Policia e Kosovës, mëngjesin e së shtunës, në rajonin e Prishtinës, në magjistralen Prishtinë - Gjilan, konkretisht në afërsi të liqenit të Badovcit, fillimisht ka ndaluar dhe njëherësh arrestuar tre persona të dyshuar me dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale, që sipas kodit penal të Kosovës ndërlidhen me terrorizëm.
“Personat e dyshuar kanë qenë në posedim të dy veturave, njëra e tipit Golf (II) ndërsa tjetra e tipit Passat, që të dyja me ngjyrë të kuqe, të cilat më pastaj janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, njofton Policia e Kosovës.
Më tej, në njoftimin e policisë, thuhet se për të kryer hetime intensive lidhur me rastin, me kohë janë inkuadruar të gjitha njësitet relevante policore, duke përfshirë edhe njësitet kundër terrorizmit të cilët, “si rezultat i punës së pandërprerë kanë arritur që të arrestojnë edhe dy (2) persona tjerë të dyshuar, të cilët kanë qenë të ndërlidhur me tre (3) personat e parë të arrestuar”.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente dhe pesë (5) personat e dyshuar, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, theksohet në njoftim.
“Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtutjeshme dhe për këtë arsye nuk mund të japim më shumë informacione”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës. /Koha.net/
Comments
Post a Comment