Translate

Thursday, June 4, 2015

BFI-së i duhet kthimi në identitetin e vet

Intervistë me Afrim Tahirin, ish-sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.
Kohë më parë në BFI ndodhën gjëra të palakmueshme dhe të papara ndonjëherë në cilindo institucion fetar në vend dhe më gjerë. BFI-ja “u uzurpua” nga një grup teologësh të cilët veten e quajtën si “Nisma për reforma dhe shpëtim të BFI në RM”. Se çka ndodhi në të vërtetë dhe cilat janë pritshmëritë nga një veprim i tillë “puçist”, cila është e vërteta tjetër nga ajo që na u servir nga disa media të kontrolluara nga Reisul Ulemaja aktual, Sulejman ef. Rexhepi, zhvilluam një bisedë për INA me ish-sekretarin e BFI-së, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të efendi Rexhepit si dhe njëri nga udhëheqësit e “Nismes”, Afrim Tahirin.

INA: Le të themi se tani më janë qetësuar gjakrat dhe nga kjo distancë e shkurtër kohore mund të hedhim një vështrim më objektiv mbi atë që ndodhi në BFI!
Jo, sot e përjetë, loja e ulët e Sulejman Rexhepit do të mbetet një rrëfim historik i cili do të flasë  mbi komplotet e tij naive në funksion të interesave personale. Krejt bota shqiptare, të gjitha institucionet fetare në vend, në rajon por edhe në botë e njohin fare mirë këtë njeri dhe për të flitet si për një të babzitur primitiv i cili është bërë një nga “boss”-ët më të tmerrshëm në rajon. Dhe, deri te ky “titull social” vihet përmes punës “në emër të Zotit”. Prandaj, sa herë që i tunden pozicionet ky farë trimi aktivizon ordinerët e tij, të cilët i paguan me paratë e muslimanëve që i japin për zhvillimin dhe avansimin e jetës institucionale fetare. Derdhja e parave dhe shpërlarja e tyre më së lehti bëhet përmes këtyre “formacioneve” idiote që shumë lehtë manipulohen nga ana e Sulejman Rexhepit.

INA: Natyrisht që duhet të mbrohet! Ju iu sulët shumë keq, në mënyrë tepër banditeske, e pa tërë bota se si hidheshit përtej dyerve dhe rrethojës së BFI-së. Fundja, plot 13 ditë ju e mbajtët të rrethuar BFI-në, me njerëz ordinerë e aktivistë partiakë.
Opinioni akoma nuk e di të vërtetën objektive. Pa dyshim që opinion i gjerë është manipuluar nga disa inçizime të selektuara që, në shikim të parë duken shumë irituese dhe të dënueshme. Kjo ishte si pasojë e një fushate të pandershme të cilën do ta sqarojmë deri në fund. Nuk do të heshtim para manipulatorëve të cilët mundohen të njollosin një aksion shumë fisnik, tepër njerëzor dhe islamikisht të shenjtë.
Opinioni i gjerë ende nuk e di se në “ditën kritike” ne kemi qenë në punët tona, nëpër zyrat tona ndërsa Myftiu i Shkupit, bashkë me sekretarin e Myftinisë, kishin ardhur për ta takuar Sulejman Rexhepin dhe për t’ia tërhequr vërejtjen që të mos mundohej edhe më tej të shkelte Kushtetutën dhe të gjitha aktet e tjera të BFI-së. Kishin ardhur t’i thonë se, Myftinia e Shkupit nuk do të pajtohej kurrë që të shndërrohej në burim të ardhurash të pista për Sulejman Rexhepin. Por në BFI, në shtëpinë e cila konsiderohet shtëpi e të gjithë myslimanëve të vendit, u shtuan lëvizjet e bandave që i kishte aktivizuar Sulejman Rexhepi dhe herë njëri nxirrte revolen e herë tjetri, herë njëri nxirrte armën elektrike e herë tjetri! A e di opinioni i gjerë, a e dinë organet e shtetit që, BFI-ja është Institucioni më i pasigurtë në rajon dhe më gjerë! A e dini ju që, zagarët e Sulejman Rexhepit që janë të aktivizuar si nëpunësa e funksionarë të BFI-së tërë ditës rrinë duke i pastruar armët, duke i çmontuar e montuar, duke i zbrazur e mbushur shanzherët, duke i mbajtur mbi tavolinë armët mu sikur banditët e shekullit 18. Në cilin institucion në botë nëpunësit e privilegjuar futen me armë në zyrë! Ata që shihni ju se si kërcejnë mbi dyer, nuk e dini se pse u futën brenda. Si do të neutralizoheshin ndryshe kriminelët e Sulejman Rexhepit që kërcënonin me armë. Po kush i mbyll dyert e instituconit, përse!? Fundja, kur erdhi policia e faktoi gjendjen dhe u vërtetua tërë këtë që e thashë këtu. Ne qemë të sulmuar nga truproja e Sulejman Rexhepit i cili zyrtarisht është Kryetar i Shoqatës “Ilmije”. Iu mor arma si provë materiale, ndërsa vërehet edhe vrima e shkaktuar nga plumbi i shkrepur. Popullata jonë këto inçizime nuk i ka vërejtur ende. Naivët e Sulejman Rexhepit mendojnë me logjikën e strucit, mendojnë se kështu mund të hidhet faji aq lehtë mbi dikë tjetër. Fshehja e së vërtetës është vepër më vete penale dhe për këtë gjë një ditë dikush do të përgjigjet.

INA: Po ju e rrethuat BFI-në dhe nuk i latë të dalin për 13 ditë nëpunësit e BFI-së nga zyrat e tyre!
Ky ishte skenari më i poshtër i Sulejman Rexhepit. Ai mendonte se ne po vinim nga Marsi dhe nuk dinim asgjë, nuk informoheshim aspak se çfarë planesh ogurzeza e kriminele po thurrte Sulejman Rexhepi. Ky farë “lideri fetar” i kishte ngujuar vetë ata duke i urdhëruar për një veprim të tillë që në momentin kur BFI-në e morën nën mbrojtje njerëzit e organeve të rendit dhe të sigurisë, policët. Le të dalë një prej atyre kolegëve tanë, të cilët bashkë me ne qëndruan plotë 13 ditë në hapësirat e BFI-së, pra, le të thotë njëri një fjalë nëse kanë qenë të provokuar, të fyer, apo edhe të përshëndetur qoftë nga ne, qoftë nga familjarët dhe miqtë tanë që po rrinin në oborr por edhe rreth BFI-së. A e dini se pse po rrinin? Sepse ne kishim informatë se Sulejman Rexhepi po përpiqet të provokonte një konflikt në mes të policisë dhe njerëzve të tij që i kishte ngujuar nëpër zyrat e veta. Jo një herë i kanë provokuar me sharje e me ofendime policët të cilët nuk po zbatonin urdhërat e Sulejman Rexhepit që të na nxirrnin jashtë zyrave tona. Edhe policia e kuptoi lojën dhe nuk ranë në grackën naive të Sulejman Rexhepit. Po na akuzonte si njerëz të shërbimeve sekrete me të vetmin qëllim që ta fshihte planin e vet për të na thyer ne, sidomos Myftiun dhe Mytininë e Shkupit e cila i ishte bërë digë përpara një biznesi shumë të pandershëm dhe tepër kriminal të Sulejman Rexhepit. Kishim informata se Sulejman Rexhepi po punonte që një rast i atillë si ai i Kumanovës, sado në miniaturë, të ndodhte paraprakisht në BFI. Ne e dinim, e dinin edhe të afërmit tanë, ndaj dhe qëndruan në oborr dhe rreth BFI-së deri në çastin kur vendosëm të dalim.

INA: A jeni të vetëdijshëm se çfarë po flisni?
Po e flas të vërtetën, po përpiqem maksimalisht që ta ruaj popullatën nga inxhineringu propagandistik tepër i ulët i Sulejman Rexhepit. Për momentin, si duket i ka blerë disa media e disa portale dhe vetëm po gënjen, po shpif e po sajon, po mundohet të paraqitet si ujku i plagosur, si viktimë në gojë të zagarëve. Ai ka dhënë shumë deklerata të pakuptimta për të cilat do të përgjigjet para drejtësisë! Ja truku i tij i fundit! Krejt bota e pa se në Rijaset u mbajt një mbledhje ku u emërua Myfti i ri i Shkupit Rexhep Jusufi! Nga ato pamje krijohet përshtypja se çdo gjë ishte në rregull. Por në atë mbledhje të Rijasetit, a u referua për mbledhjen që paraprakisht duhej të mbahej në Myftininë e Shkupit? A u mbajt kjo mbledhje, a u propozuan kandidatët, a u mbajt ndonjë proçesverbal, nëse u mbajt, kush ishin ata emra që morën pjesë në atë mbledhje të Myftinisë, me cilën Rregullore për zgjedhje u organizua tërë ai aktivitet, kishte KQZ dhe KRZ etj? Nuk ka asgjë nga kjo! Kjo dëshmon edhe për manipulimin e radhës të Sulejman Rexhepit, jo vetëm me organet e BFI-së por edhe me popullatën e vendit. Kjo nuk i falet askuj, ai Shkupin sot e ka bërë që të ket një myfti që është vullneti i tij, kurse Ibrahim ef.Shabani, pas të cilit vazhdojnë të jenë shumica dërmuese e organit të myftinisë që janë vullnet i xhemateve të Shkupit, e ka shkaruar në kundërshtim me të gjitha normat!

INA: Në çka i bazoni të gjitha këto argumente që po i nënvizoni këtu kundër Reisul Ulemasë, Sulejman ef.Rexhepit?
Të gjithë e dinë se sa të afërt kemi qenë unë dhe ai. Të gjithë e dinë, siç e di edhe vetë Sulejman Rexhepi, se unë për të jam një “arkiv” më vete. Njerëzit me relevance brenda BFI-së e dinë fare mirë që unë tash e sa kohë ia tërheq vërejtjen, ai e di fare mirë se sa herë ia kam deponuar dorëheqjen për shkak të papajtueshmërisë sime me shumë veprime të tija. Jo njëherë i kam thënë që duhet të rizgjidhet sipas Kushtetutës së re të BFI-së, jo një herë i kam thënë se asnjëri nga anëtarët e Riajsetit nuk kanë mandat me përjashtim të 3-4 myftive të rizgjedhur sipas Kushtetutës së re. Sulejman Rexhepi e ka tejkaluar këtë shkelje kushtetuese duke bërë krimin e radhës me organet shtetërore të gjyqësorit. Ka deponuar emrin dhe nënshkrimin në mënyrë false. Si i tillë, ky nuk ka mandat për asnjë veprim dhe aktivitet në BFI. Si i tillë nuk ka mandat në financa dhe as në zgjedhje apo emërime në organet e BFI-së. Si i paligjshëm ka bërë shumë veprime të paligjshme, duke e shtuar nepotizmin në BFI, duke e shndërruar krejt BFI-në në “ojq” lokale të qytetarëve të katundit të vet!  Unë nuk kam asnjë familjar timin të punësuar, as gruan time! Janë disa në BFI që shkrihen për Sulejman Rexhepin, jo pse e duan shumë, por, sepse, përmes kësaj shkrirje prej piuni të dylltë ata në fakt i mbrojnë edhe vendet e punës të grave të tyre.
Tani, po nënvizoj edhe një herë, meqë Sulejman Rexhepi e di fort mirë se e njoh si paranë e kuqe, atëherë si “i përvuajtur” e “i padrejtësuar” do të sulet të më sulmojë aty ku më së shumti i dhemb vetë atij dhe ku e gjenë fare lehtë veten. Mundohet të më diskreditojë si “alet i shërbimeve sekrete”, ndërsa me firmën e tij doli raporti që ia kishte dërguar drejtorit të DSK-së, veç kësaj është ftuar disa herë publikisht: urdhëro të lustrohemi! Vërtet, a mund të na tregojë Sulejman Rexhepi se pse sillet për disa ditë vërdallë Lagjes së Trimave në Kumanovë, përse në 2001, se paku pas luftës nuk u shkoi në vizitë zonave të përfshira të Kumanovës ose vendeve të tjera, po përse nuk e vizitoi Brodecin, ata katundarë që e përjetuan tmerrin shumë vite përpara banorëve të Lagjes së Trimave!? Unë bashkë me një nëpunës së Myftinisë së Tetovës shkuam në krye të ditës së tretë pasi ndodhi sulmi i njësiteve policore në Brodec.
Mundohet të më diskreditojë në ndershmërinë time përsa i përket pasurisë sime, duke menduar se do të arrijë ndonjë efekt në përpjekjet për të ma mbyllur gojën dhe mos të flas për pasurinë e tij përrallore. Personalisht kurrë s’më ka interesuar pasuria e dikuj, as e Sulejman Rexhepit, nuk jam marrë me muhabete boshe e as me llafe grashë, për dallim nga ai, unë këtu asgjë nuk po them diçka që nuk i kam thënë vet atij hapur! Kurse ai ka ditur gjithnjë të flasë kundër meje me të tjerë, ndërsa me mua të flasë kundër shokëve të mi më të afërt! E tmerrshme! Vitin e kaluar i thash se po dëgjoj shumë muhabete se unë qenkam shumë i pasur, nga po dalin këto fjalë! Krejt në fund, atij dhe disa të punësuarve të tjerë u thash se nëse vërtetë kam aq pasuri, unë të tërën e lë vakuf për BFI-në! Por tanimë pas gjithë kësaj, mendoj më ndryshe, i ngaxmuar nga “i varfëri”, ose njerëz të tij lidhur me pasurinë time, veçse po i njoftoj me një ofertë konkrete timen, që më 28.05.2015, i kam ftuar të gjithë gazetarët dhe mediat të lidhin një kontratë me mua, ta bëjnë investigimin e pasurisë sime dhe, gjithçka që do të gjejnë jashtë pasurisë që e kam deklaruar, le ta marrin. E ftoj që këtë kontratë ta bëjë edhe Sulejman Rexhepi.

INA: A ekziston ndonjë kompromis! A mund të jetë kompromis kthimi juaj në postin e Sekretarit Gjeneral dhe të mbyllen të gjitha mosmarrëveshjet?
E kam pasur këtë ofertë, disa shkues të Sulejman Rexhepit kanë ardhur dhe më kanë ofruar edhe më shumë se aq! Nuk bëhet fjalë për post! Ka ndonjë sqarim logjik se pse u shkarkova kur veten se kam llogaritur legjitim!? Pastaj, a mund të shkarkohesh nga një Rijaset me të cilin udhëheq një njeri pa legjitimitet, dhe me shumë anëtarë pa legjitimitet! Pastaj nga të këtillët edhe vendimi është pa proçedurë normale, madje i bazuar edhe në Nen të gabuar! E them publikisht, me gjyq do ta fitoj lëndën dhe gjyqi sërish do të më kthejë në postin e mëparshëm, por atë ditë, kur do ta marrë vendimin e gjyqit në të mirën time, do të thërras mediat dhe, publikisht, do ta gris atë vendim dhe nuk do ta pranoj atë post, nuk dua që të bëhem i njëjtë me Sulejman Rexhepin, nuk dua të jem në atë post si rezultat i gjykatës! Do të kisha pranuar sikur të isha në atë pozitë si rezultat i respektimit të rendit tonë islam dhe Kushtetutës së BFI-së. Këtë të vërtetë e din më së miri Sulejman Rexhepi të cilit kur i është thënë se po e shkelim Kushtetutën, është përgjigjur: Për nevojat tona! Ja unë skam nevojë dhe kurrë sdo pranoj të vëndohem mbi Kushtetutën! Nisma jonë ka për qëllim eliminimin e Sulejman Rexhepit nga posti i tij i vjedhur, eleminimin e injorancës, banditllëkut, anarkisë. Këtë luftë po e bëjmë me qëllim që në BFI të nisin e të ecin gjërat sipas Kushtetutës, sipas rregulloreve dhe sipas statuteve të organeve dhe institucioneve të saj. Veprimet ligjore për momentin janë të perënduara në BFI. Në këtë Institucion bëhen abuzimet dhe krimet më të rënda se në çdo organizatë tjetër në vend dhe më gjerë. Ne do ta dokumentojmë këtë konstatim, nuk guxojmë që edhe më tej të lejojmë keqpërdorimin e kontributeve të myslimanëve të vendit, nuk do të lejojmë më nëpërkëmbjen e dinjitetit të teologëve të vendit. Jemi i vetmi Institucion që nuk kemi as sindikatë, as forume rinore, as për gra, asgjë nuk kemi. Kemi një shoqatë humanitare që është shoqatë-individ dhe një shoqatë tjetër të ulemasë e që është shoqatë ekskluzivisht i një personi, i një anëtari, dhe jo i zgjedhur në bazë statutit, por i emëruar nga Sulejman Rexhepi! Ashtu siç kemi disa koordinatorë të myftinive të cilët nuk kan të drejta as të mendojnë as të flasin, nëse duan që një dit të bëhen myftinjë, dhe për afër 9 vite nuk kemi dekan të FSHI-së e as Drejtor të Medresesë të zgjedhur ashtu si e parashofin statutet e institucioneve arsimore, por  për 9 vite me radhë të njëjtët mbahen si ushtrues të detyrave por këta në institucionet arsimore përfaqësojnë Reisin, kurse në Rijaset nuk e përfaqësojnë vullnetin e institucioneve, nuk jan rezultat i zgjedhjeve në ato institicione! Bëhet fjalë për një lëmsh shumë të madh! Kam qenë anëtarë i komisioneve për përpilimin e Kushtetutës, statuteve dhe shumë rregulloreve, andaj po flas për të gjitha këto pobleme shumë serioze! Tani pas gjithë kësaj, më thoni a është punë për poste, apo bëhet fjalë për një “luftë” kundër anarkisë së krijuar nga të papërgjegjshmit pa legjitimitet!?

INA: Po përmendni “luftën”!Pse ju duhet të zhvilloni një luftë të tillë kur këtë gjendje aktuale e miratojnë të gjithë organet dhe institucionet e vendit, të gjithë myftinitë?
Ligjet e fizikës këtë dukuri do ta quanin “mashtrim optik”, ndërsa ligjet e drejtësisë do ta quanin akt kriminal, veprim i ngjashëm si ai i nunëve të dikurshëm siçilianë. Sulejman Rexhepi e uzurpoi këtë post duke injoruar Kushtetutën, çdo rregullore për zgjedhje të reja dhe duke keqpërdorur disa nga myftinjtë e vendit. Duke u fshehur pas organit që quhet Rijaset! Më vie keq, por ai me metodat e veta po i bën bashkfajtorë që të gjithë, madje edhe proçeseve gjyqësore asgjë nuk do të pranoj se ka gabuar! Rijaseti si organ do të fajësohet! Kurse ne e themi tani, askush, e as Rijaseti si organ që sipas Kushtetutës së BFI-së është organ i cili vendos për çështje islamike, nuk e ka të drejtën të sjell vendime në kundërshtim me normat islame, në kundërshtim me Kushtetutën e BFI-së! Mos harroni, Sulejman Rexhepi shprehet se Kushtetutën e shkelim për nevojat tona! Nuk thotë për nevojat e mia! Ne jemi krenarë që nuk duam të jemi pjesë e atyre që Kushtetutën e shkelin për nevoja të tyre dhe në këtë i ftojmë edhe të tjerët, fjalën e kam për myftinjtë!

INA: Ju pengojnë si kuadër apo si emra?
Në asnjë mënyrë, të gjithë janë të mirë e kolegë të respektuar. Gjatë gjithë këtyre viteve jam munduar t’i ndihmoj deri në maksimum dhe i falenderoj për bashkpunimin që kemi pasur! Personalisht nuk më pengon që dikush të mendon ndryshe nga unë dhe nuk është e domosdoshme të pajtohemi në çdo gjë. Unë ka vite që mbaj ditarin tim, dhe me saktësi e di në të vërtetë se në raste të caktuara si janë shprehur me mua! Kurrë nuk kam qenë njeri që ka dashur të prish raporte ndënjerëzore dhe asnjëherë nuk do të them diçka në mosprezencën e tyre! Jam për raporte korrekte! Edhe pse dikush gjatë kohë është munduar që të gjithë ata t’mi shndërron në armiq! Unë jam i gatshëm, që për çdo hall që kam qarë me myftinjtë lidhur me BFI-në, ta publikoj, sepse asgjë nuk e kam thënë me qëllim për ta dëmtuar institucionin, por për ta ndihmuar! Ja psh. asnjë nga myftinjtë me të cilët kam biseduar nuk janë të kënaqur me të hyrat e BFI-së nga organizimi i tubimit të kurbanëve! Por më vie keq kur ata nuk kërkojnë sqarime dhe nuk japin ide se çfar duhet ndryshuar në realizimin e projektit që BFI të ket sa më shumë leverdi!
Nuk ka çështje për të cilat nuk mund të debatohet, me përjashtim që unë kurrë s’do të pranoja të debatohet në çështje si ajo «a merremi vesh ta shkelim Kushtetutën»!? Kurse do të isha pajtuar sikur të propozohej iniciativë për ta ndryshuar Kushtetutën!
Duhet të jemi parimor, unë ia kontestova legjitimititetin vetvetes, Reisul Ulemasë etj. Nuk mund të mos kontestoj legjitimitetin edhe të një «myftiu» që në krye të Myftinisë së Shkupit vie pa mbledhje nga organi i Muftinisë së Shkupit, pa KRZ, pa KQZ, dmth. pa u zhvilluar zgjedhjet në bazë të Rregullores për zgjedhje të myftiut! E dinë myftinjtë, se një gjë e këtillë i ngjanë sikur të futesh në namaz pa abdes! Një namazi pa abdes nuk i thuhet namaz!

INA: Po si u zgjodhën të gjithë këta? Si e pranuan statusin e tyre nga një person, siç thoni ju, i kontestueshëm ?
Jo, jo vetëm nga një i kontestueshëm, por pa u respektuar asgjë nga normat e domosdoshme të sistemit tonë juridik! Sidoqoftë, është mirë t’i pyesni ata se si kanë gatishmeri të pranojnë poste! Me vetëdëshirë ose dikush ua imponon të futen hipotekave të këqia! Më lejoni që me këtë rast të njoftojmë mbarë opinionin e gjërë se ka pasur edhe burra të atillë që kanë refuzuar marrjen e posteve të ndryshme! Jo se ata që të gjithë kanë qenë në lidhje miqësore ose shoqërore me ne, por nga fakti se kryekëput kan qenë parimorë. Zoti e shtoftë numrin e atyre që nuk verbohen pas pozitave dhe i lutemi Atij që figura të atilla të jenë pjesë drejtuese e institucionit të BFI-së.

INA: Kuluareve flitet se tërë këtë luftë ju po e zhvilloni me qëllim që ta eliminoni  Sulejman Rexhepin  dhe ju t’ia rrëmbeni postin Reisul ulema i BFI-së?
Po të isha i verbuar pas postit, nuk do të jepja dorëheqje vitin e kaluar, as nuk do të konfrontohesha me Sulejman Rexhepin! Në formë shumë të qetë e me mbyllje të syve shumë gjëra do të ecnin në dobinë time personale! Përkundrazi, nga fillimi i këtij viti në prezencë të stafit të Muftinisë së Shkupit i ofrova që të dy të lëshojmë BFI-në! Sulejman Rexhepi mbeti pa koment! Unë edhe vitin e kaluar edhe disa her gjatë këtij viti kam thënë hapur dhe kam qenë i vendosur, sepse për dorëheqjen time kam qenë i gatshëm të vendosi vetë, kurse tek ai nuk e kam gjetur gatishmërinë! Ai për asnjë moment nuk më ka bindur se vendos për vetveten! Ju thashë edhe më sipër: e vetmja arsye e kësaj lufte është që, BFI-në ta vëmë në binarët e vërtetë në të cilat do të vepronte islamikisht, mbi parimet islame dhe për interesat islame, e assesi për interesat “e liderit”! Jo të gjithë në shërbim të kryetarit, por kryetari në shërbim të Zotit dhe gjithë besimtarëve!

INA: Kjo që po e nënvizoni këtu duhet të jetë e paraparë sidomos në programin e kandidatit për kryetar, i cili, mbase mbi këto veprime islame merr edhe votat e “votuesve”!
Në historinë e BFI-ve në vend, në rajon dhe më gjerë, nuk ka udhëheqës që ka qenë më i kontestuar dhe më i kritikuar se sa Sulejman Rexhepi. Ky njeri tashmë ka kaluar në personazh barcoletash nga ato më qesharaket. Është i vetmi njeri me të cilin nuk duan të ulen e të rrinë liderët e tjerë, sepse shanë, pastaj shpif e merr njerëz nëpër gojë, në vend se të nxisë ndonjë debat të shëndoshë, të nisë ndonjë iniciativë apo të promovojë ndonjë aksion të mbarë kombëtar e fetar. Përkundrazi, nëse nuk është i përfshirë nëpër to, ai i saboton, i përgojon dhe i shanë të gjithë pjesëmarrësit.
Kur të kihet parasysh ky karakter dhe ky profil i tij, atëherë për çfarë programi mund të flitet këtu. Ai ka një program që nga viti 1996, të cilën pastaj vetëm e ka ripërsëritur, sidomos kur u rikthye në krye të BFI-së në vitin 2006, kur nuk kishte kohë as të mendojë për ndonjë program më avansues sepse tërë proçedura u krye për 2-3 ditë.
Le t’i nënvizojmë këtu dy-tre shtyllat kryesore që i përmban “programi i tij” të cilin mbase as që e di se ku e ka! Sulejman Rexhepi thotë:Ky program ёshtё nё tё vёrtetё njё si sinjalizim qё nuk hy thellё nё koncepcionet e mia ngase ato do tё hartohen e vёrtetohen pёrmes planprogrameve afatgjate zhvillimore, pёrmes hartimit dhe pёrpunimit tё programeve e projekteve operuese tё trupave, tё enteve, tё organeve dhe institucioneve tё BFIM.” A ka gjë më demagogjike se kjo, për të mos thënë gjë më të palogjikshme dhe më qesharake. Dakord, ta marrim si të mirëqenë këtë zotim të tij dhe, le të na tregojë zotëriu në fjalë se sa për qind ka realizuar nga ky zotim i tij! Zero për qind!  Shikoni tani shtyllën e ardhshme aq të deformuar sa, çudi është se si po arrinë të qëndrojë në këmbë BFI për këto kohë sa drejtohet nga Sulejman Rexhepi. Në mënyrë tepër nonshalante dhe injorante thotë: “Kam bindje tё thellё se pёrpunimi i tё drejtave, obligimeve dhe parimeve kushtetutare tё BFIM duhet tё jetё vepёr kolektive e organeve tё BFIM, gjithnjё duke u mbёshtetur nё fundamentet e drejtёsisё islame. Çdo individ nё kёtё institucion, pa marrё parasysh funksionin qё ushtron apo pozitёn qё ka, ёshtё obligim qё idetё e veta t’i vё nё shёrbim tё kёsaj bashkёsie, por gjithmonё duke pasur pёr motiv frymёn e parimeve islame dhe pёrcaktimet kushtetutare”!“Përpunimi i të drejtave” ka kuptimin e robërimit, shkeljes së dinjitetit, kufizimit deri në mohim të lirisë! Të drejtat, obligimet, detyrat nuk përpunohen, por, nga një demokrat dhe islamist ato avansohen, shkojnë kah përsosmëria, drejt zhdukjes së vjedhjes, korrupsionit dhe kriminalitetit. Në frazën e dytë të këtij zotimi, Sulejman Rexhepi vë në theks sintagmën “parimeve islame”! Kush është parim islam? A është parim islam tradita e tij e pistë për të sharë, për të përgojuar e për të linçuar ! Pa u futur në atë se ai mes tjerash në Programin e 2006 zotohet edhe për mbrojtjen e traditës sonë fetare, kurse në fakt e gjejmë se ai përsëri sillet në varësi nga nevoja e tij personale, her i ka spiunuar tek organet e shteterore, herë bashkpunon me ta e u jep poste, thjesht ai aspak nuk i është përmbajtur programit! Nëse i hidhni një sy edhe “draftit” të programit të tij ku flet për mënyrën e punës së tij, do të hasni në faktet e pakundërshtueshme se në rastin konkret kemi të bëjmë me një njeri mashtrues ordiner dhe me një manipulues që fare nuk i bëhet vonë për t’i injoruar burimet e vërteta islame. Ai thotë se nuk do të sjellë kurrfarë vendimi, dhe kurrfarë rrugëzgjidhje pa u mbështetur në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin e Pejgamberit a.s. Ja një temë për analizë publicistike! Le të numërojë kushdoqoftë, apo vetë Sulejman Rexhepi, qoftë edhe vetëm një aktivitet që e ka bërë konform këtyre dy burimeve islame!

INA: Po ju keni qenë sekretar i tij?
Jo, unë isha sekretar i BFI-së, deri në shtator 2011, pas 2011 vetëm jam munduar të kontribuoj, të ndihmoj e diçka të përmirësoj. Jam krenar se unë timen e kam bërë, i kam thënë se, nuk e ndjej veten sekretar meqë sipas Kushtetutës nga shtatori 2011 jeni jasht mandatit, unë jam propozim i Juaji, kur ju nuk keni legjitimitet, nuk kam edhe unë! Është e vërtetë se unë deri në shtator 2011 isha tamam sekretar i përgjithshëm i BFI-së, askush nuk më ka penguar në asnjë aktivitet! Kam mundur të shfrytëzoj shumë benificione, por, le të më thotë kushdoqoftë se cilat përfitime i kam shfrytëzuar nga posti i sekretarit! Në nëntëdhjetë për qind të rasteve për kryerjen e punëve në terren kam përdorur makinën time. Edhe pse Sulejman Rexhepi më pat dhënë makinë zyrtare! Por unë duke dashur të jem sa më i lirë - pa hipotekë, kam pasur bindje se do të më jepet mundësia më shumë ta ndihmoj Sulejman Rexhepin! S’ka mënyrë që nuk provova! Kam dëshmitarë! Shumë dashamirë të tij, të afërm të tij, kam porositur ta lusin që të heq dorë nga disa veprime të dëmshme për imazhin e BFI-së! Këtë lloj përpjekje i bëra derisa e pashë veten “të pafuqishëm”për të ndaluar atë nga veprimet e paligjshme! Krejt në fund dola përpara publikisht! Vetëm arsyet e dorëheqjeve të mia janë histori më vete që flasin për një veprimtari të tmerrshme antiligjore të tij!

INA: Fundi i kësaj odiseade?
Fundi është ky: dorëhiqet Suljman Rexhepi; anullohen të gjitha vendimet e ndërmarra antikushtetuese, në rrafshin organizativ domosdoshmërisht BFI-së i duhet një udhëheqësi e përkohshme që BFI sërish t’i rikthehet Kushtetutës dhe rregulloreve të BFI-së. Ky do të jetë hapi i parë dhe madhor drejt avansimit dhe zhvillimit të fuqishëm të jetës fetare në vend.

INA: Kur do të ndodhë kjo? Nëse nuk ndodhë kështu, do të hidheni në rezistencë aktive, në protesta?
Gjithsesi, shumë shpejt do të vijë momenti kur të gjithë do ta kuptojnë se sa e nevojshme është bërë të luftohet kjo e keqe. Është bërë farz që orekseve grabitqare t’i thuhet mjaft, qoftë edhe me protesta, pavarësisht nëse do të pengohemi nga miqtë e Sulejman Rexhepit që punojnë nëpër shërbimet të ndryshme të vendit.

INA: A e pranoni konstatimin e tërë opinionit tonë se “jeni bërë gaz i botës”!
Fatkeqësisht, u bëmë gaz i botës dhe, është shansi i fundit që të dalim nga ky epitet. Kemi qenë lider të zhvillimit të jetës fetare në rajon dhe, patjetër që duhet ta rikthejmë këtë emër. E kjo rikthehet me punë të sinqerta, me veprime islamike dhe me aktivitete të organizuara, transparente dhe në interes të mbarë popullatës myslimane. Dhe kjo nuk është e mundur me një njeri që publikisht ka sharë gratë e imamëve të Shkupit!

INA: Për fund, na i thoni seç’po thonë institucionet ndërkombëtare e ato kombëtare?
Ne jemi kontaktuar nga një numër i madh i institucioneve ndërkombëtare dhe, Myfti Ibrahim ef. Shabani është një figurë e pastër dhe dashur te muslimanët e vendit. Nënvizojmë se të gjithve që na kanë kontktuar nuk iu hyn në kokë se si është e mundur që të vidhet një post kaq i rëndësishëm, nuk ju besohet se si priten e përcillen prej një njeriu i cili është tërësisht jolegjitim. Vizita e tyre e sinqertë dhe miqësore në BFI është përkthyer edhe si përkrahje për Sulejman Rexhepin në postin e tij ilegjitim dhe këtë manipulim nuk ia fal asnjëri prej tyre.
Por, këtë trishtim po e shprehin edhe institucionet me relevancë kombëtare. Së shpejti do të turpërohen të gjithë ata të cilët ndonjëherë kanë shprehur qoftë edhe një të vetme përkrahje për njeriun që është turpi i historisë kombëtare. Të gjithë nënvizojnë një konstatim: BFI-ja për momentin është interes personal i Sulejman Rexhepit. BFI-ja duhet të kthehet në identitetin e vet. Sa më parë aq më mirë. (INA)

0 comments :

Post a Comment