Translate

Wednesday, May 13, 2015

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pritet me nderime të larta shtetërore në Shqipëri

TIRANË  - Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka mbërritur sot në Shqipëri, në kuadër të një vizitë zyrtare. Kreu i shtetit turk pasi ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” është nisur drejt Presidencës shqiptare, duke filluar në këtë mënyre axhendën e takimeve zyrtare të vizitës një ditore, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i shtetit turk është pritur rreth orës 10:20 në Presidencë me një ceremoni me nderime të larta shtetërore. Ai, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Emine Erdoğan është pritur në ambientet e jashtme të Presidencës nga homologu shqiptar, Bujar Nishani dhe bashkëshortja e tij, Odeta Nishani. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe ministra të kabinetit qeveritar shqiptar dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Presidentin turk Erdoğan në këtë vizitë shoqërohet nga një delegacion i gjerë i përbërë nga ministra të kabinetit qeveritar të Qeverisë së Republikës së Turqisë, investitorë turq dhe një numër i lartë zyrtarësh. Kështu ai shoqërohet nga zëvendës kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus,  ministri i Brendshëm, Selahattin Ozturk, ministri i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu, ministrja e Familjes, Aysenur Islam, kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Görmez, kryetari i Grupit Parlamentar i Miqësisë Shqipëri – Turqi, në Parlamentin turk, Rifat Said, etj. Erdoğan dhe Nishani do të zhvillojnë takime kokë më kokë si dhe mes delegacioneve. Gjithashtu pas përfundimit të takimit të dy homologët do të mbajnë një konferencë për mediat.
Erdoğan rreth orës 15:00 do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të nisjes punimeve për xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, ku gjithashtu të pranishëm do të jenë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar.
Presidenti i Turqisë, do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idriz. Gjithashtu sipas axhendës së parashikuar, Erdoğan do të marrë pjesë edhe në forumin ekonomik Turqi-Shqipëri, pjesë e të cilit do të jetë edhe presidenti shqiptar, Bujar Nishani.  
Ndërkohë Policia e Shtetit Shqiptar për mbarëvajtjen e vizitës së Erdoğan ka ndërmarrë disa masa. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka njoftuar se për sigurimin e rendit dhe të qetësisë si edhe mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor në zhvillimin normal të vizitës zyrtare të Presidentit të Turqisë, do të marrë disa masa për bllokim të pjesshëm të akseve rrugore.Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, mësohet se duke filluar nga ora 10:30 deri në orën 22:00 të ditës së sotme segmentet kryesore rrugore në Tiranë do të jenë në mbikëqyrjen e vazhdueshme të Policisë dhe do të bëhet bllokim i pjesshëm i kalimit në orare të caktuara.

0 comments :

Post a Comment