… Nisën me të madhe të shkojnë në polici. Po kur kishin filluar të raportojnë edhe për mua, pa e ditur se sjelljet e mia ishin në përputhje të plotë me instrukcionet e tyre!
Një ditë më thanë që të sillesha sa më pak nëpër ato zyre se do të më shihnin të tjerët e do të flisnin në popullatë. Në fakt, nuk ishte kjo arsyeja, ata frikoheshin në mos do t’i mësoj unë të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të tyre. Disa i mësova, madje haptazi i kam qortuar, prandaj dhe propozuan që takimet tona më intensive të ishin në terren, gjatë aktiviteteve të gjuetisë. Edhe gjuanim edhe flisnim, edhe planifikonim, edhe raportonim, dhe i merrnim detyrat e mëtejme. Dhe, kështu, gradualisht pastaj gjyetia mu bë pasion. Në fakt, është e pamundur, absolutisht e pamundur, të jesh gjyetar e të mos jeshë bashkëpunëtorë policie. E pamundur! Të gjihë ata që dalin për gjyeti që në fillim, që në marrjen e lejes së armës për gjyeti, marrjes së lejes për gjyeti e deri te vrasja e kafshëve më të mëdha, dëshmojnë se janë bashkëpunëtorë të denjë të sistemit, porse këtë e kamuflojnë përmes trimërisë, përmes shenjimit dhe përmes shtrimit të darkave dhe ahengjeve që i bëjnë. Madje, gjyetarët më se shtatëdhjetë për qind dalin për të gjuajtur pasi të urdhërohen nga instruktorët e tyre policorë për t’ju siguruar ndonjë derr të egër, ndonjë lëkurë dhelpre për zonjat e tyre, ndonjë lëkurë ariu apo ujku për dhomat e tyre të gjumit. Në kohën tonë të kishe një armë legale do të thoshte që të jeshë shumë afër hyqymetit, do të thoshte që je shumë i fortë me hyqymetin, pra edhe në mundësi për të kryer ndonjë punë nëpër zyret e administratës ku talljet me shqiptarë ishin të llojllojshme. Po dhe e meritonin të talleshin. Shkonte tipi për ta nxjerrë nonjë dokument dhe, sapo  e pyesnin se si quhej, ia priste: Mulla Jahja, apo, hafëz Idrizi, hafëz Adem apo haxhi Gania, etj, etj. Kështu krijohej përshtypja se këta janë tipa që nuk e dinë as mbiemrin e vet ndaj dhe nuk meritojnë sjellje korrekte.
Kisha dëgjur se, këta të policisë gjyetinë e përdornin edhe për eliminim dhe për zhdukje të bashkëpunëtorëve të vet të  cilët devijojnë dhe në vend se të punojnë për sistemin nisin dhe punojnë për vetëveten. Ç’është e vërteta, unë veçmë kisha filluar të punoj për vetëveten ndaj dhe, shumë shpesh, kur dilja me ta, më tepër e ruaja shpinën time prej tyre se sa prej ndonjë bishe të egër. Elhamdulila, Zoti i ruajtë, gjithnjë u treguan të sinqertë me mua, deri në këtë dakik! Më të sinqertë, më të guximshëm dhe më të përpiktë se unë në planet e tyre nuk kishin njeri, ndaj dhe ju duhesha, ashut siç më duheshin edhe ata mua për karierën time.
Në zyret policore, asnjëherë, asnjëri nuk do të marrë guximin të të thotë se, nëse bashkëpunëtori yt të tradhëton likuidoje fizikisht, ndërsa në gjyeti jo që të thuhet kjo gjë por, madje edhe të trajnojnë se si të qëlloshë në njeri si në derrin e egër. Uh sa derra të egër që kam vrarë! Po çfarë mishi të mrekulueshëm që ka! Pata hëngër vetëm një herë në një rast dhe, kurrë më. Myslimani nuk e ha mishin e derrit.

Memoari nr.17   
KUJTIME NGA MBLEDHJA E LK TË QYTETIT

Deri vonë ruaja shumë kujtime nga aktiviTetet e mia në Lidhjen Komuniste të Qytetit të Shkupit. Shoh që, kohëve të fundit, mbamendja po më tradhëton.
Në mendje më sillen reagimet e maqedonasëve, të komunistëve të regjur, të cilët, assesi nuk bindeshin se unë isha hoxhë. Nuk mund të paramendonin një hoxhë shizik, kopuk, një hoxhë që nuk i bënte përshtypje harami i të tjerëve por as hallalli i myslimanëve. Unë, në atë kohë kisha vetëm një bindje, që më ishte shndërruar në mision: hallall është ta rujmë komunizmin, si sistem, sepse edhe vetë Libri ynë i Shenjtë na mëson që t’i nënshtrohemi pushtetit dhe mos ta turbullojmë, sepse turbullimi i pushtetit do të thotë varrezë me përmasa të paparashikueshme për shoqërinë. Ruana Zot!
Edhe ky qëndrim i imi ju bënte shumë përshtypje, madje, më duhej të bëja shumë më tepër por edhe praktikisht, me qëllim që t’i bindja të gjithë ata se unë me të vërtetë isha hoxhë komunist, hoxhë që i frikohet vetëm Allahut xh.sh., Atij i cili i ka inspiruar njerëzit e mençur që ta formojnë sistemin komunist dhe ta kujtojnë më të mirën për shoqërinë. Deri më tani është dëshmuar se, si në Komunizëm nuk është jetuar kurrë më mirë, në asnjë kohë dhe në asnjë hapësirë. Prandaj nuk pendohem që me aq sinqeritet angazhohesha për sistemin komunist. Nuk i tërheq mallkimet e mia që i kam derdhur mbi të gjithë ata që u bënë sebep që të shkatërrohet ai sistem i cili mbi të gjitha ishte shpëtimtar për myslimanët e në veçanti për shqiptarët.
I kritikoja ashpër të gjithë komunistët që nuk i zbatonin porositë e Lidhjes së Partisë Komuniste, që ishin platformë e bashkim-vëllazërimit si dhe barazi për të gjithë. Barazi duhej të kishte edhe për myslimanët e vendit. Insistoja që teologët myslimanë të respektoheshin si vlerë e shoqërisë. Isha i patolerueshëm në raport me udhëheqësit e Qytetit të cilët hezitonin të lironin dyqane që dikur kishin qenë pronë e Bashkësisë Islame. Në fakt, në ato dyqane shihja përfitime të majme për vete, sepse, nuk ishte gjithaq keq për finansa Bashkësia Islame e cila merrte edhe nga buxheti republikan por edhe nga buxheti federativ. Dyqanet e Çarshisë së Vjetër ishin pronë e vakëfit të cilat duhet të menaxhoheshin nga unë, si referent në Këshillin e Shkupit pranë Bashkësisë Islame dhe jo të menaxhoheshin nga Qyteti i Shkupit. Kishte njerëz shumë të pasur, që ishin në gjendje të afrojnë para të majme, vetëm e vetëm të marrin dyqane në Çarshi. Nuk më interesonte se kush do të bëhej pronar i atyre dyqaneve, myslimanë apo të krishterë, më interesonte se kush do të jepte më shumë!
Dhe, tërë ky angazhim i imi nëpër mbledhjet e forumeve të ndryshme komuniste, te popullata vinte dhe shpjegohej si trimëri e një teologu të ri i cili lindi për ta shpëtuar Islamin në Maqedoni. Shumë shpejt do të rrethohesha me miq e më dashamirë, me pushtetarë e me të varfër, u bëra çelës i zgjidhjes së të gjitha halleve. Te Mulla Sula nuk kishte “nuk di”, “nuk bën” dhe “nuk mundem”! Mjafton të thuhej “më çoi Mulla Sula”, apo “ka thënë Mulla Sula”!
Kur ngritesha në këmbë, për të diskutur nëpër mbledhjet e partisë, të gjithë dridheshin nga frika, sepse, i godisja të gjithë, pa pardon. Askush nuk më reagonte, sepse të gjithë ishin të bindur se, kur flet Mulla Sula, në fakt kanë folur organet më të larta të Lidhjes Komuniste. Pastaj, ato paraqitje kritike të mijat diskutoheshin në Këshillin e Shkupit, me hoxhallarë e me xhemate. Tani më po bëhesha me krah, po fuqizohesha gjithnjë e më shumë. Sherif Dehari, edhe pse me pozicione më i madh se unë, si në Parti ashtu edhe në Bashkësi, megjithatë gjunjëzohej para meje. Për mua nëpër mbledhjet e forumeve të Bashkësisë Islame fliste si për një fuqi më të madhe që e ka pasur ndonjëherë Bashkësia Islame. Në organet partiake flitej për mua si për një komunist të paprekur kurse në BI flitej për një hoxhë të papërkulur! Kjo ishte propaganda më e madhe për mua e cila m’i hapte të gjitha shtigjet drejt karrierës sime. Duhej të arrija majen e autoritetit të fuqishëm. Pa dyshim, kjo arrihet vetëm duke qenë i përkushtuar pas vlerave të sistemit politik shoqëror si dhe duke e disiplinuar xhematin i cili duhet të arrijë shkallën e besueshmërisë së paluhatshme ndaj udhëheqësit të vet fetar. Atë çka e thotë Mulla Sula, asaj thuaji AMIN! Kështu ka qenë në Komunizëm, kështu duhet të vazhdojë edhe në demokraci. Si sistemi, si xhemati – Mulla Sulës duhet t’i thonë AMIN. Kjo është karrierë. Gjithçka tjetër është humbje kohe. Humbja e kohës, sipas islamit, është haram!

Memoari nr.18     
ËNDËRROJA LIDHJE SHPIRTËRORE IMAM-TITO


Ndërtimi im intelektua, natyrisht, si në Kosov ashtu edhe në shtetet arabe, për motiv kishte liderin më të njohur dhe më të mdh të asaj kohe, Josip Broz Ttiton. Këtij emri ia kisha parë hajrin. Në Kuvajt më nderonin të gjithë pikërisht për shkak se po vija nga vndi i Titos. Titoja ishte shembull më tipik se si udhëhiqet një vend, një shoqëri, se si duhet të udhëhiqet mbarë bota. Titoja ishte nocion i shenjtë gjithandej rruzullit tokësor.
Kur u kyça në Lidhjen Komuniste në kuadër të Qytetit të Shkupit, natyisht që kisha ndërmend respektimin e të gjitha porosive të Titos. E di, do të më akuzojnë për të pafe por, le të bëhen të sinqetë të gjithë teologët dhe le ta lexojnë me kujdes veprën e Titos, aty do të gjejnë aq shumë porosi që janë të përafërta me porositë e Pejgamberit s.v.a.s. Askujt nuk duhet t’ia hamë hakun. Fakt është që Tito e njihte veprimtarinë e Pejgamberit s.a.v.s. prandaj edhe zhvillonte një sistem politik që i përafrohej me të madhe Sheriatit Islam. Nëse e studiojmë mirë e qetë sistemin komunist do të shikojmë se bazat e saj dalin nga bazat e Sheriatit. Këtë e them me kompetencë, si sheriatli. Islami promovon barazi, liri e paqe për të gjithë, pa dallim perkatësinë etnike, fetare gjinore e racore. Pse a nuk e proklamonte këtë gjë edhe Partia Komuniste si dhe Tito në krye të saj?  A nuk thotë Islami se duhet të jemi të përkushuar ndaj të varfërve. Po cili sistem më mië se Komunizmi ka ditur që të ngris sistem social të përkryer?
Prandaj ëndërroja gjithmonë një lidhshmëri të shëndoshë shpirtërore imamë - Tito. Jo që ishte e pamundshme të takohej Titoja nga një numër i imamëve, por, thjesht, do të ishte mëkat që ta lodhnim Titon me një takim të tillë për qejf. Ky takim të paktën do të mund të përjetohej përmes zbatmit të të gjitha porosive gati të shenjta që ua dedikonte banorëve të ish-Jugosllavisë. Të duhemi në mes vete, të respektohemi e të nderohemi. Kjo porosi, para së gjithash, u dedikohej komunistëve. Pra, kur anëtarët e Partisë Komuniste do të respektonin këto porosi, automatikisht edhe pozita shoqërore e imamëve do të ishte më e lakmueshe.
Dashakqëninjtë, sado të fortë të ishin, nuk mund të ishin numerikisht më shumë se imamët e vendit. Prandaj, imamët duhej të ishin misionarë të denjë të këtyre porosive të Titos, të bëheshin shembulli më i mirë i përçimit të këtyre porosive deri te xhemati i vet dhe, në këtë mënyrë, dashakëqinjtë do të ngordhnin si derrat kur goditeshin nga saçmet e çiftes sime. Veç kësaj, kjo lidhshmëri shpirtërore do ta shtonte respektin më të madh ndaj hoxhallarëve të vendit, të cilët, pa dyshim që do të vlerësoheshin si dishepuj më të sinqertë të Shokut Tito. Edhe sot e kësaj dite konsideroj që këtë ia kemi pasur borxh Titos, sepse, ka bërë të pamundshmen për myslianwt dhe për shqiptarët që ngelëm jasht kufijve administrativë të shtetit amë. Paramendoni sikur të kishim qenë në kuadër të kufijve të shtetit amw! Sot të gjithë do të ishim të vdekur kurse shoqërinë do ta kishim atesite, të pafe. Zoti është i Madh, na lindi në këtë tokë, pikërisht në kohën e Titos, që të ngelim gjallë, të shkollohemi dhe të japim kontributin për fenë islame. Nuk do të ishte kurrfarë turpi sikur të këndonim Fatihanë për këtë lider të të gjitha kohërave. Deri vonë i kam kënduar Jasin. Pastaj e lashë, sepse nisi një lëvizje dhe një propagandë e tmerrshme kundër tij. Iu binda edhe unë atyre propagandave, natyrisht, formalisht. Sepse, thellë në shpirt, akoma kam po atë bindje për Titon si për një nga liderët më të mëdhenj që ka pasur njerëzimi.
Prandaj insistoja në një lidhje shpirtërore imamë-Tito. Kur do ta përjetonin shpirtërisht Titon, atëherë do ta kishin të qartë se çka do të thotë të përkujdesesh për xhaminë, për xhematin, për avansimin shpirtëror e intelektual të tyre, mu siç përkujdesej Tioto për Jugosllavinë, për shoqërinë jugosllave dhë për edukimin dhe arsimimin e të gjithëve. Një  shoqëri e ngritur intelektualisht dhe shpirtërish – a nuk ishin këto përpjekje edhe të Pejgamberit tonë s.a.v.s. për shoqërinë e gjithmbarshme myslimane. D.m.th lidhshmëria jonë shpirtërore me Titon, mbi të gjitha, me këtë akt, respektonim vetë Muhamedin s.a.v.s.  Me sistemin Komunist ne përforconim dhe zhvillonim edhe vetë fenë islame. Siç thashë edhe më herët, bashkësitë fetare merrnin finansa edhe nga buxhetet republikane edhe nga buxheti federativ. Sot jemi si kurrë më keq: finansa katastrofale, shoqëri myslimane për ibret, teologë shkatërrues të shoqërisë. Vdiq Tito – vdiq çdo gjë e shëndoshë! Shumë keq!

Memoari nr.19
HAXHI SHAIPIN DHE HAFË BEDRIUN NUK I DUROJA ORGANIKISHT

Dy persona që më pengonin shumë në avansimin tim në karrierë ishin pikërisht Haxhi Shaip Sherifi si dhe Hafëz Bedri Hamidi. I pari ishte kallëpi i spiunëve ndërsa i dyti ishte kallëpi i demagogëve. Kishte nxjerrë fjalë se po përcillej prej policisë si nacionlist shqiptar, ndërsa i shkreti as që fliste shqip, deklarohej turk, madje turk prej atyre osmalinjëve të hershëm.
Haxhi Shaipi e kishte shumë për zemër të ecte i pastër, pedant dhe i veshur me kostume të bardha. Thoshte se e ka për nder për ta kopjuar Titon. “Hej, nuk ka bre me Titon, jo rastësisht e donë kejt bota myslimane, ata alima e dijetarë myslimanë. Ata e dijnë më mirë se ne se pse duhet të duhet Tito. Prandaj, duhet të jetë i nderuar çdonjëri që përpiqet për ta imituar në vepër Shokun Tito», thoshte shumë shpesh Haxhi Shaipi. E di, dhe këtë ma thoshte sa herë që më takonte mua, sepse, e dija që dëshironte të më provokojë, të më dëshmojë se ai është njeriu që më shumë se unë e do Titon. Më vinte shpesht t’ia përplas ndonjë shpullë e ta flak tutje por, plak! Ai ta donte Titon më shumë se unë?
Një herë më pat thënë që mos të nervozohem me të, sepse ai po më jep shenja që, edhe ai është si unë, titist, prandaj, më kërkonte që të bëheshim bashkë për ta eliminar njeriun më të rrezikshëm të BI-së, hafëz Bedriun. Vetëm i qeshja, nuk i besoja asnjë herë, sepse, shpesh dinte që t’i spiunojë te hafëz Bedriu njerëzit që flisnin keq për te.
Nga ana tjetër, Hafëz Bedriu ma kërkonte lojalitetin tim duke më thenë që të ruhem dhe të mos bie në gracka të Haxhi Shaipit. Më fliste për kapacitetet e tij për të bërë keq. Më thoshte, vetëm shikoja gjenezën, prejardhjen ! Vjen nga Komogllava! Ky vend e ka marrë emrin nga fjala «kamena gllava», që do të thotë se, të gjithë njerëzit e këtij katundi janë «kamena gllava», me kokë të gurtë, pa një gram tru. Prandaj, shtonte, ai vishet kështu në të bardhë, ai mendon se duke ecur me të bardhë do të dëshmojë se sa i mençur është, tamam si Shoku Tito. «Ti je katundar, o birë, ti ke zemër sepse je rritë me millë tkollomojtë. Mbaje nivelin tënd dhe futja atij plakut budalla» shpesh më thoshte Hafëz Bedriu.
Një ditë dimri, kishim dalur në Zheden bashkë me Çiçko Stojimirin për të gjuajtur. I bëra be në Zot e Krisht, që të më tregojë ndonjë gjë për Haxhi Shaipin dhe Hafëz Bedriun. Për të dy më tha që janë bashkëpunëtorë të Danillo Pehçinskit! «Haxhi Shaipi është si klyshat e mërzitshëm, veç leh «ham-ham», ndërsa Hafëz Bedriu është peshkaqen! Kemi hequr shumë deri sa e kemi thyer. I patëm thënë që më lehtë do ta keshë si bashkëpunëtorë dhe në krye të BI-së se sa në burg, në Goli Otok. Vetëm një gjë na pat kërkuar, që tash e tutje mos ta konsideronim kurrë si shqiptar, por si turk, madje edhe në dosje ta regjistronim si turk. Nuk donte të spiunojë si shqiptar por si turk. Të mos i tradhëtojë idealet ! Neve nuk na interesonin idealet e tij, sepse, në momentin kur do të pranoshë bashkëpunimin ti je pa ideale. Neve na interesonin armiqtë e komunizmit e jo miqtë e një ideali ballist tashmë të marrur fund”, më pat thënë Çiçko Stojimiri gjatë asaj dite deri sa po ecnim pas gjurmëve të një lepuri që i kishte lënë nëpër borë. Dimitër i madh! 
Pas kësaj bisede, seç mu shtua më tepër simpatia për Haxhi Shaipin. Ai e dinte se kush isha unë dhe sa i fortë që isha, prandaj, edhe kur më bërtiste apo më shante, unë vetëm qeshesha, sepse e dija që ka nevojë të shprehet para të tjerëve se ai është më i fortë se unë. Po kur i thosha “Heu Marshall Tita shqiptar bre”, i bëhej zemra mal, sikur bëhej gati për të fluturuar. Sa herë që kishte nevojë për këtë ndjenjë vinte e më bërtiste “Ti, kopuk, mbai dizgjinat se vallai t’ i jap vesht në dorë”! Hahahaha, ku nerozohej kështu, bëhej shumë simpatik. “Hajt Marshall Titë hajt”, i jepja flakë. Intimisht e dinte që nuk e bëja hesap as për dy pare. Si njërin ashtu edhe tjetrin i konsideroja si therra para këmbëve të mija. Therrat nëse nuk i heq nga rruga atëherë duhet të kapërcehen. Unë i kapërceja si ujku shkurrat në vrap pas gjahut të vet.

Memoari nr.20  
UNË DHE HAFËZ BEDRIA SI UJKU DHE DHIJA
  
Bëheshim që po e nderonim njëri tjetrin por, realisht, e dinim që nuk duheshim, që e urrenim njëri tjetrin dhe që mezi prisnim ta ngulnim njëri tjetrin. Unë, raportimet për të që i bëja te Çiçko Stojimiri, i bëja me qejf, madje edhe i shtoja, ia fusja si kau pelës, vetëm që ta eliminoj sa më parë. Po, e pranoj, ai ishte kopil i kopilave, ishte shumë i aftë, i ngritur intelektualisht dhe, të tillët kishin më prioritet te shërbimet policore se sa ne që lehnim si këlyshë.
Hafëz Bedriu kurrë nuk kishte provuar që të zihet me mua, dhe pse unë mezi e prisja një moment të tillë. Kishte respekt për mua, të paktën para njerëzve të tjerë. Nuk më ofendonte, nuk më qortonte, si Haxhi Shaipi. Ishte shumë i matur në raport me mua. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se pse kjo sjellje e tij ndaj meje, kurse e dinte që unë mezi po prisja të më dilte në shteg e t’ia hidhja kokën në pleh. Unë isha më i hapur në planet e mia, ndërsa ai i fshehtë. Dhe kjo fshehtësi e tij më bënte më syçelë, më detyronte që t’i ruhesha më shumë.
Më kujtohet një rast të cilin e kisha pritur me vite. Sapo më urdhëroi, hë thashë më vete, e hëngre sa krahu! Deri sa po rrinim në zyren e tij, ai vërejti se si dikush po ngulte disa hunj në vendin që ishte vakuf. Dikush po dëshironte që të na e uzurpojë pronën. Ishte i bindur se këtë gjë po e bënin srukturat policore me qëllim që t’i afrohen sa më pranë BI-së dhe të na kishin si në pëllëmbë të dorës. Për herë të parë që kishte folur kaq hapur para meje në raport me planet policore. E mora si provokim, prandaj menjëherë reagova. “Çka donë këtu policët bre, në vakëf a! Sa të jem gjallë unë jo qe besa. A mos po ua bëjmë ne ndonjë xhami në hyrje të zyrave të tyre? Duhet të reagojmë, nëse e bëjnë këtë gjë, do të përballen me reagime të shumta.”
Hafëz Bedriut sikur iu flladit shpirti nga këto fjalët e mia. Xixë i dolën nga sytë. Më kapi për supe e duke më tundur më tha: “Aferim ollum! Ti je krejt zemër, o Sulo, ty t’ka rritë nana me miell tkallamojtë. Dil e shkuli ato hunj, le të kuptojnë që vakëfi ka pronarin e vet, madje gjallë e shumë të fortë”!
Në këto fjalë të tij e kapa djallëzinë e hafëz Bedriut. Donte të më ngulë. Ai e dinte fort mirë se çka do të thoshte t’i shkulësh hunjtë e huaj! Do të thoshte: bëje gati bythën të t’i ngulin! E kuptova që hafëz Bedriu e kishte pritur këtë moment kur do të ngulesha unë, kurse une, menjëherë e kapa si moment ideal ku do t’ia fusja shumë keq këtij farë demagogu. Po, i thashë, ma jep këtë urdhër me shkrim dhe shiko pastaj se çka ju bëj atyre hunjve unë!
U shtang në vend i shkreti. Nuk e kishte pritur këtë reagim timin. Unë po i kërkoja me shkrim kacafytjen e tij me pushtetin komunist. Sikur ta hante dhe të ma jepte një urdhër të tillë me shkrim, atëherë, do të përfundonte në pleqëri prapa grilave të burgut. Më shikoi shtrembër dhe doli nga zyrja duke më lënë vetëm mua. Asnjëherë më parë nuk e ndjeva veten më të fuqishëm se në atë çast. Po të vie koha o Sulejman Rexhepi, pëshpërita qetë, dhe pse më vinte të ulurij mu ashtu siç e bëja në Zheden sa herë që i ndërseja zagarët pas viktimës së radhës.

Marrur nga Balkanpost


Comments

Popular posts from this blog

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (PJESA I)

Dromca memoaresh KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË Miq të dashur! Vëllezër e motra! Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për tí lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike. Së shpejti do të keni rastin t’i lexoni memoaret nga dorëshkrimi im, me titull KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË   HYRJA Bismilahi rrahmane rrahim! Ky do të jetë titulli i përmbledhjeve të memoareve të mia në këtë faqe elektronike dhe më vonë edhe në librin tim të radhës. Një nga format më të rënda të shkrimit pa dyshim që janë edhe me

Zbulohen lidhjet e Argëtim Asanit me Petrit Hamen (Amen), bashkëpunëtori i famëkeqit Arkan: Ja segmentet e UDB-së në politikën shqiptare të Maqedonisë

Ylli Pata Vrasja e Argëtim Asanit (alias Artan Musliut) risjell në skenën e tronditur të shqiptarëve të Maqedonisë, fantazmat e tmerrshme të lidhjes së vjetër me nëntokën e krimit të organizuar dhe me shërbimin famëkeq serb UDB, i cili një pjesë solide të tij, e ka vazhduar me shërbimin e Maqedonisë së sotme të Nikolla Gruevskit. Argëtim Asani, ka qenë një figurë kyçe e nëntokës së errët me politikën shqiptare të të gjitha forcave politike. Por mbi të gjitha ajo që është më eminente në “CV”-në e të ndjerit Asani është veprimtaria e tij e gjatë si njeri i afërt dhe truprojë e misteriozit Petrit Hame i njohur si Ame, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit serb, Zhelko Razhnjatoviç (Arkanit) dhe figurë eminente e UDB-së jo vetëm në Maqedoni. Argëtim Asani, që prej fillimit të viteve 90-a ka qenë bashkëpunëtor i Petrit Ames në tregëtinë e paligjshme dhe monopolet ekonomike që lindën më pas në kontrollin e shitjes së karburanteve, cigareve dhe lidhjeve me nëntokën e Shqipërisë, madje e

Bashkëluftëtari i Zahirit: Ali Ahmeti e Fazli Veliu duhet të tregojnë pse u vra Zahir Pajaziti (Foto)

Hasan Zeneli, bashkëluftëtarë i heroit Zahir Pajazitit, në ditëlindjen e Zahirit, në faqen e tij në facebook ka shkruar në lidhje me vrasjen e tij. Sipas, tij ai nuk do të ndalet kurrë dhe do ta qoj këtë çështje deri në fund, duke zbuluar tradhtarët e vërtete të cilët i kanë bërë pritë Zahir Pajazitit. “Unë Hasan Zeneli ne emer te shokeve te gueriles se Zahir Pajazitit, publikisht u them se kete pune do ta çojm deri ne fund, deri ne zbardhjen perfundimtare duke i zbuluar tradhtaret e vertete te cilet i kane bere priten Zahirit dhe shume djemave tjere deshmor te ketij kombi”, shkruan ai./BS Ja postimi i tij i plotë pa ndërhyrjen tonë: Me 01 Nentor 2016, Kom. Zahir Pajaziti e ka ka DITELINDJEN. “Zahirin e vram sepse na e shau Azem Sylen ne TIRANE. Kete e di,vetem SEKTORI i vecant. E vram sepse ishte tmerr per ne dhe per vllaznit ton sllavokomunist.Nuk eshte e vertet se Xhavit Haliti me perjashtoi mua, por une e perjashtova Xhavit Halitin. Une jam shefi i shefave ktu! Hiq s’marr ves