Skip to main content

Siria merr edhe pesë shkupjanë

Tre muaj më parë, lajmi për vdekjen e një 20 vjeçari që luftonte në Siri nga lagja Gazi Babës tronditi familjen e tij. Por jo bashkëmoshatarët. Një grup tjetër u nis po ato ditë, ndërsa një tjetër banor i lagjes iu shtua numrit të atyre që luftojnë një muaj më parë. Familjet janë të shokuara nga zgjidhjet e fëmijëve të tyre, apo edhe nga lajmi që presin çdo ditë të marrin. Nëse janë gjallë apo kanë vdekur. Askush prej tyre nuk dashuron të flasë hapur - disa nga turpi, të tjerët nga frika
Evis HALILI
Personat nga Maqedonia vazhdojnë t’i bashkohen formacioneve ushtarake që luftojnë në Siri. Kush janë, pse shkojnë, kush i manipulon, apo si i detyrojnë që vullnetarisht apo me pahir të luftojnë në vendet e konflikteve. Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë dhe cilat janë detyrimet që kanë dhe informacionet me të cilat disponojnë institucionet përkatëse lidhur me këtë fenomen dhe parandalimin e tij. A është Maqedonia më e rrezikuar sesa vendet e tjera të rajonit nga grupet radikale islamiste? Gazeta KOHA disponon me emrat e disa djemve nga Shkupi që janë nisur drejt Sirisë këto muajt e fundit dhe kjo është një prej arsyeve që përmes disa shkrimeve radhazi do të japim një pasqyrë të gjendjes, por edhe sensibilizimin e opinionit lidhur me këtë fenomen. Ata që janë nisur muaj më parë dhe ato që mund të nisen nesër nuk dallojnë shumë nga të tjerët. Janë të rinj që kanë histori të ngjashme, por që mund të kenë edhe fat të ngjashëm. Materiali i grumbulluar dhe shumica e dëshmive janë marrë nga njerëz të afërt dhe persona që duan të mbeten anonimë, pasi askush nuk e pranon apo edhe nuk flet publikisht për histori dhe përvoja të tilla të anëtarëve më të ngushtë të familjes - nga frika, apo turpi.
Tre muaj më parë, lajmi për vdekjen e një 20 vjeçari që luftonte në Siri nga lagja e Gazi Babës tronditi familjen e tij. Mezi kishin arritur të siguronin me para të marra hua nëpër të afërm që ta dërgonin në Gjermani që të gjente ndonjë punë dhe të stabilizonte jetën e tij. Por telefonata e bërë disa ditë pas nisjes, ishte shokuese. “Jam në Siri dhe nuk kthehem, kam shkuar për të luftuar për Allah”, i pati thënë djali prindërve të tij. Lajmi i fundit që ata morën ishte kur vdiq, tre muaj më parë. Ata që e njihnin e përshkruajnë si një djalë të qetë, që disa kohë përpara se të nisej, kishte çrregullime të shëndetit mendor.
“Thoshin se i kishin bë sehire, kishte xhinde, dhe kështu u fut në grupin e atyre që mundoheshin ta shëronin dhe me siguri i kanë mbushur mendjen për të shkuar. Familja e tij mezi arriti t’i gjente para për të shkuar në Gjermani, pa e ditur se ai kishte tjetër qëllim, që të shkonte në Siri”, thotë një i afërm. Lajmi për vdekjen e tij nuk ishte shokues për bashkëmoshatarët. Një tjetër grup që jeton në afërsi të shtëpisë së tij po ato ditë u nisën për në Siri. J.I. A.I. Xh.A., të rinj të moshës 19-26 vjeç janë nisur drejt destinacionit të njëjtë. Tentativa për të kontaktuar drejtpërsëdrejti me familjarët ishte e pamundur, pasi askush prej tyre nuk dëshiron të prononcohet, apo edhe të pranojë drejtpërsëdrejti një gjë të tillë. Sipas prononcimeve që KOHA i ka siguruar nga persona që dëshirojnë të mbeten anonimë, djemtë përshkruhen si individë që deri para një viti kanë bërë një jetë të zakonshme. Nuk vijnë nga familje shumë të varfra, disa prej tyre kanë qenë në marrëdhënie pune, madje një prej tyre është i martuar dhe në ditën që është larguar, fëmija s’i kishte mbushur as dhjetë ditë që kishte lindur.
“Muajt e fundit kishte pak ndryshime, shkonte më shpesh në xhami. Por jo diçka tjetër më të madhe, s’mund të dalloje ndonjë ndryshim të madh edhe në pamje. E di se kjo është hera e dytë që është nisur për në Siri. Për herë e parë kur ishte para disa muajsh, tha se ‘kontrata’ ishte vetëm tre muaj dhe pastaj u kthye. U nis me disa djem këtu nga lagja e tij për herë të dytë. Këto gjëra është e vështirë t’i shpjegosh, pse shkojnë. Kërkojnë një jetë më të mirë? Është vështirë të thuash se të paktën për ato që i njoh se e bëjnë për para, pasi e kanë një lloj jetese të siguruar, ndoshta s’janë shumë të pasur, por jo edhe aq të varfër sa për të luftuar. Ata që shkojnë e kanë vendosur dhe askush nuk i ndal dot, sepse ashtu e kanë vendosur dhe ashtu ua kanë mbushur mendjen. Unë si prind nuk e kuptoj dot, nëse do isha dakord që fëmija im të shkonte, s’do ta kisha lejuar që të shkonte vetëm, do kisha shkuar unë në vend të tij, ose bashkë me të”, thotë një i afërm anonim për KOHA. Në familjet që i janë larguar këto të rinj, kjo temë është e sikletshme, si për fqinjët, miqtë e të afërmit.
“Nuk i pyesim sesi është djali, nëse kanë marrë ndonjë lajm. Presim nëse ata na thonë ndonjë gjë, nëse jo - nuk e hapim më këtë temë”, thotë një i njohur. Po nga kjo lagje rreth një muaj më parë një tjetër 22 vjeçar është nisur drejt Sirisë. I riu me inicialet F.S. tronditi familjen, jo vetëm për zgjedhjen e bërë, pasi nuk ishte ndonjë besimtar i devotshëm dhe nuk e frekuentonte shpesh xhaminë, por edhe pasi e ëma ia fshehu pasaportën, ai gjeti formë që të largohej, duke e deklaruar si të humbur dhe kështu nxori një dokument të ri. Nga familja e tij refuzojnë çdo lloj komenti për arsyet që e kanë shtyrë të largohet, ndërsa edhe rrethi i tij më i ngushtë i të njohurve e konsideron si person që s’mund të bëjë një hap të tillë për hir të kauzës fetare. Nga banorët e zonës, dy xhami konsiderohen si vendtakime të grupeve që japin mbështetje kauzës për të luftuar në vatrat myslimane të konflikteve - xhamia Jahja Pasha dhe ajo e Tutunsësit. Edhe pse në predikimin tradicional pas faljes të së premtes imamët e BFI apelojnë kundër rekrutimeve dhe shkuarjes në vatrat e konflikteve, ditët e tjera të javës dhe ligjëratat që mbahen pas faljes së pesë ritualeve, teologëve të rrymave të ndryshme, janë të lirë të predikojnë gjëra të tjera.
“Rrinë gjatë gjithë natës, aty grumbullohen. Neve si xhemat na vijnë faturat e rrymës që t’i paguajmë, po edhe s’mund t’i kundërshtosh dot, se të quajnë qafir. Imami të premteve flet kundër atyre që shkojnë, po ajo është vetëm një ditë. Ata, po ashtu mblidhen edhe nëpër shtëpi, kanë edhe çajtoret e tyre ja këndej, në këtë zonë, ku janë më të lirshëm”, thotë një tjetër banor i zonës. Një ditë më parë, një shtetas i Maqedonisë nga Struga që punonte me leje pune në Itali, është dëbuar nga autoritetet italiane, për shkak të dyshimeve se është i përfshirë në radhët e ISIS-it. Ai quhet Almir Avmedovski, 31 vjeç, i cili punonte si murator në Itali dhe policia pas hetimeve të ndërmarra vendosi dëbimin e tij, për shkak se ai kishte 3 vite që iu kishte bashkangjitur strukturave të ISIS-it, shkruajnë mediet italiane. Deri tani, numri i shqiptarëve të vdekur në Siri dhe Irak ka arritur në 12 persona, Rasim Zeqiri, Alim Osmani, Egzon Avdyli, Nimetullah Imeri, Adnan Rexhepi, Sami Abdullahu, Xhelal B., Rijad Memishi, Burhan Bislimi, Sadik Xhemaili, Bashkim Bela, Xhelal Samakova. Nga Kosova kanë vdekur 23, derisa nëntë të tjerë janë nga Shqipëria dhe dy nga Lugina e Preshevës.
Parlamenti i Maqedonisë në shator të vitit të kaluar ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime me burg për ato persona që në forma të ndryshme përfshihen në operacionet luftarake të ndonjë shteti tjetër. Sipas ndryshimeve të Kodit Penal, ai që rekruton, bën thirrje apo nxit në ndonjë formë tjetër shtetas të Maqedonisë që t'i bashkëngjiten ndonjë formacioni ushtarak apo paraushtarak, që organizon stërvitje ushtarake dhe transporton persona të tillë, dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg. Me ndryshimet në Kodin Penal, gjithashtu do të shqiptohen dënime më së paku për 5 vjet burg, për individët të cilët ofrojnë mbështetjen e organizimit të dërgimit të shtetasve të Maqedonisë në luftërat jashtë vendit, apo në forma organizative apo financiare u ndihmojnë atyre për t'u përfshirë në luftime jashtë Maqedonisë. Do të dënohen edhe ata persona, të cilët në rrjetet sociale nxisin persona të tjerë të kryejnë veprën penale, pjesëmarrje në konfliktet ushtarake jashtë vendit. Ndryshimet parashohin dënime prej 1 deri në 5 vjet burg edhe për personat, që ndihmojnë apo fshehin persona që kryejnë vepra penale, apo pengojnë personat e organizuar në zbulimin e autorëve të veprave penale. Megjithatë, deri më tani, asnjë person nuk është përgjigjur para drejtësisë, megjithëse shkuarja dhe nxitja e të rinjve shqiptarë për të luftuar në Siri po vazhdon edhe më tej. Parlamenti malazez ka miratuar amendamente kushtetuese sipas të cilave deri në 10 vjet burg mund të dënohen qytetet e Malit të Zi të cilët marrin pjesë në veprime luftarake jashtë vendit ose që organizojnë largimin e mercenarëve për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit. Dënim me dy deri në 10 vjet burg është parashikuar për anëtarët e formacioneve ushtarake apo paraushtarake jashtë vendit, që edhe për ato që rekrutojnë, përgatisin, financojnë apo ndihmojnë largimin nga Mali i Zi në luftëra jashtë vendit. Legjislaturë të ngjashme midis vendeve nga ish-Jugosllavia tashmë ka miratuar Maqedonia, Kosova, Serbia si dhe Bosnja e Hercegovina./koha.mk

Comments

Popular posts from this blog

Dromca memoaresh të Sulejman Rexhepit (PJESA I)

Dromca memoaresh KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË Miq të dashur! Vëllezër e motra! Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për tí lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike. Së shpejti do të keni rastin t’i lexoni memoaret nga dorëshkrimi im, me titull KUSH MA PREK KOMBIN MË KA SHARË FENË   HYRJA Bismilahi rrahmane rrahim! Ky do të jetë titulli i përmbledhjeve të memoareve të mia në këtë faqe elektronike dhe më vonë edhe në librin tim të radhës. Një nga format më të rënda të shkrimit pa dyshim që janë edhe me

Zbulohen lidhjet e Argëtim Asanit me Petrit Hamen (Amen), bashkëpunëtori i famëkeqit Arkan: Ja segmentet e UDB-së në politikën shqiptare të Maqedonisë

Ylli Pata Vrasja e Argëtim Asanit (alias Artan Musliut) risjell në skenën e tronditur të shqiptarëve të Maqedonisë, fantazmat e tmerrshme të lidhjes së vjetër me nëntokën e krimit të organizuar dhe me shërbimin famëkeq serb UDB, i cili një pjesë solide të tij, e ka vazhduar me shërbimin e Maqedonisë së sotme të Nikolla Gruevskit. Argëtim Asani, ka qenë një figurë kyçe e nëntokës së errët me politikën shqiptare të të gjitha forcave politike. Por mbi të gjitha ajo që është më eminente në “CV”-në e të ndjerit Asani është veprimtaria e tij e gjatë si njeri i afërt dhe truprojë e misteriozit Petrit Hame i njohur si Ame, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit serb, Zhelko Razhnjatoviç (Arkanit) dhe figurë eminente e UDB-së jo vetëm në Maqedoni. Argëtim Asani, që prej fillimit të viteve 90-a ka qenë bashkëpunëtor i Petrit Ames në tregëtinë e paligjshme dhe monopolet ekonomike që lindën më pas në kontrollin e shitjes së karburanteve, cigareve dhe lidhjeve me nëntokën e Shqipërisë, madje e

Bashkëluftëtari i Zahirit: Ali Ahmeti e Fazli Veliu duhet të tregojnë pse u vra Zahir Pajaziti (Foto)

Hasan Zeneli, bashkëluftëtarë i heroit Zahir Pajazitit, në ditëlindjen e Zahirit, në faqen e tij në facebook ka shkruar në lidhje me vrasjen e tij. Sipas, tij ai nuk do të ndalet kurrë dhe do ta qoj këtë çështje deri në fund, duke zbuluar tradhtarët e vërtete të cilët i kanë bërë pritë Zahir Pajazitit. “Unë Hasan Zeneli ne emer te shokeve te gueriles se Zahir Pajazitit, publikisht u them se kete pune do ta çojm deri ne fund, deri ne zbardhjen perfundimtare duke i zbuluar tradhtaret e vertete te cilet i kane bere priten Zahirit dhe shume djemave tjere deshmor te ketij kombi”, shkruan ai./BS Ja postimi i tij i plotë pa ndërhyrjen tonë: Me 01 Nentor 2016, Kom. Zahir Pajaziti e ka ka DITELINDJEN. “Zahirin e vram sepse na e shau Azem Sylen ne TIRANE. Kete e di,vetem SEKTORI i vecant. E vram sepse ishte tmerr per ne dhe per vllaznit ton sllavokomunist.Nuk eshte e vertet se Xhavit Haliti me perjashtoi mua, por une e perjashtova Xhavit Halitin. Une jam shefi i shefave ktu! Hiq s’marr ves