Translate

Wednesday, June 17, 2015

Zaev: Paraja dhe pushteti, parësore për partinë e Ahmetit

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të martën në konferencë për shtyp shpalosi biseda të reja të përgjuara telefonike nga selia e partisë në Shkup. Kreu i LSDM-së ka shpalosur një incizim mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të degës së BDI-së së Çairit, Beqir Asani derisa flitet për një ndërmjetësim për një objekt në Çair. Në një bisedë tjetër telefonike mes zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi dhe Beqir Asani flitet për disa nga presionet që tenton të bëjë VMRO dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në vendbanimet shqiptare. Aty bisedohet nëse është folur diçka me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, konkretisht Mile Janakievski. Në bisedë thuhet se ai nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dëshiron të ngacmohet nëpër Çair, derisa në objektet e tjera nëpër vendbanimet maqedonase ka probleme të tilla. Ndërkohë, në bisedën mes Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit, dëgjohet si Gruevski kërkon leje nga Ahmeti të rrëzohet një objekt në Çair e ndërtuar para ambasadës së Amerikës. “Më duhet ndihmë nga ti. Është banesë e egër, në fakt do të rrëzohen disa kate. Këto “tuajt” bëjnë problem. Mos bëjnë ndonjë incident. Shih fol me këta tuajt dhe thuaji Musës mos të bëjë problem”, thotë Gruevski. Ahmeti thotë që problemi i rrëzimit të këtij objekti nuk e dëmton BDI-në, dhe ai është kundër ndërtimeve të egra. Musa Xhaferi në bisedë me Beqir Asanin pranon se “ka dalë prej vetes” për një punë që nuk mundet ta zgjidhin në lidhje me ndonjë leje për ndonjë objekt në Çair. Xhaferi quan “legen” ministrin Mile Janakievski. Xhaferi në bisedë me Asanin diskutojnë edhe punën e involvimit të Artan Grubit “në punët e tyre”. Në bisedë mes Artan Grubit dhe Ali Ahmetit dëgjohet si ata merren vesh për Zonën Ekonomike në Tetovë, se kush duhet ta fitojë tenderin. Ish-ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini ka insistuar për ti sjellë turqit në këtë zonë, tregon Grubi ndërsa Grubi insiston për firmën norvegjeze, të cilën “tre herë ia ka përmendur Saraçinit”. Ali Ahmeti në bisedë me Musa Xhaferin tregojnë se Fatmir Besimi “qenka i lodhur, i dëshpëruar dhe me inat”, pasi që “bashkëqeverisja me VMRO-në qenka e stërngarkuar”. Ahmeti kërkon nga Musa Xhaferi të merret vesh me VMRO-në për ta bërë një ministër pa resor për diasporën. Ata dy flasin për një person “Shkopi” që paska pasur projekt si investim të gabueshëm, si dhe si të ndajnë pozitat edhe për vendet e tjera të Maqedonisë që kanë elektorat të BDI-së. Ahmeti i flet atij për një person që është i vështirë për ta “futur në mulli” dhe i ngjan “kalit të Shejmës”. Xhevat Ademi ndërkohë flet haptazi për USHT-në me Ali Ahmetin, duke kërkuar që kuadrot e BDI-së të mbeten në USHT. Ai quan analfabet disa persona në USHT. Në bisedën e radhës mes kreut të BDI-së, Ali Ahmeti e ish zëvendësministrit Tahir Hani bisedohet për projektet shqiptare që duhet të hyjnë në Qeveri. Meqë nuk ka pasur gatishmëri nga Janakievski për avancime për formimin e Komisioneve për përfaqësim të drejtë dhe projektet e ndryshme në vendbanimet shqiptare, përgjigja e Ahmetit ka qenë që hani të dërgojë kërkesë më shkrim deri te zëvendëskryeministri Musa Xhaferi që të fusë në rend dite në Qeveri". “Paraja dhe pushteti kanë qenë parësore për partinë e Ahmetit. Nga bisedat e regjistruara dëshmohet qartë se mbetja në pushtet është parësore për BDI-në dhe se kjo dëshmohet edhe nga lëshimet që kjo parti ka bërë në favor të VMRO-së. Bisedat mes zyrtarëve të BDI-së kryesisht janë për tender të ndryshëm, kërcënime e presione për pozicione në parti, por edhe ruajtjen e privilegjeve në pushtet”, ka thënë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. (Z.V)

0 comments :

Post a Comment