Translate

Wednesday, December 2, 2015

RIMËKËMBJA E BFI-SË DO TË NA MARRË SHUMË KOHË

Bisedë me Myftiun e Myftinisë së Shkupit dhe drejtues i Lëvizjes për reforma në BFI të RM-së, H. Ibrahim ef. Shabani

Në mesin e hoxhallarëve të Shkupit po vërehet një pakënaqësi gjithnjë e më e madhe. Sikur po piqen kushtet për ndonjë revoltë masovike. Gjithnjë e më shumë po e kërkojnë Myftiun  H. Ibrahim ef. Shabani që t’ju prijë si më parë. Pikërisht me këtë personalitet kemi zhvilluar një intervistë për të mësuar më shumë rreth këtyre pakënaqësive, rreth proceseve gjyqësore të ndërsjella në mes tij dhe grupit të tij vizavi Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit dhe BFI, si dhe për shumë çështjesh të tjera.


Myfti efendi, Ju tashmë jeni jasht zyreve të Myftinisë, dmth jeni të suspenduar nga Reisul Ulema i BFI-së! Po flitet se megjithatë, imamët nuk ju shqepen, vazhdimisht vijnë te Ju për ankesa e për kërkim të zgjidhjes së problemeve që nuk i kanë të paktë!

Po, keni të drejtë, imamët ankohen e unë jam me mundësi shumë të kufizuara për t’i ndihmuar. Pas masave të dhunshme të Sulejman Rexhepit që i vuri në Myftininë tonë, aty punët nuk shkojnë mirë. Unë me bashkëpunëtorë të mi u bëmë digë përballë veprimeve korruptive të Sulejman Rexhepit, prandaj ai i bëri puç Myftnisë së Shkupit dhe jo për t’ua zgjidhur hallet imamëve të Shkupit. Ai hall e ka pronën dhe vakëfin e Myftinisë sonë e cila është më e pasur se të gjitha myftinitë e tjera. Sulejman Rexhepi hall e ka tjetërsimin e vakëfit. Me pronat e myftinive duhet të drejtojë myftiu përkatës me operativën e vet dhe jo reisi, i cili, absolutisht nuk ka tjetër peshë dhe rol përveçse të një udhëheqësi tekniko-administrativ. Fundja, për çështjet fetare ai ka kohë që ka hequr dorë. I intereson vetëm bisnesi, përderisa djemtë tanë, më të mirët që i ka kombi e feja në Maqedoni, rrezikojnë me burgim vetëm e vetëm ta rikthejnë pronën e vakëfit.

Çka konkretisht i mundon imamët e Shkupit?

Pasiviteti absolut i Myftinisë, me një operativë të lidhur për duar e për këmbësh nga Sulejman Rexhepi. Sapo i patëm vurë në binare të duhura problemet e imamëve, siç është sigurmi shëndetësor dhe pensional, pastak zgjidhja e problemeve që kishin imamët me tatimet personale ndaj Fondit e të hyrave publike, këtë e pengi Mulla Sula duke instaluar masa të dhunshme. Kjo i konvenon dikujt, por jo edhe atyreve që nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’i  gjunjëzohen Sulejman Rexhepit i cili i mëson që të padisin individualisht BFI-në që pastaj me gjyq t’ua paguajë individëve që i binden. Kësisoj, me këtë politikë sadiste dhe perverse ai mundohet që t’i  disiplinojë imamët e Shkupit Ata që nuk i binden nuk përton që publikisht t’i  shajë me nënë e gra.

Problemet e këtilla për të cilat po flisni ju nëpër institucionet e tjera zgjidhen përmes sindikatave të pavarura. Kur sindikatë mund të ketë policia dhe ushtria, pse jo edhe BFI-ja?!

Po! Problemet tona janë materie për sindikata dhe, çuditërisht i vetmi institucion në vend që është pa këtë orgnizatë të pavarur është BFI-ja. Fundja, në këtë Institucion nuk ke organizatë të pavarur as, bie fjala, rinore, as të grave, as të nxënësve e studentëve e as që bashkpunon me ndonjë organizatë që nuk i bindet. Gjithçka është si nën sistemin diktatorial, madje, Sulejman Rexhepi gjithmonë ka qenë i prirur që këto organizata t’i njollosë si antiislame, sepse, është i vetëdijshëm se, sikur të ekzistonin, “islamin” e tij do t’ia varnin në trerët e tavanit. Kohë më parë gjatë një visitës së tij në një nga xhamitë në Zvicër ka shfaqur revolt të madh, madje ka shkaktuar problem deri në atë masë saqë ka kërcënuar personat të cilët kanë parashtruar pyetje shumë të sinqerta lidhur me problemet me të cilat ballafaqohet BFI!
Numri i të pakënaqurve, si Brenda ashtu edhe jasht vendit gjithnjë e më shumë po shtohet. Pa dyshim që është duke u diskutuar edhe kjo ide e sindikatës së pavarur të imamëve, sepse, dikush duhet të dalë dhe t’i  mbrojë të drejtat e tyre, ashtu siç i obligon me kushtetutën false Sulejman Rexhepi. Dinjiteti i imamëve do të rikthehet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje e përgjithshme për një kontratë kolektive në mes të instucionit gjegjës dhe imamëve, për nivelin e pagave dhe për fatin e sigurimeve shëndetësore e pensionale. Nuk mundet që imamët e Shkupit të paguhen në vlerë prej 100 eurove ndërsa të ketë imamë që marrin paga nga 500 e 1000 euro. Natyrisht që kjo kurrë nuk i ka interesuar dhe as që i intereson Sulejman Rexhepit, sepse si çdo herë, edhe për momentin, është i preokupuar me përqindjet që i nxjerr nga “ndërtimet kapitale”.  Fundja, kjo i konvenon këtij farë “udhëheqsi”, sepse në këtë mënyrë sabotazhi është më i lehtë dhe më efikas. Dshironi të rrisni standardin si imamët, psh, të Gostivarit, ata i kam bërë unë zotërinj, prandaj më ndiqni mua. Imamëve të Gostivarit ju thotë, nëse nuk më ndiqni mua do t’ju gjejë po ajo çka i ka gjetur imamët e Shkupit! Sa keq për këtë shpirt!

Këto ditë Reisul Ulema organizoi një pik-nik me imamët në Ohër! Me cilët imamë? A keni numër të saktë të imamëve në nivel të Maqedonisë. Ishte ky një diferencim i imamëve në të dëgjueshëm dhe të padëgjueshëm, apo, Reisi e di më së miri se sa imamë i ka vendi?

Pik-niku i tij i organizuar në Ohër me paratë e myslimanëve që ndajnë nga goja e tyre për zhvillimin e jetës fetare islame në vend, në fakt i nxori në shesh të gjitha anomalitë për të cilat tash e sa kohë angazhohet suksesivisht Sulejman Rexhepi. Numri i imamëve, vaizëve, mualimëve dhe muezinëve në Maqedoni tejkalon numrin 1000, ndërsa Sulejman Rexhepi i privilegjon mezi 50 të tillë. Apo, aq vetë iu përgjigjën qerasjes së tij me një pik-nik në këtë kohë të pakohë. Kulmi i paturpësisë! Fillimisht ua shanë gratë dhe nënat e pastaj i thërret në Ohër! Prandaj, nga Myftinia e Shkupit, nga mbi 300 teologë të ndryshëm, nuk i shkuan as 10 vetë, kurse myftiu i tyre i Shkupit nuk ka raportuar asnjë farë raporti për gjendjen në Muftininë e Shkupit! Më shumë ka pasur gazetarë se sa imamë nga Shkupi, sepse, më tepër i duhen gazetarët se sa imamët, më hajër sheh te korruptimi i gazetarëve se sa te shpërblimi i imamëve. Dhe del e pastaj flet për unitet! Prej më se 1000 teologëve mezi i përgjigjen një grup i vogël. Ju flet ky për ndonjë unitet, apo për një mospërfillje totale të lidershipit ilegjitim të BFI-së.

Mos është ndonjë kundërreaksion i imamëve për afrimin e Sulejman Rexhepit që po e trashë gjithnjë e më shumë me “mjekrrat”, me ata për të cilët deri para do kohe kishte folur si për spiunët, për bashkëpunëtort e policisë dhe si për mercenarë të vehabizmit e të rrymave të tjera. Për të tillët madje edhe kishte raportuar te ish-kryepolici, Sasho Mijallkovi, sipas një dokumenti të publikuar në mediat e të nënshkruar nga vetë Reisul Ulema i BFI-së.

Ky afrim bëhet si pasojë e fushatës denigruese që me decenie ua ka bërë atyre. Sipas tij, më lehtë kontrollohen nëse vihen nën obrellën e BFI-së. Ka prej të tillëve që kanë shoqatat e veta të cilat me veprimtarinë e tyre e dëmtojnë aktivitetin e BFI-së. Nga ana tjetër, në arkivin e BFI-së ekzistojnë dokumente që flasin për “shpirtgjërësinë” e Sulejman Rexhepit, duke i autorizuar që të dalin dhe të mbledhin finansa nga vendet arabe. Se ku kanë shkuar, se sa janë mbledhur dhe se a kanë hyrë ndonjëherë në kasën e BFI-së apo në xhepin e dikujt tjetër, këtë më së miri e di vetë Sulejman Rexhepi. Zaten, fillet e çarjes së raporteve tona datojnë që kur nisi me lojën “ju të këqinj unë i mirë”! Kërkonte prej nesh që të marrim masa kundër individëve të tillë që i quante herë hajdutë, herë kriminelë, herë bashkëpunëtorë të policisë e herë mercenarë, ndërkohë që, vetë futej në afri me ta dhe ju premtonte realizimin e të gjitha kërkesave të tyre për të cilat ne veçmë ishim bërë murë i betontë. Për interest e veta meskine ai kurrë nuk ka dalluar se kush është e mira e përgjithshme dhe kush është e keqja e fesë dhe e kombit. Ne kemi edhe deklarata të deponuara prej tyre e në të cilat shprehen keqardhjet e këtyre  për lojërat e pandershme që i luan me ta Sulejman Rexhepi.  Natyrisht, po këta “hajna” e “mercenarë” të vehabizmit brenda natës u bënë të mirë dhe  sot vendin e kanë në maje të kokës së Mulla Sulës. Të gjithëve u thotë se ai asnjëherë, kurrë, nuk ka pasur problem me ta, por këto probleme ua shkaktojnë “sherifat” lokalë (myftinjtë). Edhe ata e dijnë që ndaj tyre nuk ka asnjë gram sinqeritet nga ana e Sulejman Rexhepit, por, thonë, më mirë të institucionalizohemi se sa të margjinalizohemi!

Po edhe ju jo që keni qenë “engjëj”! Nëpër rrjetet e ndryshme sociale oponentët e juaj po botojnë dokumente që flasin për keqpërdorime finansiare që i keni bërë deri sa keni qenë brenda, në institucion?

Uh, sikur të kishte dokumente të tilla Sulejman Rexhepi me kohë do të na njolloste duke ngritur padi kundër meje dhe bashkëpunëtorëve të mij. Hajde i hapim dokumentet! Ne qysh më herët i kemi kërkuar që të ket komision professional për kontrollim të finansave, ai ju ikte, ne e kemi ftuar, pse frikësohet, pse nuk pranon që të realizohet kërkesa jonë!  Ne jemi që pjesa finansiare gjithnjë të jet nën kontroll! Të shifet a punohet sipas vendimeve të organeve apo sipas tekave të Sulejman Rexhepit. Në myftini do të gjejë ndonjë honoar apo shpërblim që i është dakorduar personave që kanë rrezikar me burg vetëm të rikthehen vakëfet. Unë ju kërkoj ndjesë që nuk kam pasur mundësi objektive për t’i shpërblyer edhe më shumë, sepse, ata janë heronj të gjallë, janë të vetmët teologë që për kthim të vakëfit rrezikojnë burgun (ata tashmë janë të dënuar me kusht). Me këto afera nuk mund t’i  relativizojë të gjith ato “bomba” të publikuara e që flasin për një personalitet jo vetëm të diskutueshëm por edhe të rrezikshëm siç është Mulla Sula. Për momentin po i shkon kungulli mbi ujë, natyrisht përmes korruptimit të individëve nëpër institucione gjyqësore po mendon se do të arrijë të shpëtojë. Ndërsa neve na mbanë shpresa se këto institucione së shpejti do të këndellen dhe do të dijnë që ta luftojnë korrupsionin, të zezën, të keqen. Opinioni tashmë është informuar me fakte e dokumente nga më të tmerrshmet që flasin për një individ të denjë për t’u ulur në bankën e akuzës.

Edhe juve ju pa opinion se me çfarë vandalizmi u futët në BFI?

Asnjë myfti nuk guxon të ndalohet të mos futet në BFI, madje, në BFI veprojnë administratorë të cilët tërësisht duhet të jenë në shërbim të myftive dhe operativave të tyre. Çka ndodhi, myftiu i Shkupit dhe imamët e Shkupit, pasi ju shahen gratë e nënat, nuk lejohen të futen në shtëpinë e tyre të përbashkët! Pastaj, del dhe na akuzon si ekstremista! Sepse, kësisoj i duhet t’i mbrojë eksremistat e vet që i ka brenda. Le të dalë dhe le të pranojë publikisht se kush kundër kujt shtiu me armë! Bashkëpunëtori i tij i verbër ngriti armë në BFI! Neve pastaj na suspendoi nga vendet e punës ndërsa atë e shpalli “hero të gjallë”! Por, përgjatë seancave gjyqësore doli jo vetëm qesharak por edhe u kuptua se kush ishte viktima dhe kush agresori. Prandaj edhe e humbi lëndën Mulla Sula, duke ia hedhur posht tërë atë material të montuar me të cilën u mundua ta manipulojë edhe gjykatën siç u mundua ta manipulojë opinionin e gjërë.    

Deri ku ka arritur procesi gjyqësor që po zhvillohet kundër jush, si grup?

Fatkeqësisht, edhe në raportet ndërkombëtare, edhe në progres raportin e BE-së thuhet se gjyqësori në Maqedoni është hallka më e dobët e shtetit, më e korruptuara. Për fatin tonë të mirë, ne u ankuam në Gjykatën e Apelit pikërisht në kohën kur një lum kritikash u drejtua kundër gjyqësorit të kapur peng nga korrupsioni. Në fillim u bëmë lëndë e një akuze të ngritur mbi baza të rrenave e të shpifjeve. Për këtë “sukses”, Mulla Sula, i ekzaltuar nga gjyqësori, nisi t’ju shtrojë darka e dreka në villën e tij të kontestuar (për të cilën flitet se ka një procedurë gjyqësore, si uzurpatorë i pronës shtetërore) diku mbi Matkë, duke i publikuar fotot me lloj-lloj fytyrash të korruptuar. Natyrisht, pas kësaj, Gjyqi i Apelit do ta hedhë poshtë atë akuzë dhe do të na e hedhë poshtë vendimin për masë kohore përmes së cilës na ndalohej rreptësisht për të hyrë në Institucioin e të gjithë myslimanëve të vendit dhe më gjërë. Së shpejti do të nisë edhe procesi gjyqësor kundër Mulla Sulës i cili pa kurrfarë procedure, sjell vendim të na spuspendojë nga puna, sikur ne të ishim punëtorë të thjeshtë të fabrikës së tij. Jemi të bindur se së shpejti do të kthehemi në vendet dhe në pozicionet tona të mëpashme dhe, shtrohet vetëm një pyetje: ku do t’i  ngelë fytyra Mulla Sulës?

Sa ka të vërtet se prapa jush qëdron  një forcë politike dhe se Ju keni qenë të manipuluar prej liderit të kësaj partie?

Po, Sulejman Rexhepi, publikisht më ka akuzuar se unë jam motivuar kundër tij nga z. Menduh Thaçi! Madje ka deklaruar se ai ka fakte të bollshme që flasin se një ditë para se të ndodhë problemi në mes nesh dhe atij, unë qenkam takuar diku në Kosovë me z. Menduh Thaçin prej kujt i paskam marrur instrukcionet për ta rrënuar atë nga posti i “reisul ulemasë”, edh pse ai ka kohë që është i vetërrënuar nga ai post, që kur u vetëemërua duke e uzurpuar pa fije turpi postin e reisul ulemasë së BFI-së. Me këtë deklaratë të shpifur, Sulejman Rexhepi më ka dëmtuar shumë rënd, prandaj, unë jam i detyruar që ta zbardhë të vërtetën dhe, kësisoj, të mbrohem nga rrenat e pakripta të Sulejman Rexhepit. Kundër tij kam ngriur akuzë private dhe, ai, sado që po i ik pranimit të thirrjes së gjykatësit, tashmë është bërë e ditur që në fillim të shkurtit unë dhe ai përballemi në gjyq. Ai duhet t’i  shpalosë faktet që i ka për mua si i nxitur nga z. Thaçi, ose të kërkojë falje publike për gënjeshtrën. Me këtë nuk do të amnistohet nga dëmshpërblimi që do ta kërkoj për njollosjen e personalitetit tim. Fare në fund, paramendoni! Ai paska drejtuar akuza edhe kundër shërbimit intelegjent të Shqipërisë dhe Kosovës të cilat i qenkan  përgjigjur shërbimit sekret maqedonas për ta rrënua atë dhe për ta sjellë në vend të tij Afrim ef. Tahirin. Paranojak deri mbi vetulla!

Në fakt, emri i asnjë teologu në Ballkan e më gjërë nuk është lakuar kaq shumë sa emri i Sulejman Rexhepit nëpër afera të ndryshme?

Në një shtet normal, në kushte të funksionimit të shtetit juridik, Sulejman Rexhepi që moti do të ishte lëndë voluminoze e institucioneve gjyqësore, të prokurorisë, të revizionit shtetëror e të policisë finansiare. Faktet publikohen, çeqet me shuma marramendëse publikohen, botohen “fakte” për veprimtari të tij të paligjshme, korruptive e kriminale, ndërsa Sulejman Rexhepi hesht, nuk reagon, nuk i demanton. Heshtin organet e ndjekjes, kurse heshtin edhe bankat që përfolen si lëshuese të atyre çeqeve, heshtin  ato banka që pëfolen si vende ku Mulla Sula ka të hapura xhirollogari. Gjithandej prova, ndërsa asnjë reagim, asnjë aksion. Mbase organet e rendit veprojnë atëherë kur të jenë vetë të gatshme dhe jo kur të dojë “reisi”! Allahu alem!

Le të supozojmë se, ja, do të funksionojë shteti ligjor dhe se reisul ulemaja aktuale do të detyrohet të largohet nga posti i vet. Kush do të vijë në vend të tij? Ju? Dh,e nëse vini ju, çka do të ndodhë me BFI-në?

Asgjë nuk do të ndodhë, thjesht, do të nis një lulëzim i jetës fetare islame në vend. Të gjithë teologët, të gjithë imamët, vaizët, hatibët, mualimët, muderrizët etj do të marrin frymë shlirshëm në veprimtarinë e tyre parësore islame. BFI, mbi të gjitha, do të lirohet nga ajo praktikë e uzurpimit dhe të ngulfatjes nga nepotizmi ekstrem, si dhe nga ndjenja e të parit dhe të familjes së tij se BFI-ja është çiflig i tyre i lënë trashëgim nga gjyshi, apo nga Sulejmani i Madhërishëm.  Sulejman Rexhepi e ka dëmtuar shumë rëndë imazhin e BFI-së, e ka shndërrur në qendrën më të rrezikshme në të cilën nuk mund të futen kritikusit e sinqertë të tij, përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët dhe miqtë e BFI-së dhe të myslimanëve të vendit E ka mbushur me kamera e lakej personalë sa, thjesht, BFI të gjason sot si në një shtëpi të dikurshme të Esko Bares, ku as miza nuk ishte e dëshirueshme. Prandaj sot BFI-ja, si asnjëherë më par është kaq shumë e izoluar dhe, madje edhe e urryer. Sa keq!

(Huazuar nga gazeta Lajm, e publikuar më 01 dhjetor 2015)

0 comments :

Post a Comment