Translate

Thursday, August 6, 2015

Opinion:“Terroristët islamikë” mish për top të Sulejman Rexhepit

Pas aksionit policor të orëve të hershme të mëngjesit të sotëm. Ka qenë e pritshme që mediat e vendit të orientohen nga BFI-ja që të marrin prononcime zyrtare lidhur me rastin. Nga BFI-ja heshtje mortore, asnjë prononcim, sikur të mos kishin ditur gjë. Megjithatë, Sulejman Rexhepi ka qenë në dijeni të aksionit

Nga: Shkëlzen Dika


Fatkeqësia kombëtare që u ndodhi shqiptarëve të Tetovës, e nxori “faqebardhë” kë tjetër përveçse Nikolla Gruevskin dhe Sulejman Rexhepin! Që të dy, madje para Ali Ahmetit, e vizituan Shipkovicën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe, duke shprehur dhembje të thella njerëzore, premtuan aksione solidariteti me popullatën e atjeshme. Sakaq, qytetarët e goditë nga kjo fatkeqësi natyrore, hapen zemrën për të nxjerrë fjalë miradie si për Nikollçen ashtu edhe për Sulçen, pa e ndjerë se një ofendim i thellë po u përgatitej në rrafshin kombëtar.” Këta dy janë “takva”, mendonin myslimanët e Tetovës, ndërkohë që këta dy “takvaxhinjë” brohorisnin “sega mu e majkata”! Të alivanosur nga kjo goditje natyrore, përjetuan goditjen e dytë – të bastisen shtëpitë, të thyhen xhamitë, të kapen pjesëtarët e ISIS-it në Maqedoni, të cilët, që të gjithë janë shqiptarë. Pra, Shqiptarët e Maqedonisë institucionalisht e paskan nxitur dhe ushtruar “terrorizmin Islamik”! Mbi të gjitha, këtë aksion duhet nënkuptuar si aksion gjithpërfshirës, ndërkombëtar, në të cilët me mish e me shpirt janë të kyçur edhe shqiptarët. Shqiptari nuk mund të durojë që dikush të thërrasë dhe të nxisë pjesëmarrjen e shqiptarëve nëpër luftëra të huaja, të pakuptimta dhe fund e krye terroriste. Ka pasur burgosje nga të tillë “shqiptarë” edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri dhe, të gjitha këto kanë qenë si rezultat i investigimeve disa mujore të shërbimeve përkatëse shtetërore. Po në Maqedoni? Në Maqedoni këto arrestime u bënë, sipas mjeteve të informimit në vend, me kërkesë të Sulejman Rexhepit. Madje, vetë Sulejman Rexhepi pat akuzuar policinë e shtetit, institucionet shtetërore, si bashkëpunëtorë të këtyre “imamëve” të cilët po thërrasin për pjesëmarrje në ISIS, po e kultivojnë terrorizmin dhe nuk po i binden BFI-së! A mund të jenë terroristë dhe pjesëtarë të ISIS-it të gjithë ata që nuk i binden Sulejman Rexhepit? Sipas kësaj logjike, edhe Gordana Jankullovska duhet të burgoset, madje edhe krerët e njësiteve special dhe të akuzohen si bashkëpunëtorë të këtyre elementeve radikalë. Tashmë me të madhe po flitet se, sikur mos të ndodhte kjo e Tetovës, sikur mos ta shprehte solidaritetin dhe dhembjen Nikolla Gruevski ndaj atyre pjesëtarëve të islamit, vështirë se do të ndodhte ky aksion. Tani, brenda një ditë nuk mund që Nikolla Gruevski të jetë edhe shumë “takva” edhe shumë “qafir”. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të jenë të qetë dhe të pranojnë se edhe në mesin e tyre ka mercenarë, njerëz të pamend dhe të indoktrinuar, të cilët duhet të pastrohen nga radhët e kombit. Ndërsa organet shtetërore përkatëse tani sa më shpejt duhet të dalin me fakte, me argumente dhe me të gjitha të dhënat se këta “tipa” kanë manipuluar në emër të fesë dhe se kanë marrur më qafë shumë qytetarë myslimanë të Maqedonisë. Këto të dhëna duhet të dalin sa më shpejt. Në të kundërtën, do të krijohet përshtypja se shteti intervenoi pikërisht në ato objekte fetare të cilat nuk i bindeshin Sulejman Rexhepit. Sulejman Rexhepi është i njohur si tredhës i mendimit të lirë, i mendimit ndryshe, i veprimit pak më të avansuar se sa i organizimit të tij primitiv. Ai kurrë nuk ofron informacione objektive, gjithnjë informacionet i thurrë varësisht nga interesat e tij personale. Sulejman Rexhepi, pa dyshim, që nga momenti kur ka kuptuar se në mëngjesin e gjashtë gushtit do të ketë aksion policor kundër atyreve që nuk i binden atij, ai si asnjëherë në jetë të vet, i është falënderuar Zotit, plot shend e verë, për eliminimin e “rrebelëve” kundër tij. Atij asnjëherë nuk i ka interesuar e keqja kombëtare. Po këta individëve projnë nëpër xhamitë dhe ndër xhematet tona tash e savjetë, madje me dekada, asnjëherë nuk e ka pare rrezikun kombëtar prej tyre. Nëse të gjithë mjekrat na qenkan “terroristë” atëherë a do t’i rruajë edhe ata “mjekrra” që i ka bashkëpunëtorë të ngushtë! Doli puna që shërbimet përkatëse shtetërore, bashkë me njësitet speciale, vepruan ekskluzivisht nëpër ato objekte e shtëpi të shënjuar paraprakisht nga Sulejman Rexhepi dhe jo se ky aksion ishte si rezultat i përcjelljeve të shërbimeve shtetërore. Molla Sula praktikisht drejtoi operacionin e njësiteve policore nëpër shtëpitë e imamëve si dhe nëpër objektet fetare të cilat, si “pronar” që ishte, praktikisht ua kishte dhënë me vullnet të plotë këtyre “terroristëve”. Sikur të mos ishte ky vullnet i Sulejman Rexhepit vështirë se do të kishte aksion të suksesshëm policor kundër “terroristëve shqiptarë”. Vallë, a ndjenë Sulejman Rexhepi një grimcë obligimi moral për dorëheqje! I doli boja. Për më tepër, po pret qëndrimin zyrtar të policisë së shtetit që pastaj mbi atë qëndrim të krijojë edhe qëndrimin zyrtar të BFI-së. Ju kujtohet “trimi”, Sulejman Rexhepi, kur thoshte: policia e shtetit as në ëndërr nuk guxon ta shohë futjen nëpër xhamitë tona. Xhamitë, deshtëm ne apo jo, kësaj radhe na u përdhunuan nga çizmja e policies maqedonase, gjatë aksionit të paralajmëruar, nëse jo edhe të udhëhequr, nga Sulejman Rexhepi! Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!

0 comments :

Post a Comment